Tiranë, 24 korrik 2024 – Deputetët e Partisë Socialiste (PS) në Kuvendin e Shqipërisë vendosën të sfidojnë për herë të dytë Gjykatën Kushtetuese, duke i dalë në mbrojtje koleges së tyre Olta Xhaçka. Gjykata Kushtetuese e obligoi Kuvendin që ta dërgojë për interpretim çështjen e mandatit të Xhaçkës.
Ndaj Xhaçkës është inicuar një mocion për shkelje të Kushtetutës nga opozita pasi bashkëshorti i saj biznesmen u shpall investitor strategjik nga qeveria dhe iu dha po me vendim qeverie bregu i detit para hotelit në Dhërmi në përdorim.
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi, e cilësoi “të paqartë” vendimin e ri të GJK-së dhe njoftoi se Kuvendi do të kërkojë opinionin e Komisionit Evropian për Demokraci, i cili njihet si Komisioni i Venecias.
Në një dalje për mediat, Çuçi mbajti një qëndrim kundërshtues ndaj formulimeve të vendimit të gjykatës ku u kërkohet deputetëve “të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës”, duke e cilësuar këtë formulim si anti-kushtetues.
“Do të votoj si t’ma dojë mendja mua, jam i pavarur”- u përgjigj ai duke iu referuar disa herë formulimeve kushtetuese që garantojnë sipas tij që, deputeti është i pavarur dhe nuk mban përgjegjësi në vendimmarrjen e tij.
I pyetur nga BIRN nëse ky një qëndrim i mazhorancës cënonte balancën e pushteteve, besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese dhe krijonte një precedet të rrezikshëm në marrëdhënien mes Kuvendit dhe kësaj gjykate, ai tha “nuk ka një vendim politik, por ka një thirrje për të votuar si deputet”.
Ai aludoi se GJk e ka pasur mundësinë për ta trajtuar çështjen e papajtueshmërisë së mandatit kur e dërguan 1/5 e deputetëve dhe i cilësoi vendimet e saj si “cic-mice” juridike.
“Që të mos kalohet në një marrëdhënie kuazi perverse, që unë të çoj shokun tim, po ka instrumente që i jep opozitës të drejtën për të adresuar interesin publik në GJK dhe 1/5 e ka bërë këtë”- komentoi ai.
Mandati i deputetes socialiste u mbrojt politikisht në të gjithë hallkat proceduriale parlamentare që prej qershorit 2022 kur u dorëzua mocioni i opozitës.
Socialistët e rrëzuan këtë mocion në nëntor 2022 por Gjykata Kushtetuese e vlerësoi këtë vendim si shkelje të kushtetutës dhe i kërkoi dërgimin e mocionit në këtë gjykatë.
Në një votim të paprecedentë mazhoranca socialiste votoi në prill kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se deputetët ishin të pavarur dhe nuk i detyronte vendimi i gjykatës si të votonin.
Dy javë më parë Gjykata Kushtetuese për herë të dytë e konsideroi vendimin e mazhorancës si anti-kushtetues dhe vendosi që të “detyrojë” Kuvendin që të rivotojë “pa vonesë” për dërgimin e mandatit të Xhaçkës për interpretim pranë këtij organi.
Gjatë njoftimit të vendimmarrjes kryetarja e kësaj gjykate, Olta Zaçaj, duke lexuar këtë vendim para mediave tha se “në kuadër të kësaj vendimmarrjeje, Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi”.
Ajo i kujtoi deputetëve se nuk mund të vihej në diskutim fuqia detyruese e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat “janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim”.