Shtetet e Bashkuara besojnë se Serbia është më e rëndësishme strategjikisht se Kosova, pasi Uashingtoni e di se Vuçiçi mund të bashkëpunojë lehtësisht me Moskën për të ndezur një konflikt të ri në rajon. Megjithatë, përkrahja amerikane ndaj Serbisë nuk do të funksionojë: marrëdhëniet Serbi-Rusi janë të gjalla dhe të mira
Nga Ivana Stradner, New York Post
Meqenëse presidenti rus Vladimir Putin ka një performancë të dobët në Ukrainë, ai do të përdorë çdo taktikë të mundshme për të shpërqendruar Perëndimin. Këtë herë, Rusia, me ndihmën e Serbisë, po provokon kaos në fund të Evropës, në Ballkan. Qëllimi është të shtyjë Ballkanin në konflikt dhe të shkaktojë dhunë etnike, sepse kjo i lejon Kremlinit të minojë NATO-n dhe të rivendosë Rusinë si ndërmjetës mes fuqive të rajonit. Po pse atëherë presidenti Joe Biden dhe ekipi i tij po shkon sipas planit të Moskës? Sirenat u ndezën të martën në veri të Kosovës kur serbët etnikë u përleshën me policinë pasi u arrestua një i dyshuar si udhëheqës i protestave të serbëve. Dy javë më parë, pas zgjedhjeve komunale të kryebashkiakëve etnikisht shqiptarë, protestuesit serbë bënë të njëjtën gjë me trupat e NATO-s, duke plagosur 30 anëtarë të forcës paqeruajtëse të aleancës, KFOR. Nga 1.8 milionë banorë të Kosovës, 92% janë shqiptarë dhe vetëm 6% janë serbë.
Vendi i vogël ka qenë prej kohësh një aleat i SHBA-së. Është vendi ku njerëzit ua vënë emrin fëmijëve të tyre sipas liderëve amerikanë, bulevardin e quajnë George W. Bush dhe një rrugë Bob Dole. Kosova e do Amerikën sepse Uashingtoni e mbështeti gjatë dhunës së Serbisë kundër shqiptarëve etnikë dhe mbështeti pavarësinë e saj në 2008. Dashuria amerikane nuk është qartësisht e pakushtëzuar. Në vend që të kritikonte Serbinë që po shkaktonte probleme, ambasadori i SHBA-së në Kosovë akuzoi qeverinë e Prishtinës për krijimin e kësaj atmosfere krize në veri dhe ambasadori i SHBA-së në Serbi e lavdëroi atë Beogradin se kishte qenë një partner konstruktiv. SHBA e largoi Kosovën nga pjesëmarrja në stërvitjen e saj aktuale të NATO-s, “Defender Europe 23”.
Ky ndryshim i çuditshëm në politikën amerikane i ka rrënjët në shmangien e rrezikut dhe frikën e Bidenit nga përshkallëzimi rus. Shtetet e Bashkuara shqetësohen se Serbia do të drejtohet nga Rusia dhe do të lejojë Putinin të hapë një front tjetër konflikti. Por nëse ka një gjë që administrata e Bidenit duhet të dijë, ajo është se qetësimi i Rusisë e inkurajon Putinin. Forcat e armatosura serbe do të marrin pjesë në stërvitjen ushtarake shumëkombëshe “Ujku i Platinit” me NATO-n. Ambasada amerikane në Serbisë tha me entuziazëm se kjo tregon se Serbia ka zgjedhur Perëndimin. Kjo deklaratë nuk mund të jetë përveçse e gabuar. Strategjia balancuese e Serbisë mes Rusisë dhe Uashingtonit ka lejuar që kjo stërvitje të mbahet 7 herë që nga viti 2014.
Reagimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiç përfaqëson taktikën e tij të preferuar për të përshkallëzuar situatën dhe më pas për ta de-përshkallëzuar duke e përdorur Kosovën si mjet pazaresh me Perëndimin. Kremlini tashmë po e inkurajon Serbinë që ta përshkallëzojë situatën edhe më tej. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov e quajti shpërthimin e dhunës shqetësuese dhe ia atribuoi fajin Perëndimit. “Një tension i madh po shpërthen në qendër të Evropës, pikërisht në vendin ku në vitin 1999, NATO kreu agresion kundër Jugosllavisë”, tha ai. Ambasadori rus në Serbi, Aleksandr Botsan-Kharchenko tha se situata në Kosovë është një formë e luftës hibride dhe pretendoi se kundërshtarët e Vuçiç duan të bëjnë një grusht shteti të stilit Maidan, duke iu referuar kryengritjes së Ukrainës 2013-2014.
Rusia e Putinit po lëviz gjithashtu në terren. Në shkurt, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani paralajmëroi se anëtarët e grupit mercenar rus Wagner po punojnë me paraushtarakët serbë. Verbëria e Perëndimit ndaj lojërave të pushtetit të Vuçiçit dhe Putinit dhe fajësimi ndaj Kosovës përfaqëson një strategji realpolitike. Shtetet e Bashkuara besojnë se Serbia është më e rëndësishme strategjikisht se Kosova, pasi Uashingtoni e di se Vuçiçi mund të bashkëpunojë lehtësisht me Moskën për të ndezur një konflikt të ri në rajon. Megjithatë, përkrahja amerikane ndaj Serbisë nuk do të funksionojë: marrëdhëniet Serbi-Rusi janë të gjalla dhe të mira.
Bashkëpunimi i Serbisë me Perëndimin në stërvitjet ushtarake dhe retorika boshe është pjesë e strategjisë së saj balancuese midis Rusisë dhe Uashingtonit, jo një shenjë e besnikërisë së saj ndaj Perëndimit. Sa i përket luftës në Ukrainë, Serbia kurrë nuk miratoi sanksione kundër Rusisë së Putin. Muajin e kaluar, drejtori pro-rus i agjencisë së inteligjencës së Serbisë, Aleksandar Vulin udhëtoi në Moskë për një konferencë sigurie. Si pjesë e synimit të tij për të përqëndruar pushtetin, Vuçiç ka shfrytëzuar destabilitetin në rajon për ta shfaqur veten si një fuqi stabilizuese.
Duke përshkallëzuar dhe më pas duke de-përshkallëzuar krizën dhe duke negociuar me Perëndimin sipas kushteve të tij, Vuçiç e ka pozicionuar veten si një marrëveshje-bërës i moderuar në rajon. Dhe ai ka shfrytëzuar situatën e tensionuar në Kosovë për të shpërqendruar qytetarët e tij nga sfidat e brendshme në rritje. Rusia ka dashur prej kohësh të tregojë se NATO është një “tigër letre”. KFOR-i duhet të dërgojë një sinjal të besueshëm se është i gatshëm të ndërhyjë kundër forcave serbe në rast të përshkallëzimit. Javën e kaluar, NATO vendosi të angazhojë 700 trupa shtesë për të forcuar sigurinë në zonë. Ky është një hap në drejtimin e duhur. Por në vend që të qetësojë Serbinë, Amerika duhet të bëjë presion ndaj Beogradit që të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Perëndimi duhet të kuptojë blofin e Rusisë së Putin dhe të ndërgjegjësohet se Vuçiçi nuk është aleat i besueshëm.
Ambasadori rus në Serbi inkurajoi Beogradin që të llogarisë edhe mbështetjen e Moskës ndaj Kosovës dhe e përshkroi situatën si “në prag të një konflikti më të gjerë”. Me burimet ushtarake ruse të shteruara në Ukrainë, Kremlini nuk mund ta mbështesë Serbinë. Dhe një konfrontim i drejtpërdrejtë me NATO-n nuk do t’i shërbente interesave të Vuçiçit. Perëndimi duhet të pranojë se dobësia u jep guxim Putin dhe Vuçiç. Rusia dhe Serbia do të vazhdojnë ta nxehin sërish këtë konflikt të ngrirë kur t’u përshtatet interesave të tyre. Në vend që të lejojë Moskën të zhvlerësojë NATO-n, është koha që Perëndimi të provojë se Kremlini nuk është gjë tjetër veçse një “guaskë boshe”.