Prokuroria: Blerja e heshtjes nga Trumpi ishte “mashtrim i pastër zgjedhor”

Nju Jork, 22 prill 2024 – Prokuroria në rastin gjyqësor ndaj Donald Trumpit, për kryerjen e një pagese në këmbim të heshtjes, e ka akuzuar ish-presidentin amerikan për komplot kriminal, me qëllim të fshehjes së një skandali seksual, para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

“Ka qenë mashtrim zgjedhor, i thjeshtë dhe i pastër”, ka thënë një prokuror para jurisë gjatë deklaratave hyrëse të hënën, në një gjykim historik në Nju Jork.

Duke nisur procesin e mbrojtjes, një avokat i Trumpit ka thënë se klienti i tij nuk ka kryer krime dhe se nuk është ilegale që të tentohet të ndikohet në zgjedhje.

“Ai është i veshur me pafajësi”, ka thënë avokati.

Trump akuzohet se ka tentuar që, përmes një pagese prej 130.000 dollarëve amerikanë ndaj yllit të pornografisë Stormy Daniels, të blejë heshtjen e saj para garës për të fituar udhëheqësinë në Shtëpinë e Bardhë, më 2016.

Ai është deklaruar i pafajshëm në 34 pikat e akuzës për falsifikim të dokumenteve dhe e ka mohuar se ka pasur marrëdhënie seksuale me Danielsin.

Sipas prokurorëve, fshehja e këtij rasti duhet të konsiderohet ndërhyrje në zgjedhje, çka përbën krim, sipas Kushtetutës amerikane, derisa falsifikimi i dokumenteve biznesore hyn në listën e krimeve të rënda.

Ekspertë ligjorë besojnë se ky është rasti që mund ta përballë Trumpin me më së paku pasoja.

Edhe nëse shpallet fajtor, atij nuk do t’i ndalohet të marrë pjesë në garën për president, në nëntor të këtij viti, por do të mund të dëmtohet fushata e tij.

Rastet tjera gjyqësore lidhen me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat i ka kontestuar Trump, dhe të cilat i ka fituar presidenti aktual, Joe Biden.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*