Pse e shkruajta Anën

Mimoza Dajci Boletini

Shqipëria nuk është një vend patriarkal, ku burrat janë dominues e fjala e fundit i takon atyre, por përsëri dhuna në familje është shumë prezente, me vrasje, marje jete në mënyra të ndryshme. Rol të rëndësishëm ndaj këtyre fenomeneve të dënueshme nga ligji, duhet të luajnë edhe OJQ e grave.

Ndërkohë që dërgova për shtyp novelën “Ana” dikush më pyeti: “Pse e shkruajte Anën”? 

Gjatë bisedës me një regjisor në New York, më tha “Temat për filmat me ngjarje nga jeta e ish të persekutuarve politikë në Shqipëri, tashmë janë ezauruar, janë konsumuar, pasi kemi patur shumë filma të tillë”.

Më preku ky fakt, por shtrova arsyen, këtë djalë që e takoj për herë të parë, në një kafe në New York, nuk ja vlen të debatoj, pasi mund të përfundonte pa sukses. Ai jo vetëm që nuk e kishte përjetuar persekucionin komunist, por edhe nuk ishte ndërgjegjësuar për krimet që ai regjim kishte ushtruar ndaj popullit tonë.

Novela fillon me një histori personale, gjatë rrjedhës ndërthuret me personazhë imagjinarë që kanë përjetuar dhunën në familje, përndjekjen politike nga regjimi komunist në Shqipëri, nëpër burgje e kampe internimi. Shpalos virtytet e larta të femrës shqiptare, përpjekjet për arsimim e kulturë të Anës edhe pse familja e saj ishte nën rrethin e kuq të diktaturës së proletariatit. 

Ana e kishte patur të atin në burg politik për agjitacion e propagandë, megjithatë nuk heziton të kërkojë të drejtën e studimit në bazë edhe të rezultateve të saj të larta në mësime. Gjithashtu në brendësi të novelës tregohet guximi i saj si një femër e emancipuar, që edhe pse në një kohë të vështirë të viteve në komunizëm, kur divorcet shikoheshin me një sy “jo të mirë” nga shoqëria, ajo gjen forcë e kurajo shkon në organet e rendit, gjykatë e denoncon dhunën bashkëshortore për të shpëtuar veten e fëmijën e saj. 

Një nga shkaqet kryesore që gratë – nëna nuk divorcohen nga burrat e tyre është edhe ana ekonomike, pasi janë të varuara prej tyre, por unë njoh nga afër disa gra, që edhe pse të arsimuara në Universitetet Shqiptare, të punësuara në shtet, marin edhe një pagë fikse, financiarisht të siguruara e të pavarura nga burrat, përsëri i nënshtrohen dhunës. Çfarë tregon se “të verbuara nga dashuria” rriten me jetën e dhunshme bashkëshortore, indoktrinohen nga kjo lloj dhune e nuk shkëputen dot prej saj. Pra, as ekonomia nuk qënka arsyeja që i mban disa femra shqiptare të lidhura me dhunën. Ka shumë raste të mos denoncimit të dhunës, ku vetë viktima e shikon dhunën si një pjesë private, që duhet të qëndrojë e fshehur brenda katër kontureve familjare.

Mos të harrojmë se dhuna që përjetojnë fëmijët në familje, ndikon negativisht në shëndetin e tyre. Rriten me trauma mendore e psikologjike të rënda. Sigurisht nuk jam për divorcet, por kur raportet mes çiftit e humbasin sensin e bukur të familjes e kalojnë në veprime ekstreme mendoj se ata duhet të ndahen. Të njëjtën ide kam dëgjuar edhe nga Senatorja Ruth Hazel Thomson në New York, e cila thotë, se në këto rrethana, divorci është i domosdoshëm, është shpëtim. 

Shqipëria nuk është një vend patriarkal, ku burrat janë dominues e fjala e fundit i takon atyre, por përsëri dhuna në familje është shumë prezente, me vrasje, marje jete në mënyra të ndryshme. Rol të rëndësishëm ndaj këtyre fenomeneve negative të dënueshme nga ligji, duhet të luajnë edhe OJQ e grave. Libri “Ana” flet për gruan – nënë, që ngre zërin, lufton për të drejtat e saj, divorcohet duke marë parasysh çdo pasojë….Edhe pse në moshë madhore ajo kryen studimet e larta, punësohet  e jep shembullin pozitiv tek femrat shqiptare kudo ndodhen. 

Libri titullohet “Ana” për nder të gjyshes time, quajtur Hajrije Boletini Dajçi, por që ne, nipër e mbesa e thërrisnim Ana, e cila u lind e u rrit në Kullën e Boletinëve në Mitrovicë me ndjenjën e atdhedashurisë e patriotizmit për vatanin e popullin tonë. Ishte një grua inteligjente e fortë dhe e  guximshme, sytë e së cilës panë shumë luftra, vrasje, pushkatime e burgosje, por më të fundit ishin vrasja e të birit Rasimit si antikomunist nga forcat sllavo serbe në Prizren në vitin 1945 dhe burgosja e djalit tjetër Enver Dajçi në Tiranë për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. (mdb)