Protestë në mbrojtje të grave në Prishtinë: “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”

Prishtinë, 28 gusht 2026 – Disa dhjetra aktiviste dhe aktivistë të shoqërisë civile morën pjesë në protestën me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare” në Prishtinë, të organizuar pas dy rasteve të vrasjes së grave në Kosovë.

Një grua 25-vjeçare, shtatzanë, u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Malishevë, të dielën në mbrëmje. I dyshuar për vrasjen ishte bashkëshorti i saj, i cili vdiq të enjten nga plagët e marra. Ndërkaq një grua 80-vjeçare u gjet e vdekur të mërkurën nga plagët që dushohet se i janë shkaktuar nga bashkëshorti i saj 81-vjeçar.

Organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, e cila e ftoi protestën e sotme, u është drejtuar institucioneve shtetërore të Kosovës me katër kërkesa për, siç thuhet, parandalimin e femicidit, kodifikimin femicidit si vepër e veçantë penale, zbutjen e pabarazisë ekonomie gjinore dhe ngulitjen e barazisë gjinore në sistemin arsimor të vendit.

“Vrasjet e grave nuk janë incidente, por vrasje të qëllimshme që targetojnë gratë nëpërmjet cenueshmërisë dhe nënshtrimit të supozuar nëpërmjet dhunës. Ne refuzojmë ta lexojmë femicidin, pra vrasjen e grave veç pse ato janë gra si tragjedi të izoluar që ua merr sporadikisht jetën grave qoftë se burrat kanë probleme psikologjike, apo se për çfarëdo arsye tjetër. Ne e njohim atë në të vërtetën e saj: si kulminacion i dhunës sistematike që iu bëhet grave prej një sërë sistemesh ndërthurëse që shtypin, nënshtrojnë, përçmojnë e shtrëngojnë gruan në çdo sferë e marrëdhënie të saj qoftë shoqërore, qoftë ekonomike. E në këtë kuptim, shteti bëhet bashkëfajtor i çdo vrasjeje të grave. Është shteti ai që strukturalisht e nënvlerëson jetën e grave si klasë, e neglizhon sigurinë e tyre në shtëpi, në rrugë e institucione, nuk iu beson grave, i lë ekonomikisht të dobëta dhe të kthyeshme në dhunë e ushqen pabarazitë përmes edukimit dhe organizimit të ekonomisë”, thuhet në reagimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

Katër kërkesat kryesore të protestuesve për institucionet e shtetit:

  1. Trajtim të sigurisë së grave si çështje me urgjencë kombëtare dhe si aspekt kyç të sigurisë publike;

Përgjegjësi institucionale dhe funksionalizim të mirëfilltë të zinxhirit institucional që parandalon femicidin, duke përfshirë këtu qendrat për punë sociale;

  1. Mirëfinancim të politikave sociale të mirëqenies që zbusin pabarazitë gjinore ekonomike që i mbajnë gratë të kurthuara në dhunë;
  2. Kodifikim të femicidit si vepër e veçantë penale;
  3. Edukim gjithëpërfshirës në sistemin arsimor që targeton maskulinitetin toksik dhe riformëson marrëdhëniet gjinore mbi parimin e barazisë dhe drejtësisë.

(r.m.)