Protestë në Klinë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos

Prishtinë, 25 korrik 2023 – Dhjetëra banorë të Klinës dhe zonave përreth dolën në protestë të martën, duke kundërshtuar planet për ndërtimin e një fabrike të çimentos në fshatin Dollc të kësaj komune në Kosovën qendrore, rreth 40 kilometra larg Prishtinës.

Organizatorët dhe mbështetësit e protestës thanë se ndërtimi i një fabrike të tillë do të shkaktonte pasoja të pariparueshme për mjedisin.

“Nuk duhet të lejojmë të na shkelet e drejta kushtetuese, në Kushtetutë e kemi të drejtën që të kemi ujë e ambient të pastër. Komuniteti duhet të dëgjohet, jo ata që marrin vendime prej zyrave”, tha Egzona Shala.

Në vitin 2019 kompania Wallingford International Kosova nisi procedurat për marrjen e lejes së ndërtimit të fabrikës, e cila është kundërshtuar vazhdimisht nga banorët.

Kryetari i Këshillit Organizativ të protestës, Veton Rraci, i tha Zërit të Amerikës se përkundër pakënaqësisë së banorëve, kompania ka arritur të sigurojë lejen në një proces që sipas tij është përshkuar me shkelje të shumta ligjore.

“Ministria e Ambientit bazuar në kërkesën tonë ka pezulluar të gjitha lejet dhe pëlqimet që janë dhënë për operatorin për ndërtimin e fabrikës së çimentos derisa të përfundojë procesi gjyqësor ndërmjet komunës së Klinës dhe ministrisë së Pushtetit Lokal. Së fundmi, operatori para dy javësh, ka dalë prap me një ekskavator dhe ka provokuar banorët duke nisur të kryejë disa hapje të rrugës për fillim të punimeve”, tha ai.

Zëri i Amerikës bëri përpjekje që të kontaktojë kompaninë Wallingford International Kosova për të marrë qëndrimin e saj rreth kësaj çështjeje, por numri i telefonit dhe adresa elektronike në faqen e saj të internetit duket se nuk janë të vlefshme, pasi nuk funksionojnë.

Zoti Rraci thotë se në bazë të vlerësimit të ekspertëve, ndotja që mund të shkaktojë kjo fabrikë përfshin jo vetëm Klinën por edhe qytetet përreth saj.

“Ata thonë se në 60 kilometra largësi arrijnë grimcat e ndotjes që shkakton fabrika e çimentos. Në fund të kodrës janë burimet e ujit nga fshati Gremnikë të cilat do të zhdukeshin nga shpimet e thella që ndodhin për shkak të nxjerrjes së mergeles dhe mineraleve të tjera që i posedon kodra”, tha ai.

Nrec Mirdita, i cili u largua nga fshati Dollc për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth 40 vjet më parë, thotë se ndërtimi i kësaj fabrike do të pamundësonte vizitat e rregullta që familja e tij i bënë fshatit.

“Kam lindur e jam rritur këtu deri në moshën 16 vjeç, na ndodh të vijmë dy deri në tre herë në vit në vizitë këtu. Me këtë punën e fabrikës nëse ndodh ndotja aq e rëndë, ka mundësi që të largohemi tërësisht prej këtu. Nuk jam vetëm unë, jemi tre vëllezër e një motër në Amerikë dhe shpenzimet që i bëjmë shumicën i bëjmë në fshatin Dollc”, thotë ai.

Protestën e sotme në Klinë e mbështetën edhe dhjetë organizata të shoqërisë civile të cilat punojnë kryesisht në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)