Prishtinë, 4 gusht 2026 – I arrestuari i tretë në Zubin-Potok, Jugosllav Radojeviq, dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe në fshehjen e trupave të tyre.
Viktimat e këtij krimi monstruoz, të kryer në prill të vitit 1999, kanë qenë intelektualë e figura të respektuara, të cilët ishin nisur për në Mal të Zi.
Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA, përshkruhet edhe roli i Radojeviqit në rastin e vrasjes dhe fshehjes së krimit.
Në vendim thuhet se Radojeviq, i cili u arrestua të dielën, ka qenë pjesëtar i Mbrojtjes Territoriale të Ushtrisë Jugosllave. Ai bashkë me të tjerët dyshohet se, pas ekzekutimit, i kanë varrosur viktimat në dy varrezat masive, të zbuluara këto ditë.
“Me qëllim të fshehjes së krimit, në bashkëkryerje me të dyshuar të tjerë të identifikuar, i kanë varrosur viktimat në fundin e një livadhi te vendi i quajtur Melaja, në fshatin Kalludra e Vogël, afër lumit me qëllim që t’i fshehin gjurmët e krimit. Ndërsa më datën 18.04.1999, janë vrarë edhe S.F., S.F., D.I dhe R.I., me armë zjarri. Të njëjtët pasi i kanë vrarë dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë i kanë varrosur në fshatin Jabukë të Zubin-Potokut”, ka thënë prokurorja Florije Salihu-Shamolli para gjykatës.
Prokuroria ka treguar edhe versionin e dëshmitarit me inicialet M. F., i cili i ka mbijetuar krimit.
“Atë fillimisht e kanë sulmuar dhe pastaj e kanë urdhëruar që t’i vërë duart mbrapa kokës që të vazhdojë në drejtim të malit, e më pas të pandehurit kanë shtënë me armë në drejtim të tij, duke i shkaktuar plagë në kokë dhe kraharor. Në atë moment viktima rrëzohet dhe humb vetëdijen, por dëgjon krismën e armëve, dhe kur i kthehet vetëdija e vëren se familjarët dhe policia nuk ishin në vendin e ngjarjes. Vazhdon në gjendje të rëndë duke u futur në male dhe duke e vazhduar rrugën deri në fshatin Germov, ku merr ndihmën e parë nga një kushërirë e tij, e cila me profesion ishte teknike medicinale”, ka thënë prokurorja Salihu-Shamolli.
Avokati i Radojeviqit, Nebojsha Vllajiq, I ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë.
“Sa i përket arsyes për paraburgim, dyshimi i bazuar nuk ekziston. Ne nuk e kemi dëshmi se Jugosllavi ka qenë aty. I vetmi element në të cilin thirret prokuroria është deklarata e ndonjë dëshmitari anonim. Prokurorja thotë se deklarata është e njohur për të dhe për gjykatën, por për mua ajo nuk është e njohur. Ju duhet të ma tregoni atë mua. Ajo është vendimtare”, ka thënë ai.
I pandehuri Radojeviq është pajtuar me mrojtjen e avokatit të tij. Ai ka thënë se ka shum՞çka për të treguar, por nuk ka qenë shtetas I Kosovës deri në vitin 2008.
“Pajtohem me të gjitha thëniet e avokatit tim. Kam shumë çka të tregoj, por ta keni parasysh faktin se deri në vitin 2008 nuk kam qenë shtetas i Kosovës”, ka thënë Radojeviq.
Të hënën, Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi një muaj paraburgim Radojeviqit, që dyshohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, të kryera në komunën e Zubin-Potokut.
Të hënën e kaluar janë arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë për të njëjtën vepër penale. Një ditë pas arrestimit të tyre në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin-Potokut u zbuluan eshtra që dyshohet se janë të civilëve të vrarë më 19 prill. Ndërsa të dielën në fshatin Jabukë u zbulua një tjetër varrezë masive në të cilën janë zbuluar mbetjet e katër personave. Dy lokacionet në të cilat janë gjetur mbetjer njerëzore janë rreth 900 metra nga njëra-tjetra.
Të martën Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka nisur hetimet edhe për një varrezë të tretë masive në të njëjtën zonë.
Të martën e kaluar, shërbimi sekret i Serbisë e arrestoi në Kralevë një serb të Kosovës, të cilin e etiketoi si “spiun” të institucioneve të Kosovës. Sipas shërbimit sekret serb, i arrestuari, Ranko Tepavac, ishte shkaktar për zbulimin e varrezave masive në komunën e Zubin Potokut dhe për arrestimin e të dyshuarve lidhur këtë krim të luftës.
(r.m.)