Protesta “Shqipëria në rrezik” përcolli mesazhe të forta për Ramën dhe qytetarët shqiptarë

 Tiranë, 7 korrik 2022 – Mijëra qytetarë, shumica mbështetës të opozitës, të enjten në mbrëmje, protestuan në mënyrë të qetë e të qytetëruar kundër qeverisë aktuale të Shqipërisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, para ndërtesës së Qeverisë. 

Në protestën me moton “Shqipëria në rrezik”, të ftuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u drejtuan akuza të rënda në adresë të kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeverisës dhe u përcollën mesazhe të forta për pushtetin dhe për qytetarët.

Berisha, në fjalimin e tij para protestuesve, tha se shqiptarët janë bashkuar sot në atë që ai e quajti “front i shpëtimit të Shqipërisë”.

“Qytetarë dhe qytetare të Shqipërisë. Të dashur demokratë dhe demokrate, anëtarë të partive opozitare dhe shoqërisë civile, qytetarë pa parti, socialistë e anëtarë të partive të tjera që jeni sot në këtë shesh të lirisë,

Të dashur bashkëatdhetarë të ardhur nga mijëra kilometra larg për t’u bashkuar sot me frontin e shpëtimit te Shqipërisë,

 Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

Një përshëndetje vëllazërore për ju që sot latë gjithçka dhe u bashkuat këtu në bulevardin e kombit duke u bërë kështu një burim drite dielli, shprese për mbarë shqiptarët!

Sonte më shumë se kurrë mendjet dhe zemrat, sytë e shqiptarëve, janë të drejtuar te ju. Ju erdhët në këtë bulevard sepse juve ju thirri ora e lirisë, ora e Shqipërisë. Shqipëria në rrezik ishte kushtrimi që ju ngriti ju në këmbë për ta shpëtuar atë”, tha Berisha.

Ai tha se Edi Rama erdhi në pushtet përmes vjedhjes së votave. Ai iu drejtua Ramës me akuzën se e “shkelmoi ëndrrën e rinisë studentore të viteve ‘90”.

“Ti pushtetin e vendose duke u rrëmbyer votën shqiptarëve. Harrove se me këto akte ke shkelmuar idealet e shqiptarëve. Ke shqelmuar sakrificën e shqiptarëve që ranë kundër diktaturës komuniste. Ke shkelmuar ëndrrën e rinisë studentore të viteve 90 që dolën në rrugë ballë për ballë”, tha Berisha.

Ai u betua se nuk do ta njohë votën e vjedhur dhe paralajmëroi se shqiptarët nuk do të lejojnë më të luhet me votën e tyre

“Betohem para flamurit të kombit se votën e vjedhur kurrë nuk e njohim. Mos luaj me votën se jemi të vendosur të bëjmë çdo sakrificë që djemtë dhe vajzat e Shqipërisë të votojnë të lirë!”, theksoi ai.

Berisha e akuzoi Ramën për varfërimin e qytetarëve shqiptarë dhe pasurimin e oligarkëve dhe të klientelës së tij.

“Sot pasuritë shfrytëzohen nga oligarkë të pashpirtë të lidhur me qeveritë dhe rrogat tuaja nuk rriten, shkollat nuk përmirësohen. Përkundrazi, ju varfëroheni, sepse pasuritë tuaja i kanë grabitur qeveritarët dhe klientela e tyre”, iu drejtua ai qytetarëve.

“Shqipëria është në rrezik, sepse në rrezik është një komb që lind fëmijë për emigracion. Edi Rama, me politikat që ka ndjekur ka ndërmarrë në 5 vite ka larguar 540 mijë shqiptarë nga Shqipëria”, ka thënë ai.

“Edi Rama ka një urrejtje gjenetike ndaj shqiptarëve, sepse i përket atij sojit që vriste, që ekzekutonte, që burgoste qytetarët shqiptarë dhe që e dinte se ata të shtypur i urrenin për vdekje bllokmenët hoxhistë. Për të gjitha këto qëndrime ne do t’ia presime atij biletën dhe ky është vetëm fillimi i marshit tonë të lirisë”, u shpreh Berisha.

Ai e akuzoi Ramën edhe për kufizimin e lirisë së medies e të fjalës së lirë.

“Edi Rama, ti këto kohë dhe këto vite je treguar armik i fjalës së lirë. Je treguar armik i egër i fjalës së lirë. Ke përdorur metodat e frikës dhe terrorit për të zhytur shqiptarë në heshtje. Ke përdorur tendera për të blerë media. U je vërsulur gazetarëve vetëm se ata bëjnë detyrën e tyre. Fjala e lirë do të jetë motoja dhe beteja jonë. Ata që guxojnë të prekin fjalën do të mjerojnë”, u shpreh ai.

Ai theksoi se shpreson që BE të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë, duke theksuar se kryeministri Edi Rama është kundër një hapi të tillë.

“Këtë javë shpresojmë që BE të vendosë hapjen e negociatave. Dhe u bëj thirrje nga kjo tribunë, të hapin negociatat me Shqipërinë, të mos shkojnë shqiptarët për Edi Ramën, i cili do çdo gjë, por jo negociatat, sepse ato do ta nxjerrin atë lakuriq siç është, demoni i pushtetit, kryehajduti i Europës”.

Ai theksoi se Shqipëria do t’i thotë “jo” nismës “Ballkani i Hapur” dhe do ta mbështesë vetëm Procesin e Berlinit. Ai theksoi se kjo është rruga e vetme e Shqipërisë drejt Europës.

“Ai shndërrohet në një vasal të Vuçiqit, e rrethon Kosovën me tensione dhe konflikte, nuk ka interesa shqiptare, por të parat i ka interesat e Beogradit. Populli shqiptar do t’i thotë ‘jo’ Ballkanit të Hapur, ‘jo’ Ballkanit të Beogradit, ‘jo’ Ballkanit të Putinit dhe do t’i thotë ‘po’ Procesit të Berlinit, rrugës tonë drejt Europës”, u shpreh ai.

Në mbyllje të fjalës së tij, Berisha përcolli një mesazh për qytetarët që nuk morën pjesë në protestë, të cilën e quajti “shumoicë të heshtur”.

“Secili nga ju mund të shtrojë pyetjen: Cili është qëllimi më i thellë i kësaj proteste? Pse ne u mblodhën në piskun e vapës së korrikut në këtë shesh? E vërteta është se ne do t’u çojmë një mesazh nga zemrat tona shumicës së heshtur të shqiptarëve”, tha ai.

Në hapje të protestës, pjesëmarrësve dhe qytetarëve iu drejtua deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi. Edhe nga foltorja e protestës, ai drejtoi akuza të rënda në adresë të kryeministrit Rama dhe kabinetit e tij qeveritar. Këlliçi tha se Rama dhe qeveria e  tij ua kanë marrë shqiptarëve shpresën për të ardhmen dhe theksoi se Shqipërinë mund ta shpëtojnë nga kjo qeveri vetëm qytetarët shqiptarë.

“Shqipëria nuk është e varfër, e ka varfëruar ky (Rama). E ka vjedhur cep më cep. I pangopur me paratë tuaja, me taksat dhe me djersën tuaj. Kurrë më mos thpni: ‘ç’më duhet mua?’”, tha Kellici.

“Shqipërinë mund ta shpëtomë vetëm ne, ju qe jeni këtu dhe shumë të tjerë që do na bashkohen. Kjo është një çështje që u përket të gjithë shqiptarëve, edhe socialistëve. I them cdo socialisti të ndershëm: ku e shihni ndershmërinë te Rama? Tek asfaltet, tek inceneratorët apo tek përgjimet e “Bild-it?”, u shpreh Këlliçi. 

Deputetja e PD-së, kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi, e cila foli në emër të grave dhe vajzave, paralajmwroi vazhdimin e protestave kundwr kryeministrit Rama. Ajo e cilwsoi ditwn e sotme si “ditw tw fillimit të rezistencës ndaj së keqes”.

Kam nderin të jem zëri mijëra grave dhe vajzave që nuk dorëzohen që ngrihen ndaj një regjimi që mbjell frikë dhe dëshpërim. Mijëra janë mbledhur këtu, mijëra të tjerë janë me zemër këtu. Ne jemi njerëz të sakrificës, ne luftojmë çdo ditë për fëmijët. Sot është një ditë e mirë për shqiptarët, një ditë e keqe për qeverinë. Nuk ka më kthim mbrapa, përpara deri sa të largojmë kryeministrin më të keq dhe qeverinë më të korruptuar. Një lukuni e babëzitur që nuk pyet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Edi Rama nuk ka ndërmend të ndalet, ndaj atë duhet ta ndalim ne. Protesta, protesta dhe vetëm protesta është gjuha e vetme që njeh Edi Rama. Ne do t’i denoncojmë emër për emër, njeri-pas tjetrit këtë lukuni që pasurohet duke varfëruar dhe grabitur shqiptarët. Jemi këtu dhe për një premtim, në emër të çdo nëne që ka fëmijët në emigracion, në emër të çdo gruaje që pret që fëmija t’i ikë. Këta këtu nuk do të gëzojnë asnjë qindarkë të vjedhur, këta të gjithë do dalin para drejtësisë. Nuk ka krim pa ndëshkim. Le të jetë 7 korriku dita e fillimit të rezistencës sonë ndaj së keqes. Dita e fillimit të bashkimit kundër Edi Ramës dhe bandës së tij hajdute. Kur ngremë zërin vetëm atëherë dëgjohet. Njerëzit e lirë do të fillojnë”, tha zonja Vokshi.

Pjesëmarrësve të protestës iu drejtua edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Në fillim të fjalës së saj, ajo foli për gjendjen e rëndë ekonomike e sociale të shqiptarëve, për çka e fajësoi kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij.

Zonja Kryemadhi e akuzoi Ramën se po e përdhos flamurin e Shqipërisë për interesa personale.

“Ky flamur i bukur që në fushën e tij ka gjakun e mijëra shqiptarëve. Ka gjakun e mijëra shqiptarëve që u betuan për Shqipërinë. U betuan për Shqipërinë. Ky flamur është motivi ynë më i madh për Shqipërinë tonë europiane, për Shqipërinë e rilindësve. Ky flamur, sot më shumë se kurrë, ka rëndësinë më të madhe pasi Edi Rama me ‘Open Balkan’, kërkon ta çnderojë. Të valëvisim fort flamurin tonë duke kthyer djemtë dhe vajzat në Shqipëri, duke kthyer trurin që ka ikur. Sot më shumë se kurrë, ky Bulevard është mbushur”, tha zonja Kryemadhi.

Zonja Kryemadhi e cilësoi kryeministrin Rama “vegël qorre të grupeve antishqiptare”. Ajo e akuzoi Ramën se e ka “shitur” Kosovën dhe po “e shet” Shqipërinë.

“Rama eshtre një vegël qorre e grupeve antishqiptare. Rama, siç e shiti Kosovën, ashtu po e shet Shqipërinë tonë, Shqipërinë e të rinjve dhe të rejave, të atyre studentëve që po ikin. Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo e politikaneve. Shqiptarët do të kërkojnë që Shqipëria të qeveriset nga politikanë të mirë. Zoti i bekoftë shqiptarët. Zoti i dhëntë forcë dhe zoti e nderoftë Shqipërinë!”, u shpreh Kryemadhi. 

Aktivisti i shoqërisë civile, Aulon Kalaja, nga foltorja e protestës, u bëri thirrje shqiptarëve që të ngrihen në protestë anembanë kundër “shpopullimit” të shqipërisë.

“Sot është dta për të nisur një betejë kundër shpopullimit të atdheut. E keqja që ka ardhur në pushtet ka tërhequr të gjitha të këqijat e shoqërisë. Është dita për një besë a besë. Sa e vështirë për ty për të lënë filxhanin e kafesë. Ndalu shiko veten se vëllai dhe shoku yt kanë ikur nga sytë këmbët të kanë lënë vetëm. Edhe për ty që rrit sot shtrirë dhe ke detin përballë, por kurrë nuk do përjetosh atë që po përjetoj unë tani me këta oqean shqiptarësh. Nga ky popull ujk që s’ka nevojë për bari por të shqyen për të drejtat e veta. Çohu pra, edhe ty po të presim që flet për frikën nga luani kur ne po na shqyejnë hienat. Koha ka ardhur për ty demokrat që ke rënë në disfatë, guximi jot duhet ta vrasë frikën. Çohuni demokratë, e shqiptarë. Koha na thërret për të mos mëkatuar se ata që heshtin kur duhet protestuar kthehen nga burra në burracak. Kurrë nuk mund të jetojmë në një kohë që të mos protestojmë ndaj të këqijqave. Kur një populli nuk i pëlqen qeveria, nuk ikën populli por qeveria”, theksoi Kalaja.

Protesta e opozitës, e cila zgjati afër dy orë, përfundoi pa asnjë incident.

foto galeri

Berisha Ok (5)Yjtr'Surprizuese! U emocionova nga ajo që pashë'/ Salianji flet për protestën: Berisha kryetar i PD, realitet që duhet pranuar(Ramadan Muçolli)