Udhëheqësit ukrainas po i kërkojnë SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe armë me rreze më të gjatë për të vazhduar kundërsulmimin e tyre kundër Rusisë dhe për t’u bërë ballë sulmeve të intensifikuara të Moskës.
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin thotë se aleatët janë të përkushtuar të dërgojnë armë “me aq shpejtësi sa është fizikisht e mundshme t’i çojmë atje”. Megjithatë ka një numër armësh të profilit të lartë dhe të avancuar që Ukraina i dëshiron por SHBA nuk do t’i dërgojë.
Analistët e mbrojtjes përmendin ndjeshmëritë politike, teknologjinë sekrete ose rezervat e kufizuara si arsye për këtë.
ÇFARË ARMË DO I DËRGOHEN UKRAINËS
Në një takim me rreth 50 udhëheqës të mbrojtjes këtë javë, Sekretari Austin dhe gjenerali Mark Milley, shefi i shtatmadhorisë amerikane, diskutuan planet për të dërguar më shumë armë të mbrojtjes ajrore dhe gjithashtu për të rritur trajnimin e trupave ukrainase.
“Ne e dimë se Ukraina ka ende nevojë për më shumë armë me rreze të gjatë, dhe sisteme të mbrojtjes ajrore dhe sisteme artilerie së bashku me aftësi të tjera thelbësore”, tha Sekretari Austin të mërkurën.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar 20 sisteme të avancuara të raketave të artilerisë së lartë, ose HIMARS, dhe kanë premtuar edhe 18 të tjera.
Pentagoni ka thënë se do t’i dorëzojë Ukrainës dy sistemet e para të avancuara të raketave tokë-ajër NASAMS në javët e ardhshme, duke i siguruar Kievit një armë për të cilën ka kërkuar që nga fillimi i këtij viti.
Sistemet do të ofrojnë mbrojtje me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi kundër sulmeve raketore ruse.
Gjermania po dorëzon tani sistemin e saj të parë të raketave tokë-ajër IRIS-T, i cili ka një rreze veprimi prej rreth 40 kilometra. Berlini është zotuar se do të dërgojë katër sisteme të tilla në tërësi.
Në përgjithësi, SHBA i ka dërguar Ukrainës armë dhe ndihma të tjera në vlerë prej 16.8 miliardë dollarësh që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Kjo ndihmë ka përfshirë qindra automjete të blinduara, 142 “Howitzer” dhe 880,000 fishekë municionesh për ta, plus mijëra antitank “Javelin”, armë kundërajrore “Stinger” si dhe 60 milionë fishekë.
ÇFARË ARMËSH NUK DO TË DËRGOJNË SHTETET E BASHKUARA
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e ka bërë vazhdimisht të qartë se vendi i tij ka nevojë për armë më të avancuara për të vazhduar luftën.
Rusia nisi një breshëri sulmesh duke përdorur dronë, artileri të rëndë dhe raketa këtë javë.
Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmet si reagim ndaj një shpërthimi fundjavën e kaluar në urën që e lidh Rusinë me gadishullin e pushtuar të Krimesë. Rusët po përpiqen gjithashtu të mposhtin një kundërofensivë të ashpër nga forcat ukrainase, të cilat sapo kanë rimarrë pesë qytete dhe fshatra në rajonin jugor të Khersonit.
Rajoni i Khersonit u aneksua ilegalisht nga Rusia së bashku me rajonin fqinj Zaporizhzhia dhe rajonet lindore, Donetsk dhe Luhansk.
Kërkesat e presidentit Zelensky për disa lloje armatimi, megjithatë, deri tani kanë mbetur pa përgjigje.
Kërkesa kryesore ka të bëjë me Sistemin Raketor Taktik të Ushtrisë. I njohur si ATACMS, ky sistem është një nga armët që zoti Zelenskyy e ka kërkuar vazhdimisht. Kjo do t’i jepte Ukrainës aftësinë për të goditur objektivat ruse deri në rreth 300 kilometra largësi.
Sistemi përdor të njëjtin lëshues si raketat HIMARS që Kievi ka përdorur me sukses në ofensivën e nisur në shtator, por ATACMS e ka trefishin e rrezes së HIMARS-it.
Një shqetësim i madh i SHBA-së është se aftësia me rreze më të gjatë mund të përdoret kundër objektivave brenda Rusisë dhe të provokojë më tej udhëheqësin rus, Putin, tha Brad Bowman, drejtori i Qendrës për Fuqinë Ushtarake dhe Politike në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, institut kërkimor jopartiak me seli në Uashington.
Për arsye të ngjashme, SHBA-ja nuk ka gjasa t’i dërgojë Ukrainës sistemin shumë të sofistikuar të raketave tokë-ajër Patriot, i cili ka aftësinë për të rrëzuar raketat balistike.
J.D. Williams, studiues i mbrojtjes në institutin, “Rand Corp.”, tha se “Patriotët” janë të lidhur me disa nga rrjetet më të ndjeshme të komandës dhe kontrollit të Shteteve të Bashkuara dhe mund të kërkojnë trupa amerikane në terren për t’i operuar ato. Administrata Biden ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcave luftarake amerikane brenda Ukrainës.
SHBA ka një numër të kufizuar të këtyre sistemeve.
Presidenti ukrainas Zelenskyy gjithashtu ka u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara që nga marsi për të siguruar avionë luftarakë si F-16, por SHBA-ja e ka hedhur poshtë vazhdimisht idenë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm me Rusinë.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë refuzuar deri më tani t’i dërgojnë Ukrainës drone më të sofistikuar me rreze më të gjatë, siç është “Grey Eagle”, i cili gjithashtu do t’i jepte Ukrainës aftësi sulmi në distanca më të gjata. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime rreth asaj që Rusia të mësojë këtë teknologji të avancuar nëse njëra nga dronet do të rrëzohej dhe të kapej nga rusët. (VOA/AP)