Prishtinë, 22 tetor 2026 – Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë vendim ta kthejë në rishqyrtim në Kuvend Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, njoftoi Presidenca e Kosovës.
Në njoftim thuhet se Presidentja e ka marrë këtë vendim pasi e ka pranuar propozimin e sponsorizuesit të ligjit, Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që Kuvendit t’i jepet mundësi për rishqyrtimin e disa dispozitave të ligjit.
“Gjatë ditës së sotme, Presidentja ka pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizues i ligjit, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë e rishqyrtimit të tij, veçanërisht të dispozitave që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në arsyetimin e vendimit për kthimin e ligjit në rishqyrtim në Kuvend, Presidentja Shiroka Pula ka theksuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ajo ka rikujtuar gjithashtu mbështetjen e saj për Deklaratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës të 28 shtatorit 2026, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Presidentja ka ritheksuar qëndrimin kundër çdo përpjekjeje për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim karakterin çlirimtar të luftës apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë”, thuhet në njoftim.
Presidentja Shiroka Pula ka bërë të ditur se ajo po vazhdon konsultimet me përfaqësues të institucioneve shtetërore kompetente, “me qëllim të bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për mbrojtjen sa më të mirë të të drejtave dhe interesave të krerëve të saj që po gjykohen në Dhomat e Specializuara”.
Çfarë thuhet në kërkesën e PDK-së për rishqyrtimin e ligjit?
Pak orë më parë, PDK-ja bëri të ditur se Presidentes Shiroka – Pula i ka kërkuar ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ajo tha se rishqyrtimi ka synim plotësimin e dispozitave të ligjit që mund ta pengojnë zbatimin e tij.
“Pas konsultimeve të gjera, PDK-ja vlerëson se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
“Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij. Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij. Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme”, thuhet më tutje në njoftim.
PDK-ja u bën thirrje ekspertëve që mund të japin ndihmesën e tyre, përfshirë Avokatin e Popullit, që të kontribuojnë në amendamentimin e ligjit.
Njëkohësisht, angazhohet “për një strategji të koordinuar shtetërore për apelin, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen”.
“Mbështetja për apelin dhe finalizimi i ligjit duhet të ecin së bashku”, thekson PDK-ja.
“Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij. PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi. Qëndrojmë prapa nismës sonë, kërkesës qytetare dhe zotimit për të mos i lënë vetëm çlirimtarët tanë”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
(r.m.)