Rafaela Prifti
Nga datat dy deri katër qershor, Festivali shqiptar i Usterit me jetëgjatësi 40 vjeçare ruajti traditën e respektuar por solli edhe risi e projekte afatgjate për historinë e bashkësisë shqiptare këtu edhe përtej oqeanit Atlantik. Ceremonia e inagurimit të rrugës Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ardhja e mysafirëve arbëreshë dhe pasurimi i pavionit shqiptar për muzeun e historisë së Usterit përbëjnë tri nga veçoritë më të spikatura të tij. Ndonëse festivali mbahet në këtë qytezë, historikisht pjesëmarrësit vijnë nga shtete e vende larg e afër. Tenda e madhe në oborrin e Kishës Ortodokse Shqiptare Fjetja e Shën Mërisë rrethakohej me flamujt e banderolat e bizneseve shqiptare që mbështetën veprimtarinë. Kisha, si organizatore me përvojë të gjatë në mbledhjen e fondeve, është amvisë e mirë e vendorëve dhe mysafirëve, siç shihej tek manifestimi i trashëgimisë shqiptare duke nisur nga menyja artizanale e gastronomike deri te programi i larmishëm artistik. Lidhja me grupin arbëresh ishte një homazh për heroin kombëtar, për të cilën djemtë e Kishës së Shën Mërisë si mikpritës ishin veçanërisht të kënaqur.
Frank Zdruli, me origjinë nga Korça, dhe Presidenti i kësaj shoqate, i ardhur në Massachusetts në vitet e adoleshencës e vlerëson shumë ruajtjen e traditës, riteve dhe gjuhës shqipe. “Në rolin drejtues si President i Djemve të Shën Marisë, ndihma dhe dhurata jonë me e vlefshme për Festivalin dhe për gjithë shqiptarët ështe padyshim inagurimi i emërimit të nderit rrugës Salisbury në emër të Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Scanderbeg Way. Akoma më mbresëlënëse është prania e pasardhësit të familjes Kastrioti Loris Castriota Skanderbegh dhe Kryebashkiakut të “Horës së Arbëreshëvet” Piana degli Albanesi nga Sicilia, Rosario Petta në këtë ditë historike dhe ceremoniale. Do ta kujtoj për jetë pasi ashtu si 6 shekuj më parë na i bashkon përsëri heroi ynë kombëtar dy komunitetet shqiptare më të vjetra larguar ndër dy kontinentet në 555 vjetorin përkujtimor të Gjergj Kastriotit Skenderbeut.”
Banor i Usterit prej një kohe të gjatë, Frank vetë ka marrë pjesë në festivalin shqiptar në fillim si valltar. Ai mban mend se fillimisht programi i valleve ishte nismë e grupit të parë që u krijua në Boston me Dhimitraq Demirin dhe AANO (Albanian American National Organization). Pas dhjetë vjetëve, në 2007, kur ai erdhi me familjen në Uster, Frank Zdruli u bë pjesë e grupit organizativ të kishës dhe prej atëherë ai dhe Greg Steffon kanë qenë bashkëkryetarë të shtatë festivaleve në Uster.
Këtë vit Frank dhe Greg ia kaluan “stafetën” organizatorëve të rinj. Zdruli thotë se përvoja e tij tani mund të shërbejë për të këshilluar dhe ndihmuar në ruajtjen e traditave të bashkësisë shqiptare duke u përqendruar më shumë te brezat e rinj. “Rritja e nivelit të Festivalit por edhe e komunitetit shqiptar në vazhdimësi kërkon edhe ndarjen e detyrave në rolet e drejtuesve të tjerë. Tani eksperienca jonë e fituar duhet të vihet në funksion të këshillimit të ekipit të ri drejtues dhe fokusimi jonë si drejtues duhet të jetë tek forcimi i komunitetit në një solidifikim të brezit të ri që rritet në Uster,” thotë Frank.
Frank Zdruli e vlerëson pasurimin dhe dokumentimin e historisë së bashkësisë shqiptare për muzeun e qytetit si pjesë me rëndësi e trashëgimisë sonë. Një nismë e tillë e cila është e inkuadruar në festival është gjithashtu një projekti në vazhdimësi e sipër, nën kujdesin dhe e koordinuar nga qendra shqiptare pranë Politeknikumit të Usterit. Frank thotë se “së bashku me kolegun tim Gregory Steffon energjitë tona tashmë janë vënë në ecurinë e projektit afatgjatë që kemi ndërmarrë me Muzeumin Historic të Worcester dhe Albanian Project Center të WPI për të dixhitalizuar historinë e komunitetit shqiptar si pjesë e historisë.”
Dielli e ndoqi festivalin që nga dita e hapjes dhe në vazhdim. Ndonëse në ditët e fundjavës, moti ishte me reshje dhe temperaturat e ulëta, pjesëmarrësit ishin të shumtë. Në mbyllje i pyetëm mysafirët arbëreshë për mbresat nga Festivali i Usterit. Ata thanë se bashkësia këtu i kishte pritur krahëhapur dhe se “ishin ndjerë pjesëtarë të familjes së madhe shqiptare” përtej Atlantikut.
Dje, të ftuar në Katedralen ortodokse shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, ata me zonjat e tyre u pritën nga anëtarë të bordit të Kishës, pjesëtarë të shoqatave e aktivistë të komunitetit. Kryebashkiaku Rosario Petta dhe gazetari Loris Castriota Skanderbegh e ripërforcuan “lidhjen vëllazërore” në një vend që ka domethënie të shumëfishta historike “për të gjithë që kanë gjak shqiptari,” thanë ata.