Prishtinë, 22 tetor 2026 – Vendimi i Presidentes Justina Shiroka Pula që Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar ka kthejë për rishqyrtim në Kuvend ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë.
Ky vendim, sidomos kërkesa e PDK-së për kthimin e ligjit në Kuvend, u prit me kritika të forta në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, tha se LDK-ja ishte stigmatizuar për shkak se, gjatë shqyrtimit në Kuvend, kishte paralajmëruar se ky ligj nuk do të ketë asnjë efekt juridik.
“Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik!”, ka shkruar Abdixhikun ë Facebook.
Abdixhiku ka theksuar LDK-ja mbajti qëndrim parimor, pavarësisht sulmeve.
“LDK e mbajti qëndrimin e vet, duke e ditur çmimin e sulmeve që do të pasonin. Sepse përgjegjësia ndaj Republikës na obligon ta themi atë që besojmë se është e drejtë, edhe kur është më e lehtë t’i bashkohesh zhurmës”, ka thënë ai.
Kryetari i LDK-së porosit anëtarët dhe mbështetësit e kësaj partie që të qëndrojnë “gjithmonë krenarë”.
“Mund të na sulmojnë nga të gjitha anët, por qëndrimet e LDK-së i kanë qëndruar provës së historisë. Do t’i qëndrojnë sërish! Sepse ato nuk përcaktohen nga vërshimet e momentit, por nga bindjet mbi Republikën”, ka shkruar Abdixhiku.
“Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Ajo mbrohet me punë e me mend. Jo kështu”, ka theksuar ai në përfundim të reragimit
Kërkesën e PDK-së dhe vendimin e Presidentes Justina Shiroka Pula për kthimin e ligjit për rishqyrtim në Kuvend e ka kritikuar ashpër edhe deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj.
Ish-themeluesi e ish-kryetari i kësaj partie e ka cilësuar këtë vendim turp të madh dhe si goditje të rëndë për Kosovën
“Kthimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend është një turp i madh dhe goditje e rëndë për Kosovën. Të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj loje, turpi i mbuloftë për jetë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila e kishte mbështetur miratimin e këtij ligji për të evituar zgjedhjet e parakoshme dhe jo me bindje se ky ligj do të ketë efekte juridike, e mban këtë qëndrim edhe tani.
Kryetarja e grupit parlamentar të kësaj partie, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se ky ligj është shembulli i keqpërdorimit të interesit shtetëror për interesa politike.
“Për fat të keq, është një shembull se kur temat që janë me interes strategjik shtetëror përdoren për përfitime partiake”, ka thëënë ajo.
Por, reagime të forta kundër kthimit të ligjit në Kuvend pati edhe nga PDK-ja. Ish-deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, e ka kërkuar dorëheqjen e krejt kryesisë së partisë.
“Krejt kryesia e PDK-së duhet të japë dorëheqje sonte, deri në orën 24:00. Këshilli Drejtues duhet të mblidhet brenda 48 orëve dhe të caktojë një kryesi të provizore, me mandat të qartë për ta udhëhequr partinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Me UÇK-në, me fatin e krerëve të UÇK-së dhe me të ardhmen e Kosovës nuk mund të luhet për interesa politike, këtu nuk e tolerojmë askënd. Këto janë çështje që prekin themelet e lirisë, sakrificën e popullit tonë dhe dinjitetin e shtetit tonë. Kërkesa është e qartë, dorëheqje sonte, mbledhje e Këshillit Drejtues brenda 48 orëve. Është koha për përgjegjësi dhe vendime konkrete”, ka shkruar ai në Facebook.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka shpjeguar se Kushtetuta i jep të drejtë presidentes të kthejë ligjet në rishqyrtim në Kuvend, por i ka kritikuar ashpër partitë politike për mënyrën se si po e trajtojnë çështjet shtetërore.
“Në aspektin kushtetues, presidentja ka bazë kushtetuese që, vetëm një herë, ta kthejë Ligjin, ndërsa në aspektin politik, partitë tona nuk janë serioze për çështje që kanë të bëjnë me shtetin”, ka deklaruar Kryeziu për Telegrafin.
(r.m.)