Promovohet libri i Ibrahim Rugovës “Liria si imanencë njerëzore”

Prishtinë, 24 maj 2024 – Të premten, më 24 Maj, në Ditën e Presidentit të Kosovës, në Shtëpinë e Pavarësisë – muzeut të rezistencës politike dhe formësimit e afirmimit të projektit nacional për lirinë e pavarësinë e Kosovës – u bë promovimi solemn i librit të Ibrahim Rugovës “Liria si imanencë njerëzore”, botim i Biliotekës Presidenciale “Dr Ibrahim Rugova”, të themeluar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ky libër – përmbledhje e mendimeve dhe pikëpamjeve të Rugovës, të shprehura në fjalimet, diskutimet e ekspozetë e tij në përiudhën 1976-2005, të zgjedhura e të sistemuara nga Munish Hyseni – u bë pikërisht në sallën ku Presidenti Historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e informonte opinionin publik me zhvillimet në Kosovë dhe e plasonte vizionin e tij për Kosovën e lirë, të pavarur e demokratike, e cila sot ndërtohet e zhvillohet ditë për ditë.

This image has an empty alt attribute; its file name is Ibrahim-Rugova-Liria-si-imanence-njerezore.jpg

Presidentja Osmani, në fjalën e saj të rastit, tha se libri “Liria si imanencë njerëzore” shpërfaq figurën e Rugovës si intektual, si lider politik dhe si burrë shteti.

Libri ‘Liria si imanencë njerëzore’ ofron një njoftim gjithëpërfshirës me idetë dhe vizionin e studiuesit, udhëheqësit politik e shtetëror, Presidentit Rugova. Nëpërmjet fjalimeve të tij mund të kuptohet qartë ndërlidhja e lirisë krijuese me lirinë politike”, tha Presidentja Osmani.

“Organizimi kronologjik i përmbajtjes së librit e pasqyron rrugëtimin intelektual dhe politik të Rugovës dhe ofron njohuri të vlefshme për vendimet dhe veprimet e tij si lider e burrë shteti. Prandaj libri ‘Liria si imanencë njerëzore’ është dëshmi e fuqisë së fjalës dhe qëndrueshmërisë së ideve”, tha ajo.

Presidentja Osmani solli në kujtesë pikëpamjet e Rugovës për lirinë si koncept universal – lirinë shpirtërore dhe lirinë fizike, lirinë krijuese dhe lirinë politike, lirinë e shprehjes dhe lirinë e veprimit, lirinë individuale dhe lirinë kolektive.

“Presidenti Rugova vazhdon të mbetet gërshetim i figurës letrare dhe i liderit të pazëvendësueshëm politik që mishëron liritë për të cilat ishte angazhuar gjithë jetën e tij”, theksoi ajo.

Presidentja e Kosovës shprehu mirënjohje të thellë për gjithë trashëgiminë e Rugovës, duke veçuar miqësitë dhe aleancat që i krijoi ai me botën demokratike.

“Presidenti Rugova ishte dhe vazhdon të mbetet udhërrëfyesi ynë, Ora e Mirë e Kosovës, dhe ndërtuesi I aleancave strategjike me Perëndimin e në veçanti me aleatin tonë kryesor e të pazëvendësueshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi ajo.

Botimin e librit “Liria si imanencë njerëzore” e cilësoi se dedikim modest për kontributin e jashtëzakonshëm të Rugovës për Kosovën.

“Ky libër është nderim i përbashkët për trashëgiminë e tij si shkrimtar, mendimtar e udhëheqës që e mbrojti kauzën e lirisë në të gjitha trajtat e saj. Kjo përmbledhje fjalimesh ofron mundësi reflektimi mbi peshën e lirisë krijuese, lirisë së veprimit dhe lirisë politike, si edhe ndikmimin e vazhdueshëm të vizionit të Rugovës në rrugëtimin e shtetit tonë drejt familjes euro-atlantike”, tha Presidentja Osmani në mbyllje të fjalës së saj. 

This image has an empty alt attribute; its file name is Vjosa-Osmani-ne-perurimin-e-librit-te-Ibrahim-Rugoves-Liria-si-imanence-njerezore-5.jpg

Autori i librit, Munish Hyseni, tha se ky botim risjell idetë, shqyrtimet dhe trajtesat e Rugovës si intelektual, si prijës politik dhe si burrë shteti. Ai tha liria ishte fillesa dhe mbaresa e filozofisë jetësore të Rugovës.

“’Liria është element dhe fenomen imanent i njeriut, i kërkesave dhe i realizimit të tij, si në planin e veprimit ashtu edhe në atë të ekzistencës e të rezistencës së tij’, thotë Rugova. Duke u marrë me konceptin e përgjithshëm të lirisë pohon se shikuar nga praktika historike, del se liria është e lidhur ngushtë me lirinë sociale, me lirinë kulturore dhe me lirinë nacionale”, u shpreh Hyseni.

Ai tha se Rugova, siç shihet në fjalimet, diskutimet dhe ekspozetë e tij, e afirmoi me forcë vullnetin e popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci.

 “Fjalimet, kumtesat dhe ekspozetë e mbajtura në Kongresin amerikan, në Bundestagun gjerman, në Komitetin Politik të Asamblesë së Atlantikut Verior, në Samitin Botëror të Monakos, në Samitin Ndërkombëtar në Krans Montana, në Vjenë, në Uashington e gjetiu, janë një artikulim e afirmim i kërkesave të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci. Kështu, me kohë, kritiku letrar, esteti, kryetari i Lidhjes Demokratike, Presidenti i Kosovës u shndërrua në njeriun ideator, parashikues e përkushtues i pa epur në bindjet e tij, në projektin e tij të pa lëkundur se liria është sovranitet e pavarësi. Me integritetin e tij politik e intelektual, komunikues por i kursyer në fjalë e në gjeste, argumentues dhe i qartë deri në në fund bindi botën perëndimore se edhe shqiptarët e meritojnë vendin e tyre nën qiellin e Qytetit të Diellit”, tha Hyseni.

Ai theksoi se pikëpamjet dhe vizioni i Rugovës për letërsinë e kulturën, për lirinë individuale e kolektive, për vlerat nacionale e universale, për kombin e shtetin janë leksione me vlerë të tejkohshme.

This image has an empty alt attribute; its file name is Munish-Hyseni-ne-perurimin-e-librit-te-Ibrahim-Rugoves-Liria-si-imanence-njerezore-2.jpg

Presidentja Osmani ia dorëzoi kopjen e parë të librit “Liria si imanencë njerëzore” zonjës Fanë Rugova, bashkëshortes e bashkudhëtares së Presidentit Rugova në rrugëtimin jetësor drejt qëllimit kulmor – lirisë kolektive.

(Ramadan Muçolli)