Prokuroria kërkon që ish-krerët e UÇK-së të shpallen fajtorë dhe të dënohen për të gjitha pikat e aktakuzës

Hagë, 10 shkurt 2026 – Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar sot deklaratën e saj përfundimtare në procesin gjyqësor në rastin “Thaçi dhe të tjerët”.

Në pjesën përmbyllëse të deklaratës përfundimtare, ZPS-ja i kërkoi Trupit Gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës që katër të akuzuarit – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të shpallen fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës dhe të dënohen.

“Kanë kaluar shumë vite dhe ata që kanë humbur pjesëtarë të familjeve të tyre kanë menduar se nuk do të ketë drejtësi, por shteti i së drejtës nënkupton se askush nuk është mbi të drejtën dhe ligjin. Kjo do të thotë se edhe njerëzit më të fuqishëm duhet të japin llogari. Ne, mbi bazën e provave të paraqitura, kërkojmë që të akuzuarit të japin llogari dhe të marrin dënimin e merituar”, ka thënë prokurorja Kimberly West.

Ajo ka thënë se provat e administruara gjatë procesit gjyqësor ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së vërtetojnë përgjegjësinë e tyre penale për krimet e përfshira në aktakuzë.

ZPS-ja ka thënë se të akuzuarit, si anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kanë pasur rol të fortë kolektiv.

“Në rolet që kishin, ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal, të koordinonin veprimet e tyre dhe të mohonin veprat penale në mënyrë që t’i gënjenin ndërkombëtarët”, ka thënë ZPS.

Për këto pretendime, ZPS u është referuar Komunikatës nr. 53 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të 18 shtatorit 1998, dhe deklaratave publike të anëtarëve të këtij shtabi.

ZPS i ka kontestuar dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes, duke vënë theksin sidomos te dëshmitarët ndërkombëtarë, veçanërisht te James Rubin e Wesley Clark. Sipas ZPS-së, ata janë mashtruar nga Thaçi.

“Ajo që nuk e kuptojnë James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet se si funksiononte UÇK-ja. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin asnjë interes për të kuptuar çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjon tashmë ky trup gjykues”, ka thënë ZPS-ja.

Të hënën, në fillim të deklaratës përfundimtare të saj, ZPS ka kërkuar që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim secili.

Pas përfundimit të deklaratës së ZPS-së, fjalën përfundimtare e paraqiti edhe Mbrojtësi i Viktimave, avokati Simon Laws, i përfaqëson interesat dhe kërkesat e viktimave të përfshira në këtë proces.

“Në Kosovë, në Serbi, në diasporë dhe në gjithë botën ka njerëz të cilët zgjohen sot me dhimbje në trupat e tyre dhe në mendje kanë keqardhje dhe humbje në mungesë të njerëzve që i kanë dashur më shumë. Ata janë viktima të krimeve të kryera nga ish-anëtarë të UÇK-së, më 1998-1999”, ka thënë ai.

Avokati Laws ka thënë se dëshiron që në vendimin e trupit gjykues për katërshen e UÇK-së të dëgjohet “zëri i viktimave”.

“Kjo aktakuzë nuk është përshkrim i thatë ligjor i akteve kriminale, por bëhet fjalë për vende, kohë kur njerëzit kanë pësuar dëme të mëdha, që kanë ndryshuar ata dhe familjet e tyre. Duke pranuar që ka ndodhur ky dëm, një trup gjykues është në gjendje të thotë se vuajtja e viktimave nuk është anashkaluar. Ajo që presim që të ndodhë është që viktimat të kenë zërin e tyre dhe që zëri i tyre të jetë dëgjuar”, ka thënë ai.

Ai ka paraqitur të dhëna për vrasjet, plagosjet dhe keqtrajtimet e viktimave, si edhe për pasojat psikologjike të të mbijetuarve.

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka theksuar se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime, por kjo nuk e bën UÇK-në organizatë kriminale”.

“Janë dy të vërteta. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë çlirimtare dhe pjesa dërmuese e luftëtarëve të saj e ka bërë këtë. Por, është e vërtetë edhe tjera, se pjesëtarë të UÇK-së mund të kenë kryer krime”, ka theksuar ai në përmbyllje të deklaratës përfundimtare.

Të mërkurën nis paraqitja e deklaratave përfundimtare të mbrojtësve të të akuzuarve. E para në radhë është fjala e mbrojtjes së Hashim Thaçit.

(r.m.)