Prishtinë, 30 shtator 2026 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dorëzuar aktakuza kundër një ish-pjesëtari të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB), i cili dyshohwet për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në jug të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-’99. Prokuroria tha se pret që gjykata ta konfirmojë aktakuzën ndaj tij.
I dyshuari, i identifikuar me inicialet A.D., ishte arrestuar në fillim të këtij viti dhe prej atëherë është duke u mbajtur në paraburgim.
Sipas aktakuzës, A.D. ishte pjesëtar i MPB-së serbe në Ferizaj dhe polic i trafikut në rajonin e Kaçanikut në mars të vitit 1999, kur dyshohet se i kishte kryer krimet, në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth Kaçanikut.
Ai dyshohet se “në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar të forcave policore, ushtarake serbe, më 09.03.1999, gjatë një aksioni të organizuar policor ushtarak kundër popullsisë civile shqiptare, i detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan”.
A.D. akuzohet edhe për rrahjen dhe torturimin “në mënyrë brutale, çnjerëzore, fizike dhe psikike” si edhe për shkaktimin e “lëndimeve të rënda trupore” të 13 civilëve, gjatë marrjes në pyetje në stacionin policor në Kaçanik. Ata ishin në mesin e 91 burrave që forcat serbe i kishin ndarë prej rreth 400 burrave, grave, pleqve e fëmijëve të grumbulluar për t’u dërguar në stacionin policor në Kaçanik.
(r.m.)