Protestë e opozitës para Kuvendit, tensione edhe në Kuvend

Tiranë, 23 shkurt 2023 – Të hënën, rreth orës 10, para ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë ka nisur protesta e thirrur nga Partia Demokratike dhe nga Partia e Lirisë. Qytetarë të shumtë, të cilët mbanin në duar flamuj dhe pankarta kundër mazhorancës në Kuvend dhe kundër kryeministrit Edi Rama, në të cilat kërkohet dorëheqja e Ramës pas aferës me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal.

Në hyrje të sallës së Kuvendit, deputetët opozitarë të përjashtuar nga seanca janë përplasur me përfaqësues të Gardës së Republikës, të cilët nuk lejuan hyrjen e tyre në Kuvend.

6 deputetë të opozitës janë përjashtuar për disa ditë nga punimet e Kuvendit, me arsyetim se ata kanë prishur qetësinë në Kuvend dhe kanë penguar zhvillimin normal të punimeve në seancë.

Deputeti Gazment Bardhi, brenda në sallë, ka deklaruar se Garda e Republikës nuk duhet të ndërhynte në sallën e Kuvendit. Ai ka  thënë se kjo mund të ndodhë vetëm në rast se në sallë ka rrezik për cenim fizik të deputetëve.

“Anëtarët e Gardës ndërhyjnë në sallë me urdhër tuajin, kur cënohet integriteti fizik i deputetëve. Shou që bëni ju në çdo seancë është e shëmtuar. Këtu nuk ka asnjë rrezik për konflikt fizik. Ç’jemi ne? Regjim autoritar?”, ka thënë Bardhi.

“Nuk mund t’ua japim qytetarëve perceptimin se këtu po ndodh një konflikt i madh fizik sa duhet edhe ndërhyrja e Gardës. Ndryshe, vendose një gardh edhe ndaji pozitën nga opozita. Nuk ka ndërmend njeri të prekë me dorë njeri”, ka theksuar ai, duke iu drejtuar kryetares së Kvendit, Lindita Nikolla.

Deputeti demokrat, Ervin Salianji i bëri thirrje mazhorancës të respektojë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit dhe të votojnë ngritjen e tri komisioneve hetimore.

“Në vend që të jeni garante e Kushtetutës, jeni kryesorja në shkeljen e saj duke plotësuar kërkesat e Partisë, çfarë thonë këta, bëni ju. Ju nuk respektoni as procedurën, as afatet kohore kur përjashtoni deputetët. Ju duhet të reagoni kur deputetët preken me dorë, apo rrethohet hyrja e Parlamentit sikur ta keni këtu thesarin e Ali Babës dhe 40 deputetët. E kuptoj që e shikoni si thesar këtë vend, se nga këtu prodhohen 240 mijë dollarë që Rama ia jep McGonigal. E kuptoj që bëni si të shqetësuar për bilbilat, por ju e fusnit vuvuzelën deri në grykë dhe nuk u përjashtua njeri”, ka thënë Salianji.

“Si kryetare e Kuvendit, duhet të kërkoni llogari te institucionet që nuk zbatojnë ligjin në respekt të statusit të deputetit. SPAK dhe SHISH nuk janë kthejnë përgjigje për çështjen Rama- McGonigal. Nuk ka guxim njeri këtu që të flasë. Rama u ka bërë të rrini me kokën ulur. Jeni bërë mekanizma, ngrini dorën, ulni dorën. Që të ketë sens Parlamenti, duhet të hyjmë në procedurë normale, të pranoni kërkesat tona për kërkesat tona, porti i Durrësit, charteri i Ramës dhe afera e McGonigal”, ka theksuar Salianji.

Deputeti Bujar Leskaj ka kërkuar sërish ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen McGonigal.

“Duhet të ngrini komisionin hetimor. Nuk varet nga dëshira dhe oreksi i kryeministrit tuaj. Po e deformoni çdo seancë. Po e shkelni dhe rregulloren e Kuvendit. Në 4-5seanca i keni përjashtuar 24 deputetë. Më vjen keq për ju. Nëse vijoni kështu, do të krahasoheni në histori me kryetarët të Kuvendit të 46. Ju nuk keni në dorë plumbat apo t’i arrestoni. Keni në dorë t’i hiqni fjalën dhe t’i përjashtoni”, kathënë Leskaj.

“Pse nuk praktikoni që kryeministri t’u përgjigjej 13 pyetjeve tona, të vijohet me interpelancën dhe më pas të ngrihet komisioni? McGonigal është thembra e Akilit. Pasojat do të bien mbi ju, sepse shqiptarët janë të zgjuar. Jeni ju që po i detyroni deputetët e opozitës që të ngrihen aty e ta kërkojnë fjalën. Përderisa shkilen Kushtetuta dhe ligjet, kolegët e mi duhet të dalin aty e të kërkojnë respektimin e saj”, ka shtuar ai.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, u është drejtuar pjesëmarrësve të protestës dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ai ka thënë se protesta është në mbrojtje të vlerave dhe interesave më themelore të qytetarëve shqiptarë.

“Ju po protestoni kundër një hajduti që po mjeron çdo ditë shqiptarët, po protestoni kundër një njeriu, i cili vazhdon të vjedhë ditën dhe natën me aferën e djegësave. A e dini ju se djegësat, 420 milionësh, kanë vetëm një njeri kryesor dhe ky është Edi Rama? A e dini ju se çarteri i tij është përdorur për fluturime për t’u bërë presion ministrave të tij që të firmosin dokumentet për djegësat?

A e dini ju se me Erion Veliajn vjedhin në çdo ton mbetje që derdhet në Sharrë, 18 euro nga mundi dhe djersa juaj? A e dini ju se ky zotëri (Rama) shtrohet në darka 10 mijë dollarëshe me McGonigal, se ministrja e tij këput 1 mijë euro biftekun? A e dini se këto tregojnë urrejtjen e madhe që kanë janë ndaj jush?”, ka deklaruar ai.

Berisha, nga podiumi i protestës së opozitës, e ka akuzuar kryeministrin Rama dhe Qeverinë e tij për një sërë krimesh. Ajo e akuzoi qeverinë edhe për fshehjen e autorit të krimit ndaj kenianes 22-vjeçare Joy, e cila u dhunua dhe u vra barbarisht.

“A e dini ju se këta janë një bandë që strehojnë vrasës? Ku fshihen vrasësit e kenianes? Janë në qeveri, në qeveri, në qeveri”, është shprehur Berisha.

Ai ia ka drejtuar gishtin shefit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

“Shikojeni pak atë kriminelin Taulant Balla. E kam denoncuar dhe e denoncoj sërish. Vendi i tij është në burg, si trafikant femrash. Prandaj ata e fshehin Xhoin. Ai (Balla) është denoncuar nga diplomatët shqiptarë se ka nxjerrë viza për prostituta moldave që t’i sillte në Shqipëri. Fatos Nano, në vend që ta çonte në prokurori, e bëri këshilltar. Ai është denoncuar nga delinkuentë se ka porositur vrasje. Ky është eksponenti parlamentar kryesor i mazhorancës”, ka thënë Berisha.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e ka akuzuar Ramën se po përdor të gjitha mjetet për shkatërrimin e demokracisë dhe pluralizmit në Shqipëri. Ai ka theksuar se Rama e ka bërë këtë edhe me ish-zyrtarin  late të FBI-së.   

“Mos u habisni nëse do u japë urdhra deputetëve që edhe një deputet i vetëm i PD-së të mos ngelet,  se edhe një i vetëm e tmerron, seqse e tmerron e vërteta, e tmerron firmat që ka hedhur për të vjedhur miliarda, për të blerë Mc gonigalët, për të vrarë pluralizmin në Shqipëri. Dëshiron ta kthejë Shqipërinë në një ferr të vërtetë për shqiptarët e ndershëm. Prandaj do të shkatërrojë pluralizmin. E kanë kuptuar dhe socialistët e ndershëm dhe idealistët. Nuk krahasohemi dot as më shtetin më të ri në rajon, Kosovën”, ka thënë Meta.

“Kemi të bëjmë me një bandë që është deligjitimuar plotësisht. Kur ngrihet populli ngrihet llogaridhënia, bien çmimet”, ka theksuar ai.

Ishte deputeti Flamur Noka, ka njoftuar se protesta e radhës e opozitës do të mbahet më 3 qershor, në orën 12. Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë “t’i thonë ‘jo’ Ramës, t’i thonë ‘po’ lirisë e demokracisë”.

(r.m.)