Prishtinë, 5 gusht 2025 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj ndihmësit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq.
Në njoftim thuhet se Popoviq, i cili akuzohet për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet.
“I.P. ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, thuhet në njoftim.
Prokuroria tha se Popoviq, me dashje dhe me qëllim, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në fshatin Hoçë të Madhe në komunën e Rahovecit, më 18 korrik.
“Ai [Popoviq], gjatë fjalimit të tij, ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse, duke thënë: ‘Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK-ja – organizatë terroriste’, dhe më pas ka vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: ‘Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe…’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ditën që e kishte mbajtur fjalimin e tij, në rrugë për në Beograd, Popoviq ishte ndaluar nga Policia e Kosovës në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Bërnjak, dhe ishte dërguar në mbajtje policore për 48-orë. Më 20 korrik, Gjykata Themelore në Prishtinë ia shqiptoi atij masën e paraburgimit prej një muaji.
Autoritetet në Serbi e kanë dënuar arrestimin ashpër e Popoviqit, duke e cilësuar si “vendim politik”. Presidenti Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar “pasoja të paparashikueshme” për Kosovën, për shkak të arrestimit të Popoviqit. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar deklaratën e Vuçiqit si kërcënim për Kosovën dhe ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar të reagojë ndaj kërcënimeve të tilla.
(r.m.)