Prishtinë, 9 gusht 2026 – Komuna e Prishtinës e ka larguar një flamur e Ukrainës me mbishkrimin “Free Ukraine” nga pjesa ballore e hotelit “Grand” në qendër të Prishtinës.
Ky simbol i solidaritetit të popullit të Kosovës me popullin ukrainas u hoq në shenjë proteste ndaj deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, kundër pavarësisë së Kosovës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një postim në rrjetet sociale, ka thënë se Ukraina nuk e meriton respektin e Kosovës. Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës do të jenë solidarë me popujt që luftojnë për liri, por asnjë politikë nuk mund të nënçmojë saktrificën e tyre për lirinë e Kosovës.
“Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Sepse ne, më mirë se shumë të tjerë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet. Por, asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, ka shkruar Rama.
Të shtunën, gjatë vizitës së parë zyrtare në Beograd, Zelensky tha se shteti i tij s’e ka ndryshuar qëndrimin sa i përket mosnjohjes së “shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Ai tha gjithashtu se Ukraina e respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare.
Kosova e ka dënuar fuqishëm agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Rusisë, pavarësisht se Kievi nuk e njeh pavarësinë e saj.
Ndërkaq, Serbia ka refuzuar të dënojë agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë, ndonëse ka deklaruar se e njeh integritetin territorial të Ukrainës.
(r.m.)
