Profesionet e deputetëve, dominojnë ekonomistët dhe juristët

Këtë të premte nis punimet legjislatura e 10-të e Kuvendit të Shqipërisë.

 

Të 140 deputetët që do të formojnë Parlamentin e ri janë të ndarë sipas përkatësive politike në këtë mënyrë, 74 PS, 59 PD, 4 LSI dhe 3 PSD.

Nga një vëzhgim bërë CV-ve të 140 deputetëve, vihet re se dominojnë dy lloje profesionesh; ekonomistë dhe juristë.

Janë 36 deputetë ekonomistë dhe 31 deputetë juristë, duke iu përshtatur kështu fushave kryesore ku pritet të zhvillohet beteja parlamentare, ligjet dhe ekonomia.

Në kohë pandemie, të dyja partitë e mëdha nuk kanë preferuar që të çojnë në Parlament një numër të lartë profesionistësh nga fusha e shëndetësisë, të dyja kanë nga 5 deputetë mjekë.

Një numër i lartë deputetësh që kanë përfunduar për mësuesi vihet re në radhët e Partisë Socialiste që ka 8 deputetë me profesion mësues, nofton euronews.albania.

Po ashtu edhe inxhinierët në Parlament janë në numër të konsiderueshëm, me PS që ka 8 deputetë inxhinierë dhe PD që ka 6 të tillë.

Përtej këtyre profesioneve që janë më të shpeshta, në parlamentin e ri nuk do të mungojnë as artistët, ushtarakët, veterinerët, gazetarët, apo edhe policët.

Në Parlament do të ketë edhe studentë, siç është rasti i deputetes së PD, Andia Ulliri, e cila ka përfunduar studimet në nivelin bachelor dhe pret që të vijojë masterin.

Edhe në radhët e LSI dhe PSD deputetët juristë e ekonomistë janë më të shumtë.

Ekonomi-PS 23; PD 12

Juridik-PS 14; PD 14

Mjekësi-PS 5; PD 5

Mësuesi-PS 8; PD  3

Inxhinieri- PS 8; PD 6