Propozimi i Dhomës së Përfaqësuesve për ndihmë Izraelit përballet me kundërshtime në Senat

Uashington, 31 tetor 2023 – Senatorë nga të dy partitë politike shprehën dyshime të martën në lidhje me planin e Dhomës së Përfaqësuesve, të kontrolluar nga republikanët, për të ofruar 14.3 miliardë dollarë ndihma për Izraelin, duke shkurtuar fondet për agjencinë amerikane të taksave (IRS), pa ofruar ndihmë për Ukrainën.

Pas marrjes së drejtimit të Dhomës së Përfaqësuesve nga ligjvënësi republikan Mike Johnson, nisma e parë legjislative madhore të hënën vë theksin vetëm tek ndihma për Izraelin.

Presidenti Joe Biden i ka kërkuar Kongresit një paketë ndihme prej 106 miliardë dollarësh ku përfshihet ndihma për Izraelin dhe Ukrainën si dhe fonde për të rritur konkurrencën me Kinën në rajonin e Azi-Paqësorit, si dhe sigurinë përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Republikanët kanë një epërsi të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa demokratët kontrollojnë Senatin. Që të bëhet ligj, një projektpropozim duhet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat dhe më pas të nënshkruhet nga Presidenti Biden.

Demokratët thonë se projektpropozimi i republikanëve nuk do të shqyrtohet në Senat edhe nëse merr miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve.

“Përfundimi është se nuk është një propozim serioz”, tha për gazetarët udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Senatori Mitch McConnell, udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, tha se të katër çështjet duhet të trajtohen.

“Ne duhet t’i trajtojmë të katër këto çështje, Ukrainën, Izraelin, Tajvanin dhe kufirin”, tha për shtypin zoti McConnell.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, u takua të martën me zotin Johnson pas një seance dëgjimore në Senat.

Zoti Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dëshmuan në Senat se Ukraina kishte nevojë për ndihmë të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara për të fituar luftën kundër agresorit rus.

“Ishte një takim shumë i mirë. Unë e vlerësoj mundësinë”, tha Blinken duke komentuar lidhur me takimin me zotin Johnson.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se ata kishin diskutuar çështje ku përfshihej edhe kërkesa e Presidentit Biden për mbështetje për Ukrainën dhe Izraelin.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët pritet ta miratojë këtë javë projektpropozimin për Izraelin.

(Zëri i Amerikës)