Pritja për “jashtë shtetit” – E vërteta dhe prapaskenat

Naum Prifti

Pas një karantine të gjatë për vizë hyrje, vëllain tim, Peter Priftin, e lejuan të vinte në Shqipëri në vjeshtën e vitit 1985, pak muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës. Lejimi i tij nënkuptonte se çështja e pastërtisë politike të vëllait ishte zgjidhur. Dhe duke hequr nga supet hijen e dyshimit politik, Lidhja e Shkrimtarëve do lejonte që unë të hyja në listat e artistëve që udhëtonin jashtë shtetit. Pas pritjes disavjecare, krijova bindjen se çështja e vëllait nuk kishte ndonjë lidhje organike me daljen time jashtë shtetit meqë edhe pas ardhjes së tij unë nuk isha aq “i besuar” nga diskasteret sa të merrja pjesë në takime rajonale e ndërkombëtare me grupe të shkrimtarëve e artistëve shqiptarë. E dija se mënyra më efikase ishte të ankoheshe, të luteshe, të bëje zhurmë, të mallëngjeheshe, të çurriteshe, të qaje, duke shkuar nga instanca në instancë dhe sidomos të vije në lëvizje shokët, miqtë, të njohurit për të thyer opinionin dhe për të fituar përdëllimin e zotërve të plotfuqishëm. Në praktikë duhet t’u serviloseshe shefave, t’u rrije para e më shumë prapa, t’i qerasje, t’u premtoje dhe t’i siguroje se do të ktheheshe duarplot dhe përsëri t’i ftoje për dreka, darka, dhe madje të krijoje edhe një lloj miqësie familjare me ta.

Të gjitha këto unë i dija, por nuk isha aq i shkathët dhe as aq i zellshëm sa t’i praktikoja. Nuk më mungonin paratë, as koha, por më ngjanin të neveritshme veprimtari që s’përkonin me karakterin tim dhe ishin jashtë natyrës sime. Ndodhte që edhe t’i premtoja vetes se javën e ardhshme do takohesha me filan zyrtar apo drejtues, se do ta ftoja për drekë a darkë, dhe gjithmonë e shtyja për më tej, mbasi kurdoherë kisha diçka “urgjente” për të shkruar, redaktuar, recensionuar. Nuk mund t’i braktisja dorëshkrimet për t’u vërdallosur zyrave, korridoreve, shkallëve, oborreve të institucioneve. Pas debateve të brendshme momentale, më në fund vendosa se nëse ajo qe rruga e vetme për të çarë shtegun, duhet të mos mbaja më shpresa.

Gjithmonë kam patur plot shokë të mirë e të ndershëm, të cilët më kanë dashur dhe më duan, ashtu sikurse i dua edhe unë. Kam ndihmuar të gjithë ata që më janë drejtuar për ndihmë ndërkohë kam një lloj pezmatimi për ata shokë që i kishin mundësitë praktike të ndërhynin atje ku duhej për të lehtësuar “hijen e dyshimit” që më ndiqte pas dhe nuk i pashë të bënin për mua atë që do të kisha bërë unë për ta, po të isha në vendin e tyre.

Ndoshta u mungonte kurajua ose vullneti, ose të dyja bashkë. Një pjesë mendonin se gjendja ime ekonomike qe e shkëlqyer, se babai me kishte lënë një trashëgimi, se vëllezërit me sillnin dhurata sa herë vinin, se unë mund të blija çdo gjë te “valuta” ose nga firmat e mëdha jashtë shtetit. Në Shqipëri vajtja jashtë shtetit u bë biznesi më me leverdi ose rruga më e shpejtë për të siguruar përfitime materiale. Veç “blerjeve” vizita turistike është e paguar nga shteti, çka sjell edhe rivalitet të fortë, prandaj luftohet me çdo mjet, me intriga dhe shpifje, me bërryle e stërkëmbësha për të nxjerrë jashtë liste kolegun dhe për t’i zënë vendin. Konkretisht një javë shërbim jashtë shtetit sjell vlera materiale sa për gjashtë muaj rroge mesatare në vend. Nuk e harroj kurrë thënien e një shokut tim se i ngjallnin zili edhe këpucët e jashtme. Duke krijuar krahasime të paqena e fallco, dalja jashtë shtetit “justifikohej” me ç’rast për veten e tyre dhe për nevojtarët e shumtë, që shpesh ishin ata që ishin mësuar të ankoheshin vazhdimisht.

Çdo familje shtronte darkë kur përcillte dikë jashtë shtetit. Përveç një lloj tradite për t’i uruar rrugë të mbarë udhëtarit, aty festohej një lloj rritje në statusin e mirëqenies materiale të rrethit familjar e miqësor. Deri në vitet ‘70 kur shërbimet kufizoheshin në vendet e botës socialiste përfitimet qenë modeste. Kur u hap rruga drejt perëndimit, u krijua mundësia të silleshin orendi shtëpiake si televizorë me ngjyra, magnetofonë, kasetofonë, frigoriferë, lavatriçe, etj. Madje thuhej se shoferët e parqeve paguanin ryshfete fantastike deri në një çerek milioni lekë, pra dy vjet e gjysmë rrogë të një nëpunësi të lartë, për të siguruar një patentë TIR, sepse e dinin që do të nxirrnin dyfishin e tyre nga afër katër rrugëtime.

Mua tema e udhëtimeve jashtë filloi të më acaronte nervat. Më parë i dëgjoja plot kureshtje bisedat e të shëtiturve e njëherit të besuarve të pushtetit, por tani mezi i duroja. Tema më e shpeshte vërtitej rreth gastrologjisë, pjatave dhe gotave. Çfarë intelektualësh qenë këta që flisnin vetëm për barkologji? Kur më pyesnin njerëz që më njihnin pak, e kaloja shpejt duke thënë se kisha udhëtuar disa herë. Më shumë sesa nga kujdesi për të mbrojtur dinjitetin e Lidhjes së Shkrimtarëve, më dukej se nuk doja t’ju ngjallja dyshime si njeri që ka “cene” në biografi veçanërisht kur disa prej tyre as që dyshonin se unë kisha vizituar kushedi sa shtete. Nuk e harroj një mikun tim, i cili gjatë bisedës rreth përshtypjeve të tij në Turqi, kërkoi ndihmën time për emrin e një ure, duke besuar se unë e kisha parë Stambollin. Unë buzëqesha duke ia kthyer “Starovën po, Stambollin jo akoma”.

Nentor 1989 – Java e Kulturës Shqiptare në Austri minus Letërsinë

Seksioni i Jashtëm i Lidhjes më njoftoi zyrtarisht se bëja pjesë në grupin e artistëve që do shkonin në Linz, Austri për javën e Kulturës Shqiptare nga 9 në 16 nëntor 1989. Agron Kaiku që mbulon sektorin e jashtëm të Lidhjes më kumtoi se isha ngarkuar të mbaja referatin me temë “Identiteti kombëtar i letërisë shqiptare” “jo më shumë se 5-6 faqe të daktilografuara’ sqaroi ai. Kjo ngjau pa iu lutur kujt, pa iu ankuar as Lidhjes, as ndonjë zyre tjetër. Kjo do të thotë se nuk isha më i mënjanuari që përcillte të tjerët deri në aeroport. Kësaj here do të shkoja unë i përcjellë nga dashamirët.

Praktika e shërbimeve jashtë shtetit i përngjan një enciklopedie me skandale, intriga e prapaskena. Duke e ditur këtë, të interesuarit e ndjekin procedurën hap pas hapi dhe në çdo hallkë sepse dokumentet e dikujt ngelen në ndonjë sirtar derisa afron ose kalon afati i takimit, pas të cilit vjen shprehja “Tani s’keni pse niseni, sepse nuk e arrini aktivitetin.” Askush nuk mban përgjegjësi pse u vonua nisja dhe kush e vonoi. Madje edhe në simpoziume e konferenca ndërkombëtare, dërgatat shqiptare shpesh herë kanë vajtur me vonesë për arsye nga më të ndryshmet duke filluar që nga kursimi fondeve e të tjera me radhë. Edhe grupit për Austri ku isha unë mund t’i ngjante e njëjta gjë dhe nisur nga praktika nuk ua kumtova lajmin e gëzuar gruas e vajzave, motrës e kunetërve. E pohoj se isha ndjerë i anashkaluar dhe i mënjanuar prej kolegëve shumë më të rinj se unë, të caktuar në delegacione të ndyshme. Kur shkonin për herë të parë jashtë shtetit, disa prej tyre shprehnin një farë keqardhje sikur po kapërcenin mbi mua, sikur po merrnin para meje diçka që nuk u takonte, po pastaj shërbimet e tjera u dukeshin krejt të natyrshme. Kjo ishte edhe më e theksuar gjatë vizitave të shpeshta të anëtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve në vitet ‘70 –’80 në Kosovë, kur mua nuk m’i dorëzonin as ftesat që më dërgonte Universiteti i Prishtinës, Teatri i Kombësive në Shkup apo Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës.

Edhe kur janë të planifikuara zyrtarisht, udhëtimet jashtë Shqipërisë nuk janë kurrë të sigurta por të shoqëruara me të papritura dhe pengesa hap pas hapi. Shërbimi mund të anullohet ose shtyhet për një kohë të pacaktuar. Emri i çdo pjesëtari të dërgatës mund të hiqet nga lista në instancat ku kalon për miratim dhe personit në fjalë mund të mos i jepet asnjë arsye dhe asnjë shpjegim. Në vend të transparencës ka opakësi të papërshkueshme dhe bunacë konspirative por edhe justifikime qesharake që personi i interesuar të vazhdojë të besojë se pushteti e nderon dhe nuk ka rezerva kundrejt tij. E gjitha kjo nuk është veçse hipokrizi shtetërore për të mbuluar veprimet e fshehta dhe të pamoralshme. As posedimi i pasaportës as viza së bashku me biletën e udhëtimit, nuk japin siguri të plotë për kalimin e kufirit. Në disa raste ka pasur kthime nga banaku i kontrollit të dokumenteve në aeroport ose edhe pasi personi ka hyrë brenda në avion. Më mirë të isha i përmbajtur me pjesëtarët e familjes që të mos shqetësoheshin edhe ata nga ankthi i pritjes për vajtjen në Austri. Pas një jave, i thashë vetëm Elës duke iu lutur të mos ia rrëfente kujt edhe për disa javë. Edhe pas gati 25 vjetëve e kisha të freskët në kujtesë vitin 1961 kur m’u akordua bursë nga Ministria e Arsimit për studime në Institutin Gorki të Moskës dhe Ministria e Brendshme nuk më dha pasaportë.

Java e Kuturës Shqiptare në Austri parashihte një seminar me referate për artin, letërsinë dhe kulturën, hapjen e dy ekspozitave, njëra me objekte etnografike, tjetra me piktura. Në fillim të tetorit Agron Kaiku më pyeti nëse pasaporta ime ishte ende e vlefshme. “Apo i ka kaluar afati?” shtoi Agroni. Buzëqesha sepse përveç letërnjoftimit të zakonshëm të identitetit nuk kisha pajisur kurrë me pasaportë sepse pajisja nënkuptonte udhëtim jashtë dhe unë nuk kisha udhëtuar deri atëherë përtej hapësirës administrative shqiptare. Ai s’kishte asnjë dyshim se unë i kisha kaluar kufijtë disa herë. “Po”, iu përgjigja në mënyrë afirmative “ka skaduar me kohë”. “Mirë, s’ka problem, mbushim një të re”. Nxori një skedë ku shënoi gjeneralitetet e mia. Papritmas duke e parë me sytë e mi gjestin burokratik, nisa të mendoj seriozisht për kumtesën dhe se çfarë interesimi mund të zgjoja te auditori austriak për letërsinë shqipe të përmbledhur në 5-6 faqe. Duke shkuar ndërmend veprat dhe autorët kryesorë që nga De Rada deri te Ismail Kadareja m’u duk se tharmin e saj gjatë një shekulli nga “Bagëti e Bujqësi (1889) e përbën patriotizmi. Në vitet “30 diapazoni u zgjerua paksa me tema sociale, filozofike, simbolike dhe lirike dhe u kthye sërish pas çlirimit në shtratin patriotik. Pa dyshim subjektet patriotike, po aq sa e kanë stimuluar letërsinë, aq edhe e kanë kufizuar. Mirëpo ende nuk më vinte t’i hidhja mendimet në letër dhe i mbaja me vete si një lloj sekreti.

Ditën e premte më 18 tetor, Agroni me kërkoi urgjentisht shtatë copë fotografi. U drejtova në Institutin e Monumenteve të takoja fotografin Pleurat Sulo, mikun tim. Ai sapo mësoi përse më duheshin, m’i dha në dorë brenda dy orësh dhe në përgjithësi shoqëria jonë ka një solidarizim shoqëror të hatashëm për të ndihmuar ata që udhëtojnë jashtë shtetit. Një hallkë tjetër u kalua me sukses duke e sjellë udhëtimin edhe më pranë.

E Vërteta dhe Prapaskenat

Të hënën në mëngjes, ndërsa po shkoja si zakonisht në Bibliotekën Kombëtare, shoh veturën e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve para pallatit ku banonte, vetëm pak metra nga Pallati i Kulturës, ku është salla e Bibliotekës. Mendova të pi një kafe me Dritëroin dhe të konsultohesha për kumtesën në Linz si delegat i Lidhjes së Shkimtarëve. Ai zbriti nga makina shpejt, m’u afrua shoqërisht, më hoqi disi mënjanë dhe me pamje fare të qetë më tha: “E more vesh, besoj. Udhëtimi për në Austri u prish”. Buzëqesha me ironi sikur t’i jepja të drejtë asaj pjese të brendshme që nuk më kishte lejuar të isha shumë optimist. Më shkoi në mendje se Agroni më kërkoi fotografitë për pasaportën ditën e premte dhe se të shtunë dhe të dielë zyrat qenë mbyllur. Dritëroi vazhdoi: “Austriakët e kanë anulluar kumtesën tënde. Nuk të tha Agroni? Do të thërrasë në zyrë”.

Dritëroi më qerasi me kafe – kafeja e ngushëllimit në këtë rast- dhe ndërkohë patëm një bisedë shoqërore. Në bisedat intime Dritëroi shquhet për sinqeritet, ndjenja demokratike dhe humanitare. Aty më tha se nuk qe çështje pasaporte dhe se pengesa nuk kishte ardhur prej Ministrisë së Brendshme. “Me ata e kemi sqaruar çështjen tënde dy- tre vjet përpara. Për Fadil Krajën dhe për ty kishin rezerva, nuk donin t’ju jepnin pasaportë për jashtë shtetit. Për Fadilin thoshin se qe i përjashtuar nga partia nja 15 a 20 vjet me parë” E pyeta: “Po me mua ç’kishin? Unë s’kam qenë as i përjashtuar, as i dënuar.” Nuk më dha sqarime, veç më kumtoi se ai vetë kishte marrë takim me zëvendësministrin përkatës, të cilit i tha se Kraja dhe Prifti qenë personalitete të kulturës dhe njerëz të nderuar, që kishin shkruar vepra të mira që studioheshin në shkollë dhe së fundi e kishte bindur. Ndoshta edhe vetë Kryetari kishte patur dyshime se premtimi i tij nuk vlente, derisa më vonë, po këtë temë e kishte ngritur te Foto Çami, i cili kishte zënë postin e Ramiz Alisë në parti. Mësova se Fotoja menjëherë e kishte marrë në telefon personin përkatës në Ministrinë e Brenshme duke i tërhequr vërejtën me fjalë të ashpra. Pas disa kohe Dritëroi e mori me vete Fadil Krajën në një udhëtim më duket në Algjeri – dhe atij praktikisht iu hoq karantina, kurse unë mbeta aty ku isha.

Dy ditë pas bisedës me Dritëroin, Agron Kaiku më tha lajmin te shkallët e Lidhjes, më këmbë. Ndoshta më mirë, sepse biseda dukej si diçka krejt e rastit, kurse në zyrë do të kishte hije më të rëndë. Ai më siguroi se s’kishte arsye politike, por çështja qe se “austriakët nuk e donin kumtesën për letërsinë”. Agroni e kishte parë me sytë e tij teleksin e ardhur në Komitetin e Marrëdhënieve Kulturore me Botën e Jashtme nga Ambasada jonë në Vjenë. Piktura mbetej, poçeria, arsimi, kultura po ashtu, vetëm letërsia dhe kinematografia u dogjën, se qytetarët e Linzit nuk donin të dëgjonin për to. Mësova se Abdurrahim Myftiu, punonjës i bërthamës Artistike të Akademisë, do të mbante kumtesën për kinematografinë shqiptare. Por kur e pyeta ai për habinë time më tha se nuk dinte asgjë rreth atij projekti. Shoqërisht më rrëfeu se qe planifikuar të shkonte me shërbim të gjatë dymujor në Gjermaninë Perëndimore dhe si pasojë nuk i interesonin pesë ditë në Linz. Vetëm pak personave u rezervohet favori të shkojnë dy-tre herë jashtë shtetit brenda një viti prandaj atij nuk i qe prishur asgjë. Më vonë mësova se kumtesa i qe ngarkuar regjisorit Dhimitër Anagnosti, por prej tij mora vesh se po shkonte në Itali të xhironte disa skena të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, prandaj Austria nuk i interesonte.

Atëhere nisa të besoj se intriga ndaj meje ishte kurdisur në zyrat e Komitetit për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme. Me kryetarin, Jorgo Melicën kisha patur marrëdhënie korrekte kur ai ishte instruktor kulture në kryeministri. Ftohja midis nesh ngjau kur punoja në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës. Mbase kishte pasur pritshmëri për raporte dhe analiza për gjendjen e teatrove dhe të artit skenik sepse në një mbledhje kolegjiumi në Ministri, më qortoi duke thënë se priste më shumë prej meje. Çfarë t’i thosha shokut Jorgo, se teatri ynë për shkak të censurës së partisë nuk mund të dilte nga kriza e thellë, se letërsia jonë qe më skematike se kurrë, se arti nuk mund të lulëzonte në diktaturë. Ishte e rrezikshme edhe t’i mendoje e jo më t’i shkruaje, prandaj preferova heshtjen, kurse ai e mori si gjest jomiqësor, sikur nuk doja ta ndihmoja për propozime konkrete para shefave. Sigurisht për nëpunësat ka vlerë të veçantë mendimi që dëgjohet nëpër zyrat dhe kuluaret për secilin individ. Nëpunësit tanë janë mjeshtër për manovrime dhe intriga të holla, të cilat vështirë se mund të zbulohen as prej komisioneve të ekspertëve. Edhe po të supozoj për rastin konkret se hetimet mund të bëhen nga ndonjë instancë e caktuar, ato do përfundojnë te teksti i ardhur nga Vjena i ashtuquajtur “tekst zyrtar nga Ambasada jonë”. A është faktik, me firmë e vulë? Apo një marrëveshja e fshehtë me interes të ndërsjellë midis Ambasadës, Ministrisë së Jashtme dhe Komitetit për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme për të hequr dy persona nga grupi dhe për të futur dy të tjerë? Këtu puqen interesat e palëve ndërkohë ridërtimi i prapaskenës është i thjeshtë nga ana logjike thurur sipas marifeteve apo djallëzive të cilat i kam inventarizuar nga goja e nëpunësve tanë: “Një porosi me telefon drejtuar ambasadës sonë në Vjenë: “Na bëni një teleks me këtë përmbajtje dhe çdo gjë rregullohet.”. Djallëzia e një intrige që s’mund të verifikohet kurrsesi. Çka mbetet i përhershëm është rregulli se gjithmonë sajohet një gënjeshtër për të mbuluar të parën e me radhë. Nga burokracia shqiptare me trashëgimi të fortë të bizantinizmit, e shartuar me përvojën dhe dinakërinë e KGB-se është e pamundur të zbulosh të vërtetën ose prapaskenat, të cilat, në realitetin socialist ekzistojnë me cinizëm pranë njëra tjetrës.