Prishtinë, 12 tetor 2026 – Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, gjatë një takimi me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, ka kërkuar rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në, të pezulluar nga Uashingtoni në shtator të vitit 2025.
Ajo ka theksuar rëndësinë e këtij dialogu për thellimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
Presidentja Shiroka Pula ka nënvizuar se synim parësor i Republikës së Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyçe në këtë rrugëtim. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, ka deklaruar ajo.
Presidentja e Kosovës e ka falënderuar senatoren Shaheen për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm ndaj Kosovës. Në veçanti, e ka vlerësuar qëndrimin e saj në mbështetje të vazhdimit të pranisë ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it.
Presidentja Shiroka Pula e ka vlerësuar edhe reagimin e fortë të senatores Shaheen pas agresionit të 24 shtatorit 2023 të Serbisë në Banjskë dhe thirrjen e saj që autorët të nxirren para drejtësisë.
Në shenjë falënderimi, Presidentja Shiroka Pula e ka dekoruar senatoren Shaheen me Medaljen Presidenciale të Meritave, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës dhe për kontributin e saj në forcimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka njoftuar se senatorët Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin janë takuar edhe me Kryeministrin Albin Kurti.

Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën për një periudhë të pacaktuar, pas mbylljes së disa institucioneve të Serbisë në Kosovë nga Qeveria e Kosovës. Sipas Uashingtonit, këto veprime rritën tensionet dhe kufizuan mundësinë e bashkëpunimit me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.
Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit i tha REL-it se rifillimi i dialogut varet nga krijimi i kushteve të nevojshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve. Në mesin e tyre janë obligimet që dalin nga marrëveshjet e dialogut me Serbinë, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kosova, në anën tjetër, ka kërkuar që obligimet të jenë të ndërsjella, duke insistuar që Serbia ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe ta dorëzojë te autoritetet kosovare Milan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023.
Shaheen, senatore demokrate nga New Hampshire dhe anëtare e rangut më të lartë të pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, po e udhëheq një delegacion të Kongresit gjatë një vizite disaditore në Ballkanin Perëndimor.
(r.m.)