Prof. Dr. Mustafa Mahmud – mendje e ndritur e botës arabe dhe mbarë botës islame

(Me rastin e 16 vjetorit të largimit nga kjo botë)

 

Prof. Dr. Beqir Ismaili

Sot 16 vjet u largua nga kjo botë Prof. Dr. Mustafa Mahmud (27 dhjetor 1921 – 31 tetor 2009), njëri prej mendimtarëve më me ndikim në botën arabe dhe në gjithë botën islame të shekullit XX. Ai e përfaqëson modelin e intelektualit shumëdisiplinar dhe ndërdisiplinar që arriti të ndërthurë në mënyrë koherente shkencën me besimin, filozofinë me letërsinë dhe mendimin me praktikën shoqërore.

Prof. Dr. Mustafa Mahmud nuk ishte një mendimtar tradicional, por model i intelektualit të gjithanshëm. Rrugëtimi i tij e përfaqëson një transformim dramatik nga dyshimi filozofik, të cilin e shprehu në librat e tij të hershëm, deri në besimin e palëkundur, të bazuar në ide racionale dhe në argumente shkencore. Ky transformim nuk ishte një kapërcim i pajustifikuar. Ishte rezultat i një gjykimi të fortë racional, të cilin e shpalosi në programin e tij televiziv “Shkenca dhe Besimi”.

Dr. Mahmud konsiderohet njëri nga pionierët më të shquar të “Iluminizmit Islamik” bashkëkohor. Ligjërimi i tij nuk i drejtohej vetëm elitës. Falë stilit të tij të thjeshtë por të thellë, idetë e tij u shtrinë te shtresat e gjera të publikut.

Rrugëtimi i tij intelektual, nga faza e dyshimit racional e deri te besimi i argumentuar shkencërisht, u mishërua në gjithë veprën e tij. Kontributi i tij vlerësohet në disa dimensione:

  • ndikimin në reformimin e mendimit islam dhe parandalimin e devijimeve ideologjike;
  • promovimin e kulturës shkencore të qasshme për publikun e gjerë;
  • pasurimin e letërsisë arabe me vepra që trajtojnë çështje ekzistenciale dhe shoqërore;
  • shprehjen e qëndrimeve politike, në mbështetje të kauzave të drejta, përfshirë ato të Bosnjës e Hercegovinë dhe të Kosovës.

Dr. Mahmud është figurë e rëndësishme e dijes dhe kulturës që i bashkoi në një bosht të vetëm mendjen dhe zemrën. Ai pati ndikim të gjerë dhe të thellë jo vetëm në rrethet intelektuale të botës arabe, por në gjithë botën islame.

Dr. Mahmud e përfaqëson promovuesin e dialogut mes botës arabe dhe botës islame në përgjithësi me Perëndimin. Ai arriti të zbulojë kontradiktat mes botës islame dhe botës perëndimore dhe të paraqesë vizionin e tij për kundërthëniet e tyre nga perspektiva islame.

Në vitet ’90, çështja e muslimanëve në Ballkan ishte çështje qendrore e ligjëratës së tij. Agresionin në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë i konsideronte si zgjatim të politikave koloniale ndaj botës islame.

Trashëgimia intelektuale e Dr. Mustafa Mahmud është vlerë e gjithëkohshme. Në historinë e botës arabe, figura e tij do të jetë model i intelektualit që ka hise të madhe në formësimin e vetëdijes nacionale, në planin intelektual, shkencor e letrar, si edhe në planin social dhe politik. Mesazhi i tij qendror është se besimi nuk qëndron në kundërshti me arsyen dhe se shkenca e vërtetë çon tek Zoti.

Ai paralajmëroi sfida serioze për botën arabe dhe për botën islame në përgjithësi, që nga shtrembërimi i imazhit të Islamit dhe përpjekjet për çmontimin e botës arabe e botës islame e deri te sulmi ndaj ideve materialiste. Kjo e bën mendimin e Dr. Mahmud aktual në çdo kohë kundërthëniesh e përplasjesh midis sferave të interesit, madje edhe midis ideologjive.

Dr. Mustafa Mahmud konsiderohet një nga mendjet më të ndritura arabe që i bashkoi shkencën, letërsinë dhe filozofinë. Prandaj, vepra e tij multidisiplinare konsiderohet si vlerë univerzale, e tejkohshme, jo vetëm për botën arabe dhe botën muslimane, por për mbarë botën e civilizuar.

Ai i la trashëgimi mbi 90 botime letrare – romane, tregime dhe drama. Letërsia ishte një mjet tjetër për shprehjen e ideve të tij filozofike dhe sociale. Në romanet e tij “Merimanga” dhe “Njeriu Nën Zero” ai e shpreh preokupimin e tij me çështjen e ekzistencës dhe me botën psikologjike e sociale të njeriut.

Raportet e mia me Prof. Dr. Mustafa Mahmud i kapërcejnë kufijtë e admirimit të kapacitetit të tij intelektual. Ato arrijnë në një miqësi personale dhe në një bashkëpunim shumë të frytshëm.

Emri i Dr. Mustafa Mahmud nuk ishte i panjohur në Shqipëri dhe në Kosovë. Për figurën e tij kisha dëgjuar para se të shkoja në Egjipt, nga disa mendimtarë të shquar në Kosovë, disa prej të cilëve i kishin përkthyer në gjuhën shqipe disa nga librat e tij. Kjo do të thotë se universaliteti dhe mesazhi i veprës së tij i kishte thyer barrierat gjuhësore dhe kulturore shumë kohë më parë.

Me të mbërritur në Kairo, i bëra një vizitë në shtëpinë e tij dhe menjëherë e kuptova se ai ishte një personalitet shumë më i madh se sa e kisha imagjinuar. Ky takim me një dijetar e mendimtar kaq të madh, i cili ishte një njeri jashtëzakonisht i përulur dhe mikpritës, nuk ishte thjesht një takim rasti, por një takim që u kthye në një miqësi të përhershme. E konsideroj privilegj të jashtëzakonshëm njohjen dhe miqësinë me një mendje aq të ndritur që pati ndikim të madh te elitat intelektuale të gjithë botës islame.

E konsideroj privilegj gjithashtu faktin që me kalimin e kohës u bëra si një urë lidhëse midis Dr. Mahmud dhe Ballkanit. Në takimet tona pothuaj gjithmonë diskutonim për tema të ndryshme të kohës, veçanërisht për çështjen e Bosnjës e Hercegovinës dhe për çështjen e Kosovës. Pikëpamjet dhe qëndrimet e tij lidhur me konfliktet dhe me zhvillimet në Ballkan i kam publikuar në gazetat dhe revistat er kohës në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni të Veriut. Qëndrimi i tij për çështjet shqiptare nuk ishte thjeshtë një deklarim publik. Ai ishte një qëndrim objektiv, i bazuar mbi fakte të padiskutueshme dhe mbi argumente të pakontestueshme, i përshkuar me ndjenja të thella humanizmi e solidariteti.

 

Prishtinë, 31 tetor 2025

Prof. Dr. Mustafa Mahmud dhe Prof. Dr. Beqir Ismaili, gjatë një takimi në Kairo

(Prof. Dr. Beqir Ismaili ka jetuar e vepruar në Egjipt mbi tri dekada. Ai është njohës i shkëlqyeshëm i botës arabe. Prej vitit 2013 deri në vitin 2016 ka qenë Ambasador i Republikës së Kosovës në Egjipt.

Si intelektual dhe pastaj si diplomat ka dhënë kontribut shumë të madh në afirmimin e çështjes shqiptare, veçanërisht të çështjes së Kosovës, në botën arabe. Ka bërë një punë të jashtëzakonshme edhe për njohjen e letërsisë e të kulturës shqiptare në botën arabe dhe anasjelltas)