Publikohen mesazhet mes Popoviqit dhe zyrtarëve të BIA-s; dëshmojnë për mbrojtjen e të kërkuarve për krime lufte në Kosovë

Prishtinë, 30 korrik 2025 – Zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, i cili u arrestua ditë më parë në Kosovë për shkak se Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e cilësoi si organizatë terrioriste dhe për nxitjen e urrejtjes ndëretnike në Kosovë, dyshohet se ka ndikuar në fshehjen e personave të kërkuar për krime lufte në Kosovë, përmes komunikimeve të koduara dhe bashkëpunimit me drejtues të lartë të Agjencisë Informative të Serbisë, BIA.

Nga komunikimet e publikuara rezulton se Popoviq mbante kontakte të drejtpërdrejta me Bojan Dimiqin dhe Petar Petkoviqin, të dy zyrtarë të BIA-s, dhe se ai përdorte të dhëna sensitive për qëllime politike dhe për shantazh, raporton Telegrafi.

Në një bisedë të zhvilluar në vitin 2023 mes Popoviqit dhe Bojan Dimiqit – drejtor në BIA – zbulohet se si po kontrollohej lëvizja e Çedomir Aksiqit.

Në vitin 2024, Aksiq është dënuar me 15 vjet burg nga gjykatat në Kosovë për Masakrën e Reçakut.

Mesazhet e publikuara nga RTVDukagjini dëshmojnë Popoviqi dhe Dimiqi po kujdeseshin për lëvizjet e sigurta të Aksiqit.

Në maj të vitit 2025, Igor Popoviq komunikon me Petar Petkoviqin lidhur me aktivitetet kriminale të një personi me mbiemrin Kompiroviq, i cili e kishte vuajtur në Serbi një dënim për trafikim me heroinë dhe për vrasje.

Sipas mesazheve të siguruara nga RTVDukagjini, shihet se të dhënat ishin marrë nga Dimiqi dhe se ato përdoreshin me qëllim kontrollimin dhe shantazhimin e serbëve në pjesën veriore të Kosovës.

Në një tjetër komunikim, Popoviq flet për Ranko Vllahoviqin, i cili ndodhet në listën e të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë për krime lufte.

Mesazhet tregojnë se Popoviq, në bashkëpunim me struktura të BIA-s, po mblidhte të dhëna për vendndodhjen e Vllahoviqit dhe të të dyshuarve të tjerë, si Sllaxhan Trajkoviq.

Nga këto komunikime zbulohet se qeveritarët serbë dhe shefat e BIA-s kanë një bashkëpunim të ngushtë për sigurimin e informacioneve për të kaluarën kriminale të personave të dyshuar, të cilat përdoren për qëllime politike dhe për pengimin e sistemit të drejtësisë.

(r.m.)