Tiranë, 10 tetor 2022 – Partia Socialiste e nisi sesioni i ri në Kuvendin e Shqipërisë me nxitimin për të miratuar ndërhyrjet ligjore që janë depozituar sipas propozimit të Autoritetit të Dosjeve.
Por socialistët po marrin kohë për të hartuar amendimet për ligjin e Dekriminalizimit dhe atë të partive politike. Fillimi i shtatorit u premtua se do të ishte periudha kur ata do të depozitonin ndryshimet në këto dy ligje, ndërkohë që kanë depozituar disa nisma të tjera për këtë çështje, jo vetëm për të bërë transparencë për ishbashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, por dhe për të ndaluar përfshirjen ose qëndrimin e tyre në politikë. Por kryetarja e Komisionit të Ligjeve shpjegon se sa e rëndësishme është për shumicën që të sjellë në Kuvend një produkt të pakontestueshëm.
“Ne thjesht do të jemi të kujdesshëm që të ruajmë standardet, por nuk është e thënë që është e prerë me thikë ndalimi, ka vende që e ndalojnë në mënyrë kategorike, ka vende të cilat i japin një periudhë të caktuar kohore. Gjithë shqetësimi ynë është që ne të bëjmë një propozim i cili t’i kalojë edhe filtrat kushtetues edhe filtrat e Strasburgu, pra nuk ka kthim prapa”, deklaroi znj. Bushka.
Gjithsesi, flet për rëndësinë e transparencës nëpërmjet vetëdeklarimit dhe jo ndalimeve ligjore për këtë kategori politikanësh e funksionarësh, e në rast të konstatimit të deklarimit të rremë parashikimin e sanksioneve ligjore. “Në rast se nga deklarimi rezultojnë fakte të pavërteta, ligji ka sanksione administrative deri në penale, duke ja lënë barrën e vetdeklarimit vetë subjektit”, u shpreh kryetarja e Komisionit të ligjeve. Komisioni për Çështjet Ligjore miratoi të premten projektligjin “Për informacionin e klasifikuar”, ku u përfshi me konsensus edhe amendamenti për deklasifikimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit nga viti 1944 deri në vitin 1991.
“Nga zbatimi i kësaj dispozite, përjashtohen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare,” thuhet në amendamentin e përfshirë në projektligj me propozim të kreut të grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj. Deputetët socialistë votuan pro përfshirjes së këtij propozimi, por refuzuan të fusin një tjetër amendament sqarues mbi të, sipas të cilit, çdo institucion i Administratës Publike ka detyrimin të publikojë bibliografinë e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe çdo person gëzon të drejtën të njihet dhe të kërkojë një kopje të tyre. “Kjo pikë do të bënte që ato të jenë të deklasifikuara totalisht”, argumentoi Alibeaj.
Ky propozim u kundërshtua nga relatorja socialiste, Ermonela Felaj, pasi sipas saj, nuk ka nevojë për specifika të tilla në këtë ligj, pasi është ligji për Autoritetin e Dosjeve që parashikon mënyrat e njohjes me dokumentet e ish-Sigurimit. Debati politik për këtë çështje vijoi gjatë diskutimit të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Nisma ligjore propozon shfuqizimin e një pike të ligjit që ndalonte AIDSSH-në që të verifikonte zyrtarë publikë që kishin kaluar një verifikim të figurës nga dy komisione të ngritura në vitet e para pas rënies së regjimit komunist, të njohur si komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”.
Por një propozim i ri i Autoritetit që t’u jepej e drejta familjarëve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit që të njiheshin me dosjet e prindërve, në rastet kur ata nuk ishin gjallë, riktheu debatin për hapjen e dosjeve. Komisioni i ligjeve do të diskutojë në mbledhjen e ardhshme për propozimin e socialistëve për të shfuqizuar certifikatat e pastërtisë së figurës të dhëna nga komisionet “Bezhani” dhe “Mezini”.
Gjatë mbledhjes u miratua dhe ndryshimi i emrit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, që do të quhet Autoriteti Kombëtare i Sigurimit të Informacionit Klasifikuar (AKSIK). Për këtë gjë kishte rezerva deputetja e Patisë Demokratike Dhurata Çupi e cila tha se autoriteti është një njësi e pavarur, ndërsa drejtoria ka varësia nga Kryeministria. Ajo tha se ky institucion më ndryshimin e emri kërkon pavarësi, por u kundërshtua nga Felaj. Sipas saj pavarësinë e autonominë ia jep ligji dhe jo emri.
(Panorama.al)