Pronari i veturës që iu dogj në Zubin Potok: Targat RKS i kisha qe 16 vjet

Prishtinë, 2 nëntor 20022 – Bojan Bozhoviq,  pronar i veturës që iu dogj të mërkurën në mëngjes në Zubin Potok, i ka quajtur “frikacakë” autorët e këtij akti qyqar. 

“Frikacakët ma kanë vënë zjarrin makinës në oborr përballë shtëpisë në orën 3 të natës së kaluar. Falënderojmë zjarrfikësit që u përgjigjën me shpejtësi dhe parandaluan djegien e shtëpisë”, ka shkruar Bozhoviq në Facebook.

Ai ka thënë se se vetura e tij i kishte targat RKS qe 16 vjet dhe se e njëjta nuk ishte riregjistruar së voni.

“Dua të them se vetura nuk është riregjistruar dhe ka 16 vite regjistrim në RKS. Faleminderit ambasadorit amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier për dënimin e këtij akti çnjerëzor dhe shpresoj që institucionet kompetente të dalin me emrat e autorëve. Faleminderit edhe të gjithë njerëzve të mirë që janë me mua dhe familjen time në këto momente të vështira”, ka shkruar Bozhoviq.

Policia e Kosovës ka njoftuar se një veture të tipit “Hyndai”, me targa RKS, i është vënë zjarri të mërkurën heret në mëngjes.

“Njësitet relevante policore nga stacioni policor Zubin Potok, i janë përgjigjur menjëherë vendit të ngjarjes, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore si dhe kanë njoftuar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë po ashtu në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatën e policisë.

(r.m.)