Protesta masive në Izrael, protestuesit kërkojnë armëpushim në Gazë dhe marrëveshje për lirim të pengjeve

Tel Aviv, 18 gusht 2025 – Qindra mijëra izraelitë protetuan të hënën nëpër rrugët e Izraelit kundër ofensivës së re të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës. Protestuesit brohoritën kundër Kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë së tij të krahut të djathtë dhe bënë thirrje qeverisë izraelite t’i japë fund luftës në Gazë dhe të arrijë një marrëveshje për lirimin e izraelitëve që po mbahen peng nga militantët e Hamasit.

Protesta në Tel Aviv ishte një prej më të mëdhave në Izrael që kur kanë nisur luftimet, në tetor të vitit 2023. Në Tel Aviv, në sheshin e pagëzuar “Sheshi i Pengjeve”, prutestuesit shpalosën një flamur të madh të Izaralit me portretet e pengjeve të mbetura në Gazë.

Protestuesit i bllokuan disa rrugë në qytet, përfshirë autostradën që lidh Tel Avivin me Jerusalemin. Ata dogjën në rrugë goma të vjetra, duke e bllokuar kështu trafikun në këtë autostradë. Në Jerusalem dhe në Tel Aviv ishin mbyllur shumë biznese.

Në protestën e së dielës mori pjesë edhe Ruby Chen, babai i ushtarit izraelito-amerikan Itay Chen, i cili ishte nëmesin e 1,200 viktimave të sulmeve terroriste të Hamasit, më 7 tetor 2023, trupi i të cilit mbetet në Gaza.

“Bibla hebraike flet për jetën hebraike,” tha Chen për NBC News.

“Jeta vjen para hakmarrjes dhe kjo është pikërisht ajo që ne po kërkojmë që kjo qeveri ta mbajë mend”, theksoi ai.

Kryeministri Benjamin Netanyahu kritikoi protestuesit, duke thënë se veprimet e tyre “sigurojnë që tmerret e 7 tetorit do të përsëriten”. 

Edhe disa ministra të kabinetit qeveritar të Netanyahut i kritikuan ashpër protestat. Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, i cilësoi protestat si “fushatë e dëmshme që shkon në të mirë të Hamasit”.

Protestat u organizuan rreth një javë pasi kabineti i sigurisë së Izraelit i miratoi planet për marrjen në kontroll të plotë të qytetit të Gazës, pas luftës 22 mujore që ka shkaktuar rreth 70 mijë viktima dhe krizë humanitare të përmasave të paimagjinueshme, për shkak të ndalimit të ndihmave humanitare. Organizatat humanitare ndërkombëtare po e akuzojnë Izraelin se po e përdor urinë sim jet lufte kundër palestinezëve.

Besohet se në Gazë vazhdojnë të mbahen peng 49 izraelitë. Sipas ushtrisë izraelite, 27 prej tyre janë të vdekur.

Egjipti ka thënë ditëve të fundit se ndërmjetësuesit janë duke negociuar një armëpushim 60-ditor që përfshin lirimin e pengjeve. Rundi i kaluar i bisedimeve të zhvilluara në Katar ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

(r.m.)