Promovohet shqiptarizmi në Islandë

Në mesin e vullkaneve e akullnajave, ujvareve me madhështi të rrallë në planetin tonë e vendeve ku uji vlon jashtë në natyrë dimër e verë, edhe aty ka shqiptarë.

Islanda, ky shtet në mes të Amerikës e Evropës, shumë rrallë përmendet në media në përgjithësi e jashtzakonisht pak, ose më mirë të themi kurrë rreth aktiviteteve të diasporës tonë atje. Ndoshta se nuk janë më shumë se sa 500 shqiptarë nga 370,000 banorë që i ka i tërë ky shtet ishull.

Javën që shkoi u themelua dega e Federatës së Mjekëve Shqiptarë (AMFE – Albanian Medical Federation of Europe) ku kryetare u zgjodh Hafije Zogaj. Dega u themelua të shtunën më 9 qershor në kryeqytetin Reykjavik. Por, pak ditë para themelimit me iniciativën dhe angazhimin e politologut Avni Dervishi nga Suedia, njëkohësisht edhe Ambasador Nderi i AMFE, një delegacion i përberë nga pesë persona u pritën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Islandës. Delegacionit i printe Avni Dervishi, ndërsa aty ishin edhe Dr.Hafije Zogaj (Islandë), Dr.Aurora Dollenberg – presidente e AMFE (Gjermani), Prof.Dr.Fadil Çitaku (Zvicër), si dhe gazetarja nga Kosova zonja Alketa Gashi Fazliu.

Një ditë përpara Dr.Hafije Zogaj që jeton tash e 32 vite në Islandë, si bashkëthemeluese e një kori të përbërë nga vetëm gran me prejardhje nga mbarë bota, por që jetojnë në Islandë ishte e ftuar nga ambasadorja e Norvegjisë. Në rezidencën e së cilës, në mes tjerash edhe këndonin këngë në gjuhën shqipe. Poashtu edhe ambasadorja e Danimarkës është pjesë e korit që e promovojnë edhe kulturën shqiptare.

Aktivisti Dervishi thekson, që për arsye diplomatike, lobimeve e edhe forcimit të Diasporës tonë: “Deri tash kam qenë në 90 shtete, e Islanda ishte shteti nr. 91, por kurrë ndonjëherë nuk kam parë një kor me persona të rritur vetëm gra e ku bëjnë pjesë dy ambasadore të huaja në një shtet të huaj që këndojnë këngë në gjuhën shqipe, dhe e gjithë kjo falë zonjës Hafije Zogaj, e cila përpos që shëron jetët e njerëzve në Islandë në rolin e mjekes, ajo edhe e promovon kulturën shqiptare e arbëreshe”.

Si shkruam edhe në fillim, e gjithë java u përmbyll të shtunën me datë 9 qershor kur edhe u mbajt seminari i AMFE me ekspertë shëndetsorë islandëzë e shqiptarë nga tërë Evropa. Aty u themelua edhe dega e AMFE për Islandë e Dr.Hafije Zogaj u zgjodh kryetare. Tërë diaspora shqiptare në kryeqytetin Reykjavik i mirëpriti mysafirët me krahë të hapur, kombinuar me ushqime dhe valle tradicionale shqiptare.