Vlerësimi i librit nga: PROF. DR. HAJRI SHEH, Tiranë

Jam i lumtur që më jepet mundësia të kumtoj për librin e prof. Murat Mehës, “Kufiri i shtetit të Kosovës (Studim dhe dokumente)” në këtë auditor të spikatur. Tematika e librit është shteti i Kosovës dhe kufijtë e tij. Është temë madhore. E, mu për këtë, profesor Meha i ka kushtuar vite pune e studimi.
Nuk ka shtet pa territor. Dhe nuk ka shtet që të mos e kufizojë territorin e vet, mbi të cilin e shtrin sovranitetin e vet e integritetin e vet. Edhe Kosova jonë ka, më në fund shtetin e vet. Bashkë me historinë e saj të shkëlqyer të luftës për çlirim kombëtar ka edhe shtetin e saj.
Për përcaktimin e kufijve të shtetit të Kosovës janë shfrytëzuar, – thotë autori, – dokumente origjinale – vendore dhe ndërkombëtare, tekstuale e hartografike me gjeoinformacionin përkatës. Interpretimi ka qenë ligjor, matematik e gjeometrik, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Dhe dokumentacioni për kufijtë dhe territorin e Kosovës është arkivuar edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Një zgjuarsi më vete edhe kjo.
Komisioni i parë qeveritar për kufijtë e shtetit të Kosovës është themeluar më 27 mars 2008, me vendimin nr. 6/13. Komisioni kishte 5 anëtarë. Autori, prof. Murat Meha ka qenë një ndër anëtarët. Komisioni kishte për detyrë të zbatonte dokumentacionin, mbi të cilin ishte shpallur Pavarësia, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, domethënë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjin për kufijtë dhe Deklaratën e Pavarësisë. Dhe kështu është vepruar. Dhe profesori ka qenë me tërë qenien e vet e me tërë përkushtimin e vet në të gjitha zgjidhjet shtetërore. Në libër pasqyrohet mjaft mirë veprimtaria e këtij komisioni.
Libri i profesor Muratit ka 7 kapituj. Njëri më i spikatur se tjetri.
Përpara se të vijë te shteti i sotëm i Kosovës, autori na çon te historia e Kosovës. Është historia e kolonizimit të Kosovës nga Serbia. Dhe kjo histori është trajtuar me vërtetësi. Dhe, sigurisht me dhembje e rrëqethje. Ajo nis me vitin 1912-1913, kur Fuqitë e Mëdha e ndanë dhe e copëtuan Shqipërinë me Konferencën e Ambasadorëve në Londër. As Konferenca e Paqes në Paris (1919-1920) nuk solli asgjë për Shqipërinë. Ndërkohë, Italia mbante Vlorën, derisa kryengritja shqiptare (më 1920) e bëri të tërhiqej. Qëndresa shqiptare për trojet e veta stërgjyshore nuk reshti. Por, megjithatë shumë territore shqiptare mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë. Mbetën në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene (më pas – Jugosllavi) e në Greqi. Në këtë kontekst, autori bën paralelizmin : Pse e la Shqipëria Kosovën më 1912 jashtë territorit të saj ? Pse i la Kosova jashtë vetes më 2008 tri komunat shqiptare në Serbi (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) dhe komunat shqiptare në Maqedoni (Kumanovë e deri në Ohër e Manastir), edhe pse kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën ? Historia e Kosovës vijon derisa ajo çlirohet. Por jo të gjitha trojet shqiptare janë çliruar.
Autori vijon edhe më tej me historinë. Më 1926, domethënë, 14 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria kishte përmbyllur kufijtë me fqinjët. Brenda territorit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene kishin mbetur territore shqiptare – Kosova e sotme e pjesët e tjetra përgjatë kufirit – në Mal të Zi, Serbi e Maqedoni. Çamëria i mbeti Greqisë. 85 000 km2 ka qenë territori i banuar nga shqiptarët. Ndërkohë, ndarje të tjera pati në Mbretërinë Serbe. Një pjesë e Kosovës, përvetësuar nga Mali i Zi, ishte në banovinën e Zetës. Pjesa tjetër – nën Serbi e Maqedoni – në banovinën e Moravës e të Vardarit. Që nga viti 1912 e deri në qershor të vitit 1999, – thotë autori, territori i Kosovës ka qenë i pushtuar nga Serbia. Por Serbia e ka humbur Kosovën për jetë e mot sepse e ka fituar tashmë pavarësinë. Serbia e ka humbur edhe mundësinë e ndryshimit të kufirit të Kosovës me Kushtetutën e RSFJ të vitit 1974: Kufiri i krahinave nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e krahinës përkatëse” (neni 5).
Kufiri ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy shtete të pavarura është caktuar, sikurse edhe për shtetet e tjera, të formuara nga shpërbërja e RSFJ. Vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mbështetur në Kushtetutën e RSFJ, 1974 për kufijtë e republikave dhe të krahinave, në Kushtetutën e KSA të Kosovës, sipas dokumentacionit dhe metodologjisë kadastrore të rilevimit të kufirit komunal, sipas parimit universal “uti possidetis” që do të thotë, sipas gjendjes së kufijve në momentin e shpalljes së Pavarësisë dhe sipas parimeve të Komisionit Badinter 1991-1993. Është zbatuar, gjithashtu “Propozimi gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës” nga pakoja e M. Ahtisaarit (2007), në Deklaratën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Autori e thekson me forcë se kufijtë e brendshëm të Republikës Federative të Jugosllavisë, të republikave dhe të krahinave u njohën si kufij ndërkombëtarë sipas parimit (ndërkombëtar) uti possidetis. Parimi uti possidetis, kushtetutat e Jugosllavisë për kufijtë e brendshëm, baza kadastrore, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e drejta ndërkombëtare garantojnë se nuk mund të preket kufiri i Republikës së Kosovës. Argumentet dhe faktet që përmend autori në libër janë krejt të mjaftueshme. Dokumentet zyrtare për kufirin dhe territorin e Kosovës së sotme janë arkivuar në arkivin e Kosovës, të Serbisë dhe të Republikës Federative. Kosova ka kufijtë që kishte si Krahina Socialiste Autonome e Kosovës – të pandryshuar. Dhe pastaj vjen fjala e mençur e autorit, prof. Muratit: Nëse do të ishte fjala për kufij të rinj, ata do të trajtoheshin nëpërmjet shumë komponentëve të tjerë, sidomos, të lidhur me trojet shqiptare historike.
Moment solemn për shtetin e Kosovës ka qenë Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, me 12 pika, e lexuar nga Kryeministri i Kosovës, zoti Hashim Thaçi dhe e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Ajo e trajton drejtpërdrejt çështjen e kufirit. Në librin e profesor Mehës citohen të plota 12 pikat e Deklaratës.
Në kapitullin e shtatë, “Baza ligjore dhe standardet e kufijve dhe llogaritjen e sipërfaqes së Kosovës”, autori përveçon tre komponentë: 1. Komponenti tekstual përshkrues; 2. Harta, si paraqitje grafike e territorit, ku shtrihet kufiri; 3. Baza digjitale e të dhënave, që kanë të bëjnë edhe me vizualizimin e dy komponentëve të parë. Harta kadastrore është paraqitja zyrtare më e saktë e vijës kufitare shtetërore. Autori u tregon tavolinave të gjykatave ndërkombëtare dokumentet e pranueshme ligjore: gjeoinformacionin, hartat me saktësi centrimetike, të dhënat kadastrore pronësore juridike etj. Fatmirësisht, – thotë autori, – të dyja shtetet kanë të njëjtin dokumentacion. Gjithçka sipas standardeve gjeodezike – kadastrore dhe hartografike të shtetit. Institucioni kryesor që përcakton e përgatit standardet është Agjencia Kadastror e Kosovës.
Para tavolinave të gjykatave ndërkombëtare është edhe dokumentacioni ndërkombëtar për kufirin e Kosovës (1999-2008): Komisioni Badinter, 1991-1993, Marrëveshja tekniko-ushtarake, 9 qershor 1999 (harta e Kosovës me kufijtë e vitit 1974); Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit / 1999; Harta topografike e NATO-s; Deklarata e Pavarësisë së Kosovës / 17.2.2008 etj.
Lexuesi gjen në libër të gjitha të dhënat për sipërfaqen e shtetit të Kosovës. Kosova ka sistemin unik kadastror. Dhe për të vërtetësuar sipërfaqen e Kosovës janë llogaritur sipërfaqet e të gjitha parcelave në vend. Dhe në libër na vijnë këto të dhëna: mbi 2.23 milionë parcela, me rreth 607 000 pronarë e 1 305 zona kadastrore në 38 komuna. Por, ndërkohë, – thotë autori, – dinamika e ndarjes dhe e bashkimit të parcelave i ndryshon këta parametra. Prandaj sipërfaqja e Kosovës mund të llogaritet vetëm nga shuma e sipërfaqeve të parcelave ose vetëm nga shuma e sipërfaqeve të 1305 zonave kadastrore, ose nga shuma e sipërfaqeve të 38 komunave, ose nga llogaritja e sipërfaqes së kufizuar me vijën e kufirit të Kosovës. Autori na jep edhe interpretimin matematik me një formulë të thjeshtë.
E dhënë tjetër është vija kufitare e Kosovës me shtetet fqinje. Vija kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut ka gjatësi 173 km – 434 piramida dhe 5678 pika. Pikat janë, b.f., mesi i një rruge, mesi i një lumi, bregu i lumit, kufiri i parcelës, një shkëmb i gdhendur etj. Piramidat kryesore dhe ato ndihmëse quhen me një emër të përgjithshëm – monumente. Për çdo piramidë në vijën kufitare janë bërë matjet gjeodezike.
Më 21 mars 2018, Parlamenti i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi (Ligji 06/1 L – 060, neni 1). Raporti përfundimtar i Komisionit ndërkombëtar konfirmoi se Republika e Kosovës nuk humbte territor me shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Për këtë pasqyrohen gjetjet dhe ligjshmëria.
Me shumë respekt dhe dashuri kam lexuar atë që shkruan profesori për qytetarinë shqiptare: Intelektualë, shkrimtarë, qytetarë kanë mbledhur informacione dhe të dhëna për kufirin dhe raportet shqiptare me malazezët e sidomos, në pjesën e parë të shek. XX. Janë rrëfime të dëshmitarëve të gjallë për kufirin dhe ngjarjet tragjike që kanë ndodhur më herët. Autori citon edhe veprën e Osman Shalës, nga fshati Drelaj i Rugovës, “Aromë bjeshke”, Pejë 2022.
Fatmirësisht, vija kufitare ndërmjet Republikës Socialiste të Serbisë dhe Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës kanë qenë të matura në terren dhe të paraqitura me gjeoinformacion në hartë – gjithnjë, të bazuara në Kushtetutë, ligje dhe standarde të njëjta. Autori i lë fletë të tëra demarkimit të gjashtë pikave kufitare në kufirin Kosovë-Serbi (në vendkalime të caktuara kufitare): Bërnjak, Jarinjë, Merdarë, Mutivodë, Dheu i Bardhë, Muçibabë. Jepen përshkrime të hollësishme. Për këdo që do ta bëjë veten sikur të jetë në ato vise.
Në pikëpamje juridike-teknike, si vetë dokumentet na duken trajtimet e profesorit me analizat krahasuese me hartat kadastrore për territoret ndërmjet Kosovës e Maqedonisë së Veriut, Kosovës e Malit të Zi, Kosovës e Serbisë dhe vendosjes së kufirit me to. Përshkruar me detaje.
Me Shqipërinë amë vendosja e kufirit ka qenë e lehtë. Autori jep arsyet. Një ndër arsyet është edhe kjo: Kufiri shtetëror Shqipëri – Mbretëri Serbo-Kroate-Sllovene është vendosur gjatë viteve 1922-1925 dhe është konfirmuar në Protokollin e Firences, të datës 25 korrik 1926. Por në punë të kufirit Kosovë-Shqipëri, profesori bën me të drejtë një koment kritik: Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë ende nuk i kanë ndryshuar shkrimet në piramidat kufitare ndërmjet dy shteteve. Dhe: Kufiri ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë ruan ende (viti 2024) shenjat me mbishkrim nga RSFJ – periudha para vitit 1999.
Në libër dokumentohen hollësisht bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë (2011-2015) në Bruksel për kufirin etj. brenda marrëveshjeve teknike. Në Bruksel janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje, – thotë autori, – por shumica nuk janë zbatuar. Sigurisht, nga pala serbe. Synimi i marrëveshjeve teknike në Bruksel ka qenë, – thotë ndër të tjera autori, – menaxhimi i integruar i kufirit Kosovë-Serbi, bashkëpunimi rajonal, kthimi i dokumentacionit kadastror dhe i dokumentacionit të gjendjes civile, të plaçkitur nga Serbia gjatë luftës 1998-1999, si edhe njohja e ndërsjellë e diplomave universitare. Pala serbe, – thotë autori, – (autori ka qenë pjesë e ekipit diplomatik dhe profesionist, kryesuar nga zonja Edita Tahiri, zëvendëskryeministre / më pas ministre), në asnjë mënyrë e me asnjë dokument nuk arriti ta kundërshtonte vijën kufitare, por kundërshtonte emërtimin e saj (e quante vijë administrative), kurse pala kosovare e quante me të drejtë me emrin e saj të vërtetë: kufi.
Në Bruksel u konfirmua kufiri ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si dy shtete fqinje. U rivërtetësua dhe u zyrtarizua ish-kufiri ndërmjet Krahinës Autonome të Kosovës dhe Republikës së Serbisë (brenda ish-Jugosllavisë) – të transformuar tashmë në kufij shtetesh. Dhe sot ekziston për këtë dokumentacioni juridik, administrativ, teknik e kadastror. Praktika, – thotë autori, – vjen nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar, më 29 qershor 2017, për zgjidhjen e kundërshtimeve Slloveni-Kroaci.
Një syth interesant është ai me titull: Konventa dhe teori për kufirin shtetëror. Ka disa: Në libër ka edhe modele zgjidhjesh për probleme ndërkufitare; p.sh., Kosta Rika-Panama; Kinë-Nepal; Eritre-Etiopi; Burkina Faso-Mali etj. Koncepti Uti Possidetis (ardhur nga e Drejta Romake) i shmang problemet territoriale kufitare. Sythi është për çdo shtetar, studiues, politikan, jurist, ekonomist, topograf, gjeodezist, gjeograf, hartograf, student etj.
Në libër gjithçka është e qartë e konkrete. Dhe mbushamendëse. Jo vetëm me mënyrën e të thënit, shtjellimet e interpretimet, hartat e citimet, por edhe me pasqyrat e të dhënave ligjore dhe teknike kadastrore. Shih, p.sh., pasqyrat për gjatësinë e kufirit të Republikës së Kosovës me 4 shtetet fqinje. Janë hulumtime të vetë autorit gjatë punës së tij në Komisionin Shtetëror për Kufijtë (2008-2017). Gjatësia e kufirit Kosovë-Shqipëri është 113.63 km. Një pasqyrë tjetër (7/4) paraqet gjatësinë e vijës së përbashkët kufitare të çdo zone kadastrore të Kosovës me shtetin fqinj. Vjetarët statistikorë janë një tjetër konkretizim i vyer në libër.
Ka ende shumë për të thënë për studimin e prof. Mehës. Por, si më në fund, duam të përveçojmë një korrigjim të autorit: Periudha 2000-2024 përfshin sipërfaqen e Kosovës sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Dhe autori na vërteton se sipërfaqja e Kosovës është 10 908 km2 dhe jo 10 887 km2. Është korrigjim edhe për librat shkollorë të gjeografisë. Dhe kjo e dhënë dhe të dhëna të tjera vijnë nga matjet gjeodezike në terren të pikave në vijën kufitare dhe në hartë me metoda dhe instrumente gjeodezike.
Libri, – siç thotë autori, në Parathënien e tij, është edhe për lexuesit profesionistë, edhe për lexuesit publikë. Dhe atëherë, libri është edhe për të më të diturit, edhe për më pak të diturit. Është për të gjithë ata që duan të dinë më shuamë për kufijtë e Republikës së Kosovës dhe duan ta njohin me pëllëmbë truallin shtetëror dhe kufirin shtetëror, mbi të cilin është shpallur Pavarësia e Kosovës.
Dhe në përmbyllje, dua të përmend vlerën që ka librin në punë të pasurimit të leksikut e të terminologjisë së kësaj fushe dhe të fushave të tjera, që lidhen me të (tipi gjeodet, gjeohapësinor, gjeoinformacion, zonë kadastrore, brez kufitar, vendkalim kufitar, shikueshmëri, hartë tematike, pikë poligonale, rilevim gjeodezik, uti possidetis etj.) Në një rishtypje a ribotim, libri mund të ketë edhe një si fjalorth me shpjegime për të tilla fjalë e terma.
Jam i kënaqur me vlerësimin e prof. dr. Hajri Shehu, Tiranë të librit “KUFIRI I SHTETIT TË KOSOVËS” Studim dhe dokumente, të botuar në gazetën shumë të respektuar dhe me reputacion të lartë për lexuesin.
Libri i dedikohet, lexuesit profesionistë, edhe për lexuesit publikë. Njëherësh libri është edhe për të më të diturit, edhe për më pak të diturit. Është për të gjithë ata që duan të dinë më shuamë për studimin e dokumenteve relevant për kufijtë e Republikës së Kosovës dhe duan ta njohin me pëllëmbë truallin shtetëror dhe kufirin shtetëror, mbi të cilin është shpallur Pavarësia e Kosovës.
Falënderojë secilin lexues që ofron komente e propozime të vlefshme për botimin e radhës të këtij libri.
Respekt
Prof..dr. Murat Meha
mmeha10.2023@gmail.com
Jam i kënaqur me vlerësimin e prof. dr. Hajri Shehu, Tiranë
të librit “KUFIRI I SHTETIT TË KOSOVËS” Studim dhe dokumente, të botuar
në gazetën shumë të respektuar dhe me reputacion të lartë për lexuesin. Libri i
dedikohet, lexuesit profesionistë, edhe për lexuesit publikë. Njëherësh libri
është edhe për më të diturit, edhe për më pak të diturit. Është për të gjithë ata që
duan të dinë më shuamë për studimin e dokumenteve relevant për kufijtë
e Republikës së Kosovës dhe duan ta njohin me pëllëmbë truallin shtetëror
dhe kufirin shtetëror, mbi të cilin është shpallur Pavarësia e Kosovës.
Falënderojë secilin lexues që ofron komente e propozime të vlefshme
për botimin e radhës të këtij libri.
Respekt
Prof..dr. Murat Meha
mmeha10.2023@gmail.com