Programi “HybridLab” synon të luftojë keqinformimin dhe dezinformimin në Kosovë

Prishtinë, 4 qershor 2024 – Në Prishtinë të martën u hap programi ‘HybridLAB” përmes të cilit synohet lufta kundër keqinformimit dhe dezinformimit në Kosovë. Programi i mbështetur nga ambasada amerikane në Prishtinë, synon të edukojë gjeneratat e reja të gazetarëve dhe punonjësit e sektorit të teknologjisë për zbulimin e informatave të rreme përmes teknologjisë.

Nora Osmani studente në departamentin e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës së bashku me kolegë ka krijuar një aplikacion për siç thotë integrimin e një gjuhe të pastër në mediat online.

“Por gjithmonë duke i larguar fjalët jo të rregullta në media, kryesisht është i lidhur edhe me Kodin e Etikës ku kemi menduar që të bëjmë një lidhje ku portale të cilat praktikojnë më shumë shkelje të Kodit të Etikës të rangohen më poshtë në listën e aplikacionit”, tha ajo.

Catherine Judd nga ambasada amerikane tha se ky program do të luajë rol të rëndësishëm në përmirësimin e luftës kundër dezinformatave.

“Pra qëllimi ynë për këtë laborator është që mendjet e reja nga gazetaria, sektori i teknologjisë dhe sektorë të tjerë të identifikojnë problemet dhe të parandalojnë përhapjen e informacionit të rremë”, tha ajo.

Ekspertët thonë se rreziku më i madh për Kosovën dhe Ballkanin nga dezinformimi është nxitja e përçarjes në shoqëri.

Xhemail Avdyli menaxher i programit tha për Zërin e Amerikës se Kosova përballet me dezinformata të ndryshme që vijnë nga shtetet mosnjohëse.

“Sigurisht që nga fillimi Kosova është e rrezikuar nga dezinformimi që vjen nga shteti serb që nuk e njen ende Republikën e Kosovës dhe aty e kanë qëllimin kryesorë. Ata pastaj janë të kombinuara me ato ruse të cilat shkojnë pothuajse në nivele të njëjta por ne kemi identifiku edhe disa shtrirje të vogla ndoshta të narrativave kineze që mund të arrijnë edhe këtu por sigurisht janë në forma të ndryshme dhe në shtrirje më të vogël aktualisht”, tha ai.

Zoti Avdyli thotë se Serbia dhe Rusia zhvillojnë të njejtën propagandë kundrejt Kosovës.

“Kemi dezinformata të cilat kryesisht sa i përket aspektit të sigurisë dhe politikës që vijnë nga fqinji jonë verior Serbia të cilët si target e kanë edhe komunitetin serb, pra ata fillimisht e kanë shpërndarjen aty që të krijojnë mosbesim dhe kundërshtim me organet shtetërore. Ky është problemi më i madh nga ky aspekt”, tha ai.

Organizatat që merren me luftimin e dezinformatave thonë se kjo dukuri është e përhapur në Kosovë ndërsa bëjnë thirrje që edukimi medial të përfshihet si lëndë në shkolla në mënyrë që gjeneratat e reja të mësojnë t’i dallojnë lajmet e rreme.

Rritja e dezinformatave në rajon bëri që në fund të muajit maj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të themelojnë një mekanizëm të përbashkët bashkërendues për Ballkanin Perëndimor, i cili do të përqendrohet tek lufta kundër manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve, përfshirë dezinformimin dhe propagandën që vjen nga Rusia dhe Kina.

(Zëri i Amerikës)