Prishtinë, 1 dhjetor 2023 – Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar për arrestimin e dy të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademaj – Murseli.
Të arrestuarit janë: G.P. (Granit Plava), dorasi dhe N.M. (Naim Murseli), bashkëshorti i viktimës.
Prokuroria bëri të ditur se është sekuestruar edhe arma që dyshohet të jetë përdorur në rastin e vrasjes.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si ‘grabitje me pasoja të vrasjes’, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet më tutje në njoftim.
Burime brenda policisë kanë bërë të ditur se dy të arrestuarit janë intervistuar në stacionin policor në Gjakovë dhe janë transferuar në Prishtinë. Nuk janë dhënë hollësi lidhur me deklaratat fillestare të tyre.
Burime të “Betimi për Drejtësi” kanë bërë të ditur se dorasi ka pranuar para prokurores së rastit se ai është paguar nga Naim Murseli për vrasjen e gruas së tij. Sipas raportimeve të medies, ai ka thënë se nga Naim Murseli është paguar 30 mijë euro për kryerjen e vrasjes.
Dorasi dhe bashkëshorti i viktimës janë nga i njëjti fshat.
Liridona Ademaj – Murseli, rreth 30-vjeçare, u vra të mërkurën mbrëma, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht u tha se ajo u vra në veturën e saj, gjatë një grabitjeje të armatosur. Në momentin e “grabitjes”, në veturë gjendeshin edhe bashkëshorti dhe dy fëmijët e saj, por ata të tre kanë arritur të dalin nga vetura dhe të ikin nga vendi i ngjarjes.
(r.m.)