Prishtinë, 10 qershor 2025 – Të martën në Prishtinë u bë promovimi i tre librave të rinj të shkrimtarit e studiuesit të letërsisë, Sabri Hamiti: “Prishtina mon amour” (përmbledhje e poezive) “Maja” (dramë) dhe “The Literary Canon” (përmbledhje e teksteve kritike të përzgjedhura, të botuara në gjuhën angleze, frënge dhe sllovene), botuar nga Shtëpia Botuse “Albas”.
‘Prishtina mon amour’ është një antologji e poezive të Sabri Hamitit si homazh për Prishtinën e tij e tonën, si topos të jetës e të kulturës, të dashurisë deri në dhembje personale dhe universale.
Akademik Nysret Krasniqi, lexues dhe studjues sistematik i veprës së Sabri Hamitit, në fjalën e tij të rastit për përmbledhjen e poezive“Prishtina mon amour”, ndër të tjera, theksoi lidhjen e thellë shpirtërore me Prishtinën.
“Kur i lexon poezitë e kësaj vepre, të cilat lidhen në një varg kronologjik gjysmëshekullor, ndjen e kupton se në magmën shpirtërore të poetit Prishtina e ka krijuar dhe e ruan aurën e saj sakrale, e cila mund të hetohet vetëm nëse kuptohet pikërisht thelbi i dashurisë dhe mërzisë”, tha ndër të tjera Krasniqi.
“Prishtina, për poetin Sabri Hamiti, është peshë shpirtërore”, theksoi ai.
Edhe studiuesi Muhamet Hamiti, ndër të tjera, tha se në 62 poezitë e përmbledhura në këtë vëllim, Prishtina del si emblemë e identitetit historik, lirik e metafizik.
“Prishtina mon amour është një antologji e poezive të Sabri Hamitit si homazh për Prishtinën e tij e tonën, si topos të jetës e të kulturës, të dashurisë deri në dhembje personale dhe universale. Janë krijime poetike për fenomene e figura identitare të kryevendit tonë, në rrafshe aktuale dhe historike, lirike e metafizike”, tha Hamiti.
Studiuesja Fatbardha Statovci shprehu gjithashtu impresionet e saj nga leximi i poezive të Sabri Hamitit për Prishtinën. Sikurse Krasniqi e Hamiti, edhe ajo vuri theksin te lidhjet emocionale të autorit me qytetin, jo si realitet jetësor, por si ndjesi të thellë shpirtërore. Statovci theksoi se Prishtina është jeta e poetit në tërësinë e plotë të saj, është identiteti i tij etnik, politik e kulturor.
Dramën “Maja”, e cila prek dimensionet metafizike dhe emocionale të luftës për liri, në këtë rast luftës për çlirimin e Kosovës, akademik Krasniqi e cilësoi si një tragjedi moderne që e pasqyron zgjedhjen e vështirë të artistit midis lirisë artistike dhe lirisë metafizike.
“Kjo dramë tri-aktëshe, në leximin tim, si formë letrare që i afrohet më së shumti reales. Nuk është glorifikuese e luftës, por dramattizim i nyjeve emocionale të heriut të saj, Ukës (Agim Ramadanit) në përballje me zgjedhjen e tij jetësore, të synojë idealen që e çon domosdo në tragjicitet. Si rrjedhojë, drama ‘Maja’, në leximin tim, është një tragjeti moderne, e cila do të duhej të ndikonte në pastrimin tonë shpirtëror (katharsis)”, tha Krasniqi.
Stdiuesi Muhamet Hamiti tha se kjo dramë e tematizon luftën shqiptare për çlirim të Kosovës, “të situuar në luftën dhe në pasluftën e vitit 1999”.
“’Maja’ e tematizon luftën e Kosovës të përthyer me fatet e familjes së kryeprotagonistit, të miqve e të bashkëluftëtarëve, të shoqërisë së pasluftës së Kosovës. ‘Maja’ është drama e transfiguruar e Agim Ramadanit dhe e Sali Çekajt, e një beteje të Ushtrisë Çlirimtare (Koshare, prill 1999) dhe e luftës së tyre për liri, me ide dhe me armë”, tha Hamiti.
“Drama ‘Maja’ është realiste dhe poetike njëherësh, ngjashëm me dramat e mëhershme të Sabri Hamitit, Futa (1987), Misioni (1997), dhe Pasioni (2023). Funksionojnë të tilla në lexim si dramë në faqe libri, por edhe të inskenuara”, tha ai.
Muhamet Hamiti foli edhe për përmbledhjen e shkrinmeve kritike të Sabri Hamitit për letërsinë “The Literary Canon” (Kanoni letrar).
Ai tha se në pjesën e parë të këtij libri, të titulluar ““Breviarium”, janë përmbledhur shkrime përmbledhëse të tetë librave të kritikës letrare të Hamiti të çerekshekullit të fundit. Ai tha se përmbledhjet e librave të Hamitit të kësaj periudhe “u ofrojnë lexuesve anglishtfolës një pasqyrë mbi librat, duke u përqendruar në idetë kryesore, temat kryesore letrare dhe perspektivat kritike mbi letërsinë klasike dhe moderne shqiptare”.
Ndërsa në pjesën e dytë të librit është botuar vështrimi kritik “Letërsia shqipe në shekullin XXI” në gjuhën shqipe, së bashku me përkthimet në frëngjisht dhe në sllovenisht.
“Çka do të thotë botimi i këtij libri?”, pyet Hamiti.
“Sigurisht, mundësi që lexuesi i huaj (dhe jo vetëm anglishtfolës, mbasi anglishtja është lingua franca e kohës sonë) që ky lexues, pra, të ketë informacion për veprën kritike-studimore të Sabri Hamitit, origjinale, sistematike, që e shqyrton letërsinë shqipe në totalitet, duke përvijuar një Poetikë të kësaj letërsie”, përgjigjet ai.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Muhamet Hamiti theksoi se libri “The Literary Canon” krijon mundësi “për eksplorime të tjera për lexuesit dhe studiuesit e huaj për veprën e Sabri Hamitit dhe të letërsisë shqipe në përgjithësi”.
“Këtu qëndron dobia e tij dhe e librave si ky”, tha ai në mbyllje të fjalës së tij.
(r.m.)