Pas kallëzimit të një shtetaseje për një hua të pakthyer prej 2.2 milionë eurosh, Prokuroria e Tiranës akuzon drejtuesit e pesë kompanive të lidhura me Tibo për veprat penale të mashtrimit, evazionit dhe pastrimit të parave, por përfaqësuesi i kompanive pretendon se çështja është instrumentalizuar me akuza të pabaza nga konkurrenca në treg.
Prokuroria e Tiranës njoftoi të premten se kishte përfunduar hetimet ndaj pesë kompanive me veprimtari kryesisht në ofrimin e paketave televizive me përmbajtje të pasur sportive, si dhe ndaj gjashtë individëve të tjerë, të akuzuar për mashtrimin e një shtetaseje përmes një huaje të pakthyer prej 2.2 milionë eurosh.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Tiranës, të pandehurit akuzohen për pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe mospagim të taksave dhe tatimeve. Çështja penale ndaj të hetuarve është dërguar për gjykim.
Sipas prokurorisë, hetimi ka filluar në vitin 2023, bazuar në kallëzimin e shtetases me inicialet M.H., e cila ka pretenduar se administratori dhe ortaku i kompanive TIBO, Adnand Mahmuti i kishte kërkuar një hua prej 2.2 milionë eurosh, që ajo e kishte përfituar nga shitja e një pasurie të paluajtshme. Sipas kallëzueses, Mahmuti i ka thënë se qëllimi i huasë ishte investimi i kësaj vlere në biznes.
Mahmuti është aksioner i kompanive Magoware shpk, Tibo, Tibo-Al, Tibo Communication dhe Oversport. Sipas kontratës, ai do ta përdorte huanë prej 2.2 milionë eurosh për projektin e një rrjeti transmetimesh të eventeve sportive të serisë A, por akuzohet se ka përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit për të mos e kthyer këtë shumë.
Nga hetimi ka rezultuar se në realizimin e mashtrimit kanë marrë pjesë edhe pesë administratorë të tjerë të këtyre kompanive, duke penguar kthimin e shumës së përfituar në mënyrë të kundërligjshme. “Ato kanë vepruar me dijeni të plotë për natyrën mashtruese të veprimeve të kryera,” vlerëson prokuroria.
Administratori dhe ortaku i rrjetit Tibo, Adnand Mahmuti i kundërshtoi si të pabazuara akuzat e prokurorisë në një komunikim telefonik me BIRN, ndërsa këmbënguli se nuk ka asnjë mashtrim. Ai theksoi gjithashtu se marrëdhënia e huasë ka qenë e bazuar në kontratë civile të rregullt, detyrimet e së cilës ai thotë se i ka zbatuar.
“Shtetasi Adnand Mahmuti nuk ka mashtruar dhe nuk ka shpërdoruar në asnjë moment pozicionin e tij si garantor. Në këto kushte, kualifikimi i kësaj çështjeje si penale, kur bëhet fjalë për një marrëdhënie kontraktore civile, përbën një gabim të rëndë juridik dhe procedural,” pretendoi ai përmes një mesazhi në Whatsapp.
Përveç konfliktit për huanë, Prokuroria e Tiranës pretendon se pesë kompanitë dhe gjashtë administratorët e tyre kanë fshehur të ardhurat dhe nuk kanë paguar taksat dhe tatimet përkatëse, pasi nga ekspertimi kontabël ka rezultuar se gjatë vitit 2022, shoqëria “TIBO” sh.p.k. ka paraqitur një rritje të konsiderueshme të detyrimeve afatshkurtra në zërin “të tjera të pagueshme”, që nuk mbështetet në burime të ligjshme dhe nuk është shoqëruar me dokumentacion financiar provues.
“Në këto rrethana, rezultoi se A.M., në cilësinë e administratorit të ‘TIBO’ sh.p.k., ka vepruar në kundërshtim të hapur me detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni tatimor dhe kontabël, duke mos reflektuar të ardhurat reale të subjektit dhe duke shmangur pagimin e tatimeve përkatëse dhe po kështu edhe personat e tjerë të përfshirë”, evidenton prokuroria.
Po ashtu, Prokuroria e akuzon kompaninë “TIBO” ka kryer transferime të shumta dhe të paarsyetuara ndërmjet shoqërive të grupit, përfshirë një huadhënie prej 383 milionë lekësh për kompaninë “Oversport”, pa faturim tatimor dhe pa pasqyrim në bilancet financiare. Për rrjedhojë, janë vendosur nën përgjegjësi edhe për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Edhe këto akuza të prokurorisë u kundërshtuan nga Mahmuti, i cili pretendoi se nuk ekziston asnjë element i evazionit fiskal apo pastrimit të parave, pasi burimi i fondeve është i ligjshëm dhe aktiviteti i shoqërisë TIBO është i regjistruar dhe i monitoruar sipas legjislacionit në fuqi. Ai pretendoi se çështja është instrumentalizuar në mënyrë të qëllimshme përmes presioneve mediatike dhe ndikimeve nga palë të treta, të lidhura me interesa konkurruese në treg.