Katër anëtarë të Gjykatës Kushtetuese vlerësuan se kërkesa e Këshillit të Ministrave për heqjen e pezullimit të Ballukut do të çonte në “zgjerim arbitrar” të imunitetit të përcaktuar në Kushtetutë, ndërsa katër të tjerët vlerësuan se kërkesa për pezullim duhet të kalonte nga parlamenti.
Vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilit u rrëzua ankimi i Këshillit të Ministrave kundër pezullimit të Belinda Ballukut nga detyra, tregon se palët u ndanë në dy grupe të barabarta, kryesisht mbi argumentet mbi imunitetin dhe ndarjen e pushteteve.
Katër gjyqtarët në favor të kërkesë së Këshillit të Ministrave, Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Marjana Semini, këmbëngulën se “pezullimi i ministrit” ndikonte në ushtrimin e detyrës dhe ishte një vendim që duhej të kalonte, ashtu si kërkesa për arrestim apo kontroll banese, përmes Kuvendit.
“Pra, nevoja për të balancuar këto dy interesa publikë që konkurrojnë ngushtë me njëri-tjetrin bën të nevojshëm mekanizmin zhbllokues të autorizimit të organit legjislativ”, thuhet në arsyetimin e 4 gjyqtarëve, që konsiderojnë si interes publik qoftë ushtrimin e ndjekjes penale, qoftë në këtë rast ushtrimin e detyrës së ministrit.
Në krahun tjetër, Marsida Xhaferllari, Genti Ibrahimi, Asim Vokshi dhe Ilir Toska, arsyetuan se Kushtetuta dhe ndryshimet që i janë bërë asaj në vijim në vitet 2012 dhe 2016, kanë synuar kufizimin e imunitetit dhe se pretendimi se pezullimi nga detyra duhej të konsiderohej në të njëjtën kategori me masat e tjera shtrënguese ishte një zgjerim i imunitetit.
“Neni 73 i Kushtetutës përbën një normë të qartë, të vetëzbatueshme dhe të plotë për imunitetin. Mungesa e masës së pezullimit në tekstin e nenit 73 përbën zgjedhje të ligjvënësit kushtetues dhe nuk mund të tejkalohet me interpretim. Zgjerimi i imunitetit përmes interpretimit do të përbënte krijim norme të re kushtetuese, në kundërshtim me kompetencat e Gjykatës dhe parimin e epërsisë dhe zbatimit të drejtpërdrejtë të Kushtetutës”, thuhet në këtë arsyetim.
Gjyqtarët në këtë arsyetim po ashtu rrëzuan një sërë pretendimesh të Këshillit të Ministrave apo Kuvendit mbi mundësinë që gjyqësori të ndikojë mbi qeverinë dhe pushtetin ekzekutim.
Gjyqtarët vunë në dukje se përpos faktit që pezullimi nuk përfshihej në listën e masave për të cilat kërkohej qëndrimi i Kuvendit, Shqipëria i është nënshtruar një reforme në drejtësi dhe ka sot një sistem gjyqësor që garanton ndjekje penale joarbitrare.
“Arkitektura aktuale kushtetuese ofron garanci të mjaftueshme kundër ndjekjes penale arbitrare për motive politike; ç) efektet faktike për ushtrimin e funksionit nuk synojnë institucionin, por individin që dyshohet se nëse vijon kryerjen e detyrës mund të dëmtojë rëndë hetimin penal dhe nuk përbëjnë, në vetvete, cenim të ndarjes dhe balancimit të pushteteve”, thuhet në arsyetim.
Në një qëndrim paralel, gjyqtarja Marsida Xhaferllari dhe gjyqtari Asim Vokshi arsyetuan se në fakt kërkesa e Këshillit të Ministrave duhej refuzuar apriori si e pabazuar. “Masa e sigurimit të ndalimit të ushtrimit të detyrës sipas nenit 242 të KPP-së është e përkohshme dhe i drejtohet individit e jo institucionit, ndaj nuk mund të barazohet me shkarkimin e ministrit (as de facto) dhe as me pezullimin administrativ, duke mos lindur kësisoj asnjë mosmarrëveshje kompetencash midis pushteteve”, thuhet në qëndrimin paralel.
Për shkak të ndarjes së gjyqtarëve në dy grupe të barabarta dhe në mugesë të krijimit të një shumica, kërkesa e Këshillit të Ministrave e mbështetur edhe nga Kuvendi u rrëzua, duke lënë në fuqi vendimin e pezullimit të marrë nga Gjykata e Posaçme.
Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku akuzohet nga SPAK për abuzim me tendera për punë publike në vlerë qindra milion euro. Fillimisht ndaj saj u kërkua masa e pezullimit nga detyra, masë që u miratua nga Gjykata e Posaçme. Në mbrojtje të Ballukut kryeministri Rama ankoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar se pezullimi i ministrit ishte ndërhyrje në punët e ekzekutivit. Rama dhe shumica socialiste po ashtu kanë shtyrë për muaj me rradhë shqyrtimin e një kërkese të Prokurorisë së Posaçme për të hequr imunitetin e Ballukut.