Prof. Sami Repishti, një figurë themelore e komunitetit shqiptar në Amerikë

U mbijetoi burgjeve komuniste në Shqipëri dhe Jugosllavi, mbeti deri në fund të jetës një luftëtar për liri e demokraci

Sami Repishti ishte një figurë e jashtëzakonshme e komunitetit shqiptar në SHBA.

Që nga dëshmia e tij e parë në Kongresin Amerikan në vitin 1965, për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme, e deri në seancat dëgjimore të periudhës së lobimit modern ai ka qenë një urë bashkuese e punës së disa breza veprimtarësh politikë e patriotikë në SHBA.

Si e përshkruan Vehbi Bajrami në librin e tij “Shqipëtar e Amerikës”: “Prof. Repishti është bashkëthemelues i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe drejtor ekzekutiv i saj (1989-1992); themelues dhe President i “Kosova Relief Fund” (1978-2001), bashkëthemelues i “American Friends of Albania” dhe Sekretar i saj (1992-1996) dhe bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) dhe President i tij (1996-1998). Ai është gjithashtu anëtar i bordeve drejtuese të disa organizatave të tjera shqiptaro-amerikane.”

Sami Repishti u lind në Shkodër në vitin 1925 dhe do të festonte 100-vjetorin në maj të vitit të ardhshëm.

U burgos dy herë, nga regjimi komunist në Shqipëri dhe nga ai titist në Jugosllavi, pas arratisjes nga Shqipëria. Si shumë shqiptarë të tjerë mërgoi në Shtetet e Bashkuara, ku menjëherë u bë pjesë e organizatave patriotike e antikomuniste në Amerikë.

Ishte bashkëpunëtor i përhershëm dhe lexues i kujdesshëm i gazetës sonë “Illyria” që nga themelimi i saj e deri në ditët e fundit të jetës së tij. Do të na mungojnë komentet dhe sugjerimet, këshillat dhe përgëzimet e tij.

“Prof. Sami Repishti ka qenë figurë themelore në komunitetin tonë”, tha me rastin e vdekjes së tij, botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami. “Bashkëpunëtor i ngushtë që e ka pasuruar gazetën Illyria. Kur u themelua Liga Qytetare e Joe DioGuardit, Sami Repishti ishte forca intelektuale e saj. Kur u themelua NAAC, Repishti ishte figura bashkuese dhe garantuese. Mik i ngushtë i Ibrahim Rugovës. Nuk besoj se ka në Amerikë njerëz me aq gjatësi të madhe kohore të punës për pavarësinë e Kosovës”.  

Vehbi Bajrami ka qenë një nga gazetarët e parë të cilëve Prof. Sami Repishti u ka treguar jetën e tij në një intervistë që do të ribotohet së shpejti në gazetën tonë dhe që është e përfshirë në librin e njohur voluminoz “Shqiptarët e Amerikës”.

Prof. Repishti mbeti deri në fund, mbi të gjitha, një veprimtar për të drejtat e njeriut kudo në botë. Një zë i rrallë moral dhe i përgjegjshëm më vitet e vështira të tranzicionit demokratik në Shqipëri dhe një luftëtar i vendosur për të drejtat e shqiptarëve kudo që jetonin në trojet e tyre në Ballkan.

“…historia jonë kombëtare do ta kujtojë Profesor Sami Repishtin me nderimet më të larta”, u shpreh në deklaratën e tij me këtë rast, Ambasadori Blerim Reka, Shef i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York.

Ai përmendi kontributin e Repishtit për Kosovën nga dëshmia në vitin 1965 në Kongresin Amerikan, te konferencën ndërkombëtare për Kosovën në Nju Jork (1982) me Prof. Arshi Pipën e deri te një komunikim nga më të fundit me vetë atë për pamundësinë për të marrë pjesë në festimin 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.  

“Ju deshiroj me gjithe zemer nji festim te kandshem dhe kuptimplote, si ju ashtu edhe bashkepunetorve tuej,e te gjithe popullit vella kosovar. Rrofte Kosova e Lire, e Pavarun, Demokratike, e Bashkueme dhe Europiane. Sinqerisht i jueji Sami Repishti, PhD.”, citon ai fjalët e profesorit.

“E ne do ta nderojmë përjetësisht. Lamtumirë shqiptarit të madh, profesor Sami Repishti! Lavdi veprës së tij kolosale kombëtare!”, mbyll mesazhin e tij Ambasadori Reka. (Illyria)

 

 

Comment

*