Avokati Kieran Both
Besojeni ose jo – Presidenti Trump do të japë “Karta të Arta” nëse i bëni një dhuratë Shteteve të Bashkuara! Më 19 shtator 2025, Presidenti Trump lëshoi Urdhrin Ekzekutiv 14351, “The Gold Card”, dhe u ka dhënë direktivë Departamentit të Tregtisë, Departamentit të Shtetit dhe atij të Sigurisë Kombëtare që të krijojnë një proces të përshpejtuar për viza emigruese, i cili do t’ua bëjë më të lehtë hyrjen atyre shtetasve të huaj që do t’i bëjnë vullnetarisht një dhuratë financiare pa kufizime qeverisë së SHBA-së përmes Departamentit të Tregtisë. Qeveria do ta depozitojë dhuratën në një llogari të veçantë në Departamentin e Thesarit për ta përdorur për promovimin e tregtisë dhe industrisë amerikane.
Bazuar në postimet në rrjetet sociale të publikuara nga Departamenti i Tregtisë, administrata pret të nxjerrë 100 miliardë dollarë nga programi “Gold Card”, shumë që do të përdoret për të ndihmuar në uljen e taksave dhe zvogëlimin e borxhit për qytetarët amerikanë.
Shumat e dhuratave për “Gold Card” do të jenë: 1 milion dollarë (USD) për një individ që dhuron në emër të vet, ose 2 milionë dollarë (USD) për një korporatë që dhuron në emër të një individi. Sipas Urdhrit ekzekutiv Departamenti i Tregtisë, Departamenti i Shtetit dhe ai i Sigurisë Kombëtare duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të vënë në jetë programin “The Gold Card” brenda 90 ditëve nga data e lëshimit të urdhrit ekzekutiv (dmth deri më 19 dhjetor 2025).
Synimi ynë është t’u ofrojmë lexuesve sa më shumë nga informacioni që kemi si dhe të përditësojmë udhëzimet sapo të shpallen detaje më zyrtare.
Pikat kryesore:
Autoriteti ligjor/Kategoria e vizave emigruese: “Gold Card” nuk është një kategori e re vize emigrimi (IV). Dhurata do të trajtohet si dëshmi e përshtatshmërisë së aplikantit në kuadër të kategorive EB-1 për biznes ose EB-2 NIW (rast përjashtimi për hir të interesit kombëtar), gjë që na çon të besojmë se kërkesat për paraqitje provash janë zgjeruar në mënyrë që të përfshijnë edhe kontributin financiar. Aktualisht nuk ka gjuhë rregullatore që e mbështet këtë. “Gold Card” do të përdorë numra vizash nga kategoritë EB-1 dhe EB-2, gjë që ka gjasa të ndikojë negativisht në disponueshmërinë e këtyre vizave. Programi “Gold Card” u jep përparësi hyrjes në SHBA të “sipërmarrësve, investitorëve dhe biznesmenëve e grave të suksesshme”. Presidenti Trump ka udhëzuar agjencitë qeveritare ta zgjerojnë programin në fjalë që të përfshihen dhe aplikantët për viza EB-5.
Zbatimi/Detajet: Detajet operative, përfshirë mekanizmin e aplikimit, tarifat dhe datën e fillimit, ende nuk janë publikuar; megjithatë, aplikantët për “kartën e artë” do të vazhdojnë t’i nënshtrohen verifikimit të të kaluarës penale dhe kontrolleve të sigurisë si të gjithë emigrantët e tjerë .
Portali: Për momentin, aplikantëve u kërkohet të shprehin interesin e tyre duke u regjistruar për njoftime mbi procedurat e aplikimit në këtë faqe interneti: https://trumpcard.gov/ Ende nuk kemi informacion se si do të trajtohet kjo e dhënë. Procesi i aplikimit do të përfshijë ndërveprimin me tre (3) agjensi: Pranimi i dhuratës prej 1 milion ose 2 milion dollarësh nga Departamenti i Tregtisë; Procesimi konsullor i aplikimeve për viza emigruese nga Departamenti i Shtetit; dhe/ose Rregullimi i statusit përmes aplikimeve të dorëzuara pranë DHS/USCIS-it.
Aplikimi: Formularët e rinj të peticioneve “Gold Card” ende nuk janë bërë publikë, kështu që procesi i saktë do të përcaktohet më vonë.
Kostoja: Përveç dhuratës vetë, do të ketë tarifa shtesë për procesimin e aplikimit. Urdhri ekzekutiv i udhëzon agjensitë të vendosin tarifa administrative për të mbuluar kostot e procesimit të përshpejtuar, si dhe tarifat e “mirëmbajtjes” dhe të “transferimit” për korporatat që sponsorizojnë individë nën këtë program. Kur korporatat bëjnë një kontribut prej 2 milion dollarësh, atyre do t’u lejohet ta transferojnë kontributin nga një punonjës te një tjetër pa qenë nevoja të paguajnë një tarifë të re. Faqja e internetit e “Gold Card” përmend gjithashtu një listë pritjeje për “Trump Platinum Card”, e cila thotë se për një dhuratë prej 5 milionë dollarësh, “[shtetasit e huaj] do të kenë mundësinë të qëndrojnë deri në 270 ditë në Shtetet e Bashkuara pa iu nënshtruar taksave amerikane për të ardhurat jashtë SHBA-së.”
Derisa të publikohen detaje dhe udhëzime zyrtare mbi zbatimin, lexuesit tanë duhet të jenë të kujdesshëm ndaj faqeve joqeveritare që reklamojnë se mund të futen në faqet “Gold” ose “Platinum Card”. Përdorni vetëm faqe që përfundojnë me “.gov” për çdo informacion në lidhje me këtë program të ri të kartës së gjelbër.
Informacione të sakta mund të gjenden gjithashtu në faqen zyrtare të “Trump Gold Card”: https://trumpcard.gov/

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com