Putin: Nuk ka nevojë për sulme të tjera masive ajrore në Ukrainë

Moskë, 14 tetor 2022 – Pas tetë muajve të nisjes së luftës në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, duket se ka zbutur qëndrimet, meqë ka thënë se nuk sheh nevojë për të vazhduar sulmet masive ajrore dhe që mobilizimi i trupave ushtarake për luftën në Ukrainë do të përfundojë brenda dy javësh.

Duke folur para gazetarëve në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, më 14 tetor, Putin ka thënë se Rusia ka pasur gatishmëri për të vazhduar bisedimet për dhënie fund të luftës, ndonëse ato duhet të mbahen përmes një ndërmjetësuesi ndërkombëtar, nëse në tavolinë do të jetë edhe pala ukrainase.

Putin – i cili ka thënë se do të ishte gati për të përdorur edhe armën bërthamore për të mbrojtur “integritetin territorial” të Rusisë – ka paralajmëruar për një “katastrofë globale” në rast të përleshjes së drejtpërdrejtë në mes të trupave të NATO-s dhe Rusisë.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk ka nevojë që të zhvillohen bisedime me presidentin amerikan, Joe Biden tani për tani.

Aktualisht “nuk ka nevojë për sulme masive”, sepse shumica e shënjestrave janë goditur dhe “ne nuk i kemi vënë detyrë vetes që të shkatërrojmë Ukrainën”, ka thënë Putin nga kryeqyteti kazak.

Putin i ka bërë këto komente në javën kur Rusia ka kryer një mori sulmesh me raketa nëpër disa qytete të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin e shtetit, Kievin.

Deklaratat e tij vijnë edhe teksa forcat ushtarake ukrainase çlirojnë rajone nga trupat ushtarake ruse.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk pendohet për konfliktin “e pakëndshëm” që e quan “operacion special ushtarak”.

Putin ka thënë se kërkesës për mobilizim të pjesshëm ushtarak, i janë përgjigjur 222.000 njerëz.

“Mendoj që brenda dy javësh do të përfundojnë të gjitha masat për mobilizim”, ka thënë Putin.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

(REL)