Putin dislokon në Atlantik raketat hipersonike Zircon

Moskë, 4 janar 2023 – Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dërguar në Oqeanin Atlantik një anije të pajisur me raketa hipersonike të gjeneratës së re.

Në një video-konferencë me ministrin e Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, dhe komandantin Igor Krokhmal të anijes së quajtur “Flota e admiralit të Bashkimit Sovjetik, Gorshkov”, Putin tha se kjo anija është e pajisur me armë hipersonike, Zircon.

“Kësaj radhe, anija është e pajisur me sistemin e fundit të raketave Zircon”, tha Putin.

“Jam i sigurt se një armë e tillë e fuqishme do të mbrojë Rusinë nga kërcënimet e mundshme të jashtme”, shtoi ai.

Putin ka thënë se armë si kjo “nuk ka në botë”.

Raketa Zircon konsiderohet si arma më e fuqishme në arsenalin hipersonik të Rusisë.

Ministri rus i Mbrojtjes tha se anija Gorshkov do të lundrojë në Oqeanin Atlantik, në Oqeanin Indian dhe në Detin Mesdhe.

“Kjo anije, e pajisur me Zircon, është e aftë të kryejë sulme të fuqishme kundër armiqëve në det dhe tokë”, tha Shoigu.

Sipas tij, këto raketa mund të shmangin çdo sistem të mbrojtjes ajrore.

Ai tha se detyra kryesore e këtij misioni është të luftohen kërcënimet ndaj Rusisë dhe për të mbajtur “paqen rajonale dhe stabilitetin e përbashkët me shtetet miqësore”.

Ky veprim i Putinit shihet si sinjal se Rusia nuk do të tërhiqet nga lufta në Ukrainë.

Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë në garë për zhvillimin e armëve hipersonike, të cilat shihen si mënyrë për të fituar avantazh ndaj armiqve, sepse këto lloje armësh kanë shpejtësi pesë herë më të madhe se shpejtësia e zërit dhe po ashtu kanë aftësi të mëdha të manovrimit.

(Sipas REL)