Berat, 25 qershor 2025 – Në Berat i zhvilloi punimet e Asambleja Rajonale e Drejtuesve të Policive të Europës Juglindore (SEPCA).
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në cilësinë e presidentit të SEPCA-s, në fjalën e përmbylljes, ka thënë se policitë e të gjitha vendeve të rajonit, pavarësisht barrierave të natyrave të ndryshme nuk duhet të pengojë bashkëpunimin në luftën kundër krimit global.
“Asnjë justifikim dhe asnjë barrierë nuk duhet të pengojë bashkëpunimin në luftën kundër krimeve globale. Kemi një mision fisnik dhe të vështirë, por jo të pamundur: të luftojmë krimin dhe të garantojmë rend e siguri për qytetarët tanë”, ka thënë ai, citon Balkanweb.
“Bashkëpunimi i hapur dhe i sinqertë ndërmjet policive dhe agjencive ligjzbatuese është mesazhi më i fortë kundër krimit. Përderisa krimi nuk njeh kufij apo ngjyrë, as ne nuk duhet të veprojmë me emocione apo ngjyrime. Ligji është bibla jonë. Qytetarët janë thesari ynë. Le ta thellojmë bashkëpunimin për sundimin e ligjit dhe për të mirën e qytetarëve të vendeve tona!”, ka theksuar Proda.
Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë së SEPCA-s në cilësinë e të ftuarit nga kryesuesi. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda, ka thënë se dhe Policia e Kosovës duhet të jetë pjesë e SEPCA-s.
“SEPCA-s i mungon një anëtare e domosdoshme, Policia e Kosovës. Shpresoj që, me mirëkuptimin dhe mbështetjen e të gjithë pjesëmarrësve, ajo të bëhet sa më shpejt anëtare e plotë dhe jo vetëm në statusin e ftuarit”, ka thënë Proda.
Ai ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në SEPCA është domosdoshmëri për sigurinë rajonale.
(r.m.)