Protesta kundër talibanëve në Afganistan, militantët islamikë reagojnë me forcë

Kabul, 19 gusht 2021 – Në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, dhe në disa qytete të tjera, të enjten, talebanët u sfiduan përsëri, për të dytën ditë me radhë, nga grupe të protestuesve kundër militantëve islamikë.

Një varg makinash dhe njerëzish pranë aeroportit të Kabulit mbanin pankarta me ngjyrat e flamurit afgan. Protesta pati edhe në provincën Khost, ku autoritetet talebane vendosën një shtetrrethim 24-orësh, pasi i shpërndanë me dhunë protestuesit.

Edhe në provincën Kunar, sipas dëshmitarëve dhe videove të postuara në mediat sociale, protestuesit dolën në rrugë për të kundërshtuar instalimin me dhunë të pushtetit nga talibanët.

Militantët islamikë kanë lëvizur me shpejtësi për të shtypur çdo kundërshtim, pavarësisht premtimeve të udhëheqësve të tyre se tani janë më të moderuar se sa kur sundonin në Afganistan, dy dekada më parë.

Protestat kundër talibanëve, të cilat vijnë ndërsa afganët shënojnë Ditën e Pavarësisë që përkujton traktatin e vitit 1919 që i dha fund sundimit britanik, ishin një shfaqje e jashtëzakonshme e kundërshtimit ndaj talebanëve, të cilët e shpërndanë me dhunë një protestë të mërkurën. Në qytetin lindor, Xhalalabad, protestuesit e ulën flamurin e talebanëve dhe e zëvendësuan atë me flamurin kombëtar të Afganistanit. Të paktën një person u vra gjatë përplasjes.

Figura të opozitës afgane, të mbledhura në zonën që nuk është ende nën sundimin e talebanëve, folën për fillimin e një rezistence të armatosur nën flamurin e Aleancës Veriore, e cila u bashkua me Shtetet e Bashkuara gjatë ndërhyrjes së vitit 2001.

Një zyrtar i OKB -së paralajmëroi për mungesa të mëdha ushqimore në vendin me 38 milionë banorë që mbështetet tek importet. Ekspertët thanë se talebanët përballen me të njëjtat probleme si qeveria civile që rrëzuan nga pushteti pa nivelin e ndihmës ndërkombëtare që ajo gëzonte.

(r.m.)