Prokuroria Speciale e Kosovës po heton edhe një lokacion të dyshuar për varrezë masive

Prishtinë, 4 gusht 2026 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se në komunën e Zubin Potokut po kryhen hetime për një lokacion të tretë për varrezë masive.

Prokuroria nuk bëri të ditur se ku janë përqëndruar hetimet për varrezë të tretë eventuale.

Në njoftim thuhet se hetimet po zhvillohen pas konfirmimit të dy varrezave masive, në Kalludër të Vogël dhe në Jabukë, ku janë gjetur mbetjeve mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Prokuroria bëri të ditur se në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë gërmimet për gjetjen e mbetjeve të tjera. Mbetjet e gjetura deri tashti do t’u nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim.

Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi se tre persona janë arrestuar deri më tani nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” dhe se gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë Speciale:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës konfirmon se në koordinim me Policinë e Kosovës, hetimet lidhur me rastin e krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut, po vazhdojnë intensivisht.

Deri më tani, tre persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë.

Aktualisht, hetimet po vazhdojnë në një lokacion të tretë. Prokurorja përgjegjëse ishte në vendngjarje së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë për të mbikëqyrur veprimet hetimore.

Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment. Informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar hetimin.

(r.m.)

Comment

*