Prokuroria Speciale e Kosovës njofton për arrestimin e tre serbëve të dyshuar për krime lufte

Prishtinë, 20 shtator 2023 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se janë arrestuar tre qytetarë serbë, të cilët dyshohen për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”.

“Tre (3) të arrestuarit akuzohen për veprën penale ’Krimet e luftës kundër popullatës civile, veprime këto të sanksionuara sipas, nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 të KPRK, në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët  të 4 Konventave të Gjenevës, të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 2 të datës 08 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe kurdoherë e rëndësishme për vendimin e tanishëm ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Tre të arrestuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë, me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale.

Portali “Kossev” raportoi se Ilija Elezoviq është arrestuar në udhëkryqin afër Shkollës së Mesme Teknike, në Mitrovicën Veriore, i dyshuari me inicialet D.M., ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, është arrestuar në Zveçan, kurse i dyshuari i tretë është arrestuar në fshatin Prellrzhë të komunës së Vushtrrisë.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë dhe Lista Serbe kanë reaguar menjëherë pas arrestimit, për çka e kanë akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Është e qartë se Kurti vazhdon me planin e tij që çështjet e hapura politike t’i zgjidhë me dhunë dhe forcë. Serbët në Kosovë i trajton si pengje në procesin e negociatave, duke i keqtrajtuar sa herë të dëshirojë për t’i dërguar mesazh Bashkimit Evropian se s’mund t’i bëjë gjë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Lista Serbe i ka kërkuar KFOR-it dhe EULEX-it që “urgjentisht të parandalojë ndërhyrjen e forcave speciale dhe provokimet tjera nga regjimi i Kurtit, që kërcënojnë paqen dhe shkaktojnë tensione”.

(r.m.)