Protestë simbolike në New York: Duam të votojmë në 2025! 

Nga Beqir Sina

Me moton “Duam të votojmë në 2025”, një grup aktivistësh zhvilluan një protestë simbolike në New York, të premten në mesditë para ndërtesës së Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara. 

Duke qëndruar në heshtje për një orë protestuesit mbanin flamurin shqiptar dhe disa parrulla nga ku bënë thirrje që t’i jepet e drejta Diasporës për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 2025, në Shqipëri.

Në një deklaratë për shtypin shqiptar, nisma “duatevotoj2025”  thotë se e  zhvilloi këtë protestë në vijimësi të serisë së protestave të organizuara në qytete të ndryshme në Evropë në kuadër të nismës #duatevotoj2025. Sipas saj, sot nuk ka prioritet më të madh për demokratizimin e mëtejshëm të vendit sesa Vota e Diasporës. 

“Politika shqiptare në përgjithësi dhe Kuvendi i Shqipërisë në veçanti mbajnë përgjegjësi për shkeljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për detyrimin e përmbushjes së boshllëkut ligjor për mundësimin e Votës së Diasporës.”

Nisma “duatevotoj2025” në fund të deklaratës për shtyp bëri thirrje për vazhdimin e protestave dhe intensifikimin e tyre deri në mundësimin e votimit nga vendbanimet për çdo shqiptar me banim jashtë vendit.

Një nga udhëheqësit kryesorë të kësaj nisme Florian Haçkaj, gjatë fjalës së tij denoncoi mitigjet elektorale të kryeministrit Rama në Athninë e Milano duke thënë se po u bënë presion familjarëve në Shqipëri, që të detyrojnë njerëzit e tyre në Itali, të paraqiten në takimet e tij. 

“Nuk mundet kurrësesi të tentoni t’u bëni presion familjareve ne Shqiperi, qe te detyrojne familjaret e tyre ne Itali, te paraqiten ne takimet elektorale te partise socialiste ne ate vend”, tha Haçkaj.