PSD proteston kundër Gjykatës Speciales, arrestohen kryetari dhe 5 zyrtarë të partisë

Prishtinë, 29 nëntor 2023 – Partia Socialdemokrate (PSD) organizoi të mërkurën në Prishtinë kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

Protesta i mbajt para hotelit “Sirius”, ku ishte planifikuar të mbahej një takim e Trendafilovës me përfaqësues të shoqërisë civile.

Protestuesit, disa dhjetra sish, mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “UÇK-ja është përpjekja për liri” dhe “Trendafilova out”. Njëkohësisht brohoritnin “Poshtë Gjykata Speciale”.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se u mblodhën para hotelit për të kundërshtuar vizitën e Trendafilovës në Kosovë. Ai e akuzoi Gjykatën Speciale se po i ndjek vetëm ish-pjesëtarët e UÇK-së.

“Sa herë që kemi qenë më afër Serbisë dhe marrëveshjeve të këqija me Serbinë ka pasur përndjekje të UÇK-së. Gjykata e ka në mandat ta ndjekë vetëm UÇK-në, është më e keqe se njëetnike. Ne duhet dhe do ta pengojmë këtë takim. Takimi ka filluar ndërsa ne e vazhdojmë protestën”, tha ai.

Kreu i PSD-së e akuzoi për arrestimin e ish-krerëve të UÇK-së Lëvizjen Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte gjatë kohës që kjo parti ishte në opozitë. Ai tha se arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së është bërë i mundur vetëm pas ardhjes në pushtet së Vetëvendosjes.

“Kur e panë që populli po e mbështet një subjekt politik që nuk e mbështet UÇK-në e panë që është i mundshëm arrestimi i tyre”, theksoi Molliqaj.

Forcat e policisë që ishin angazhuar për sigurinë e ambinteve ku do të zhvillohej takimi me Trendafillovën, reaguan kur protestuesit filluan të hidhnin mjete shpërthyese dhe bomba tymuese që krijuan tym të zi në ambientin para hotelit. Një pjesë e protestuesve nuk e përfillën urdhëresën e policisë për t’u shpërndarë, ndërsa disa prej tyre edhe rezistuan dhe u përleshën me policinë.

Gjatë pëplasjes, Policia e Kosovës i arrestoi kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe pesë zyrtarë të partisë: Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Korab Korqa, Agron Kabashi dhe Gent Brahimi.

PSD e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për arrestimet, duke e cilësuar si përpjkje për frikësim.

“Metodat frikësuese neve nuk na ndalin. Gjykata është raciste, e padrejtë dhe segreguese. Rezictenca vazhdon. Z. Trendafilova nuk është e mirëseardhur. Policia mund ta garantojë sigurinë fizike, por jo imazhin e një kryesuese të një procesi të padrejtë”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Qendron Kastrati, zyrtar i PSD-së e akuzoi policinë për “dhunë joproporcionale” ndaj protestuesve.

“Për fat të keq Policia e Kosovës ka përdorur një dhunë joproporcionale. Një aksion simbolik e ka penguar me njësitin më elitar të policisë, duke përdorur gazë lotsjellës dhe sprej… Ne nuk do te ndalemi. Do te vazhdojmë edhe me aksione të tjera”, u shpreh ai.

(r.m.)