PS çel fushatën për zgjedhjet lokale, Rama i sulmon ashpër liderët e opozitës

Tiranë, 12 prill 2023 – Partia Socialiste e ka çelur ndryshe fushatën zgjedhore për vendoret e 14 majit. Në përmbyllje të takimit të Kryesisë së PS, kryeministri Edi Rama iu drejtua dje sheshit “Skënderbej”, i shoqëruar nga 61 kandidatët për kryebashkiakë dhe deputetët e grupit parlamentar, ku publikoi edhe sloganin që do shoqërojë fushatën “Kurrë më mbrapa, vetëm përpara”.

Në fjalën e mbajtur, kryeministri Rama u ndal tek arritjet gjatë qeverisjes socialiste në këto 10 vjet dhe ambiciet për të ardhmen, ku sfidë sipas tij mbetet rritja e të ardhurave për frymë.

“Rritja historike e pagave është fryt i mundimit të gjithë atyre që na kanë ndjekur. Është mundi shpërblyes i një kapitulli shpërblyes që do e shkruajmë së bashku. Në këto vite thuajse i kemi dyfishuar të ardhurat për frymë, nga 3300 që e kemi gjetur 6400 euro ndërsa deri në 2030 të shkojnë në 10 mijë euro për frymë. Ambicia ime është që brenda 2030 të kemi një pagë minimale të paktën 60 mijë lekë”, deklaroi ai.

Rama sulmon Metën dhe Berishën

Ndërkohë kryeministri Edi Rama nuk kurseu as sulmet ndaj opozitës dhe u bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë dallimin mes bashkive që kanë drejtuar socialistët me ato që kanë drejtuar të djathtët. Për kreun e qeverisë, Partia Socialiste është ardhmja, e ndërsa Ilir Meta dhe Sali Berisha janë e shkuara që duan të marrin peng Bashkitë për t’u mbrojtur nga drejtësia.

Nga ana tjetër, Rama ka dërguar një mesazh për SPAK që të godasë dyshen opozitare.

“Ata janë i mbyturi që të mbyt dhe slogani i tyre i vërtete dhe i vetëm është ‘pas nesh le të bëhet qameti’. Ata duan të marrin peng sa më shumë bashki, sa më shumë Shqipëri, sa më shumë shqiptarë, për t’i thënë botës që pa negociuar me ta, nuk bashkëpunon dot normalisht me Shqipërinë, për t’u mbrojtur nga drejtësia që vazhdon vonon, por ka gjithmonë e më pak shans që të harrojë. Për të qëndruar me pahir në lojë kur i thonë fjalës duke e kthyer Shqipërinë mbrapsht tek kapitulli i zymtë i halleve dhe mëkateve të tyre krejt personale. Unë sot nuk kam asnjë këshillë më të mirë për t’iu dhënë njerëzve të zakonshëm që ndihen të lidhur me emrin demokrat për hir të asaj që dikur ishte Partia Demokratike se sa iu them, mos e lidhni fatin tuaj, me dy hije të së kaluarës që rrezikojnë t’ju ndajnë nga treni i zhvillimit kombëtar, urban dhe rural, t’ju hedhin në erë urat e bashkëpunimit me qeverinë dhe t’ju kthejnë prapa mish për topat e luftës së tyre me mullinjtë e erës”, u shpreh ai.

Kryeministri i kujton Kryemadhit “lidhjet” me rusët

Po ashtu, kryeministri Edi Rama thumboi edhe bashkëshorten e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deputeten Monika Kryemadhin.

“Shikoni Matin, Dibrën, shikoni Pukën, shikoni Tropojën, Kukësin, Vaun e Dejës. Shikoni Kurbinin që sot është një qytet krejt i ri dhe imagjinojeni sa gjynah të ribjerë në duart e atyre të cilët sot ndryshe nga dje, nuk i sheh dot më me sy as e gjithë bota, përveçse shumica dërrmuese e shqiptarëve që as i ka parë ndonjëherë dhe as ka për t’i parë dot me sy, aq me tepër sot që janë bërë një arsye turpëruese për Shqipërinë në sytë e botës. Problem më i madh i këtyre zgjedhjeve me ta, është se ata nuk janë më as vetvetja, por janë pengje të së shkuarës së tyre, të korrupsionit madhor dhe minimit të demokracisë, të damkës ‘non grata’, të parave ruse dhe të kontove bankare te fshehta që kanë nisur të dalin mbi ujë si ato shishet e anijeve të mbytura, që i sjell dallga pak nga pak në breg”, tha ai.

Kryesocialisti e sulmon edhe Këlliçin

Por, ndërsa fliste për cilësitë e kandidatëve socialist, Rama shigjetoi kandidatin e “Rithemelimit” për Bashkinë Tiranë, Belind Këlliçin, që sipas tij, ishte një dhuratë që kundërshtarët i kishin bërë në këtë garë Erion Veliajt.

“Lali Erin e duan të tërë, nuk e duam vetëm ne që vijmë këtu dhe i dhurojmë pemë, Por e duan edhe ata që i dhurojnë rregullisht kandidatin më të lodhur. Madje këtë herë i kanë gjetur një kandidat që duket sikur ka humbur fizarmonikën. Kur thotë se do të bëjë transport publik falas. Mua më duket sikur thotë po ma gjetët firzamonikën unë do iu bëj një xhiro pa lekë”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se Partia Socialiste do të bëjë një fushatë elektorale të qetë dhe pa zhurmë, por mbi të gjitha miqësore me mjedisin.

“Duhet të bëjmë një fushatë me sa më pak zhurmë, sa me shumë punë, komunikim dhe njerëzillëk. Kemi vendosur të përgjysmojmë minimalisht përdorimin e ekraneve të mëdha të skenave popompoze dhe materialeve propagandistike. Do t’ju lutesha kryetareve të bashkisë, mundësisht jo postera që ngjiten nëpër mure, në rrugët e qyteteve, dhe pastaj mbesin aty zbardhen dhe bien copa-copa si lëkurë e zgjebes, ndotëse të shëmtuara”, deklaroi Rama.

(Sot.com.al)