Kërkesa e kryeministrit për një hetim administrativ ndaj prokurores Elsa Gjeli është cilësuar si presion nga organi i akuzës, i cili vuri në dukje se Policia e Shtetit, ashtu edhe IMT-ja nuk e kishin referuar rastin si ndërtim pa leje.
Kryeministri Edi Rama sulmoi të hënën prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, duke pretenduar se ajo kishte vendosur mosfillimin e një çështjeje penale ndaj një ndërtimi të pretenduar pa leje në fshatin Theth.
“Absurdi sapo ka filluar dhe unë po shkëpus vetëm një pjesë, sepse bëhet fjalë për një sërë çarçafësh që janë njëri më absurd se tjetri”, deklaroi Rama,në një ‘video-selfie’ në Facebook me tone melodramatike.
Duke mbajtur në duar një foto-kolazh të formatit ‘para faktit’ dhe ‘pas faktit’, Rama i referohej një serie kabinash pushimi të ndërtuara pranë kishës së fshatit në Theth, të cilat kreu i qeverisë tha se ishin vepër e një individi të “parritshëm nga krahu i ligjit.”
“Si është e mundur, që pasi inspektoriati përkatës dhe Policia e Shtetit konstatojnë një ndërhyrje brutale, mu në zemër të asaj mrekullie të maleve shqiptare, dhe e përcjellin rastin, Prokuroria nuk shpall në kërkim të menjëhershëm personin,” pyeti Rama.
Por qëndrimi i Ramës u kundërshtua menjëherë nga Prokuroria e Shkodrës, e cila në një reagim të rrallë për këto raste i doli në mbrojtje prokurores dhe vuri në dukje se ishin institucionet në varësi të qeverisë, Policia dhe Bashkia Shkodër, që e kishin referuar çështjen si kundërvajtje dhe jo si vepër penale.
“Vetë Policia, në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes është shprehur se kontenierët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qenë të vendosur mbi rrasa guri të prera,” deklaroi organi i akuzës.
“Vetë IMT, Bashkia Shkodër, në shkresën e saj drejtuar Policisë Gjyqësore, e ka klasifikuar faktin si kundërvajtje administrative, jo si vepër penale,” shkruhet në reagimin e Prokurorisë.
Prokuroria më tej la të kuptohej se komentet publike të Ramës perceptoheshin si presion dhe dëmtonin besimin e publikut te drejtësia.
“Çdo shqetësim institucional duhet të adresohet përmes rrugëve të përcaktuara ligjore, dhe jo përmes mesazheve politike publike që synojnë t’i imponohen sistemit të drejtësisë,” thuhet në reagim. Prokuroria thotë se shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë nëse prokurori frikësohet për çdo vendimmarrje të ligjshme.
Pas këtij reagimi, Rama bëri një postim të dytë në Facebook, në të cilin tregoi pamje të shtrimit me beton të një are para kishës në Theth. Kryeministri ironizoi Prokurorinë, ndërsa kërcënoi se Ministria e Drejtësisë do ta denonconte rastin në KLP.
Sulmi i përsëritur ndaj funksionarëve të drejtësisë vjen në një kohë kur Kryeministri është angazhuar në aksionin e përvitshëm, në mes të sezonit veror, kundër zaptimit, sipas tij, të hapësirave publike.
Aksione të ngjashme, të mbështetura nga Policia dhe eskavatorë, janë zhvilluar thuajse çdo vit, kryesisht në bregdet.
Megjithatë, këto masa nuk kanë ndaluar ndërtimet pa leje që, siç ka gjetur BIRN në investigime të mëparshme, shpërthejnë kryesisht gjatë fushatave zgjedhore, kur institucionet referuese mbyllin njërin sy.
Kryeministria nuk i është përgjigjur një kërkese për koment nga BIRN.