Putin: Rusia nuk do të përdor armët bërthamore në Ukrainë

Moskë, 28 tetor 2022 – Presidenti rus Vladimir Putin mohoi të enjten se kishte ndonjë qëllim për të përdorur armë bërthamore në Ukrainë, por e cilësoi konfliktin atje si pjesë e përpjekjeve të Perëndimit për të siguruar dominimin e tij global, që udhëheqësi rus tha se do të dështojnë.

Duke folur në një konferencë të ekspertëve ndërkombëtarë të politikës së jashtme, zoti Putin tha se nuk ka kuptim që Rusia të godasë Ukrainën me armë bërthamore.

“Ne nuk shohim nevojë për këtë”, tha zoti Putin. “Nuk ka asnjë kuptim në këtë, as politik, e as ushtarak.”

Presidenti Putin tha se një paralajmërim i mëparshëm për gatishmërinë e tij për të përdorur “të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur Rusinë” nuk përbënte kërcënim për goditje bërthamore, por ishte thjesht një përgjigje ndaj deklaratave të Perëndimit rreth përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore.

Ai përmendi veçanërisht ish kryeministren britanike Liz Truss duke thënë se në gusht ajo kishte theksuar se ishte e gatshme të përdorte armë bërthamore nëse do të bëhej kryeministre e Britanisë, një koment që ai tha se ishte shqetësues për Kremlinin. “Çfarë duhej të mendonim?” tha zoti Putin. “Ne e pamë këtë si një qëndrim të koordinuar, një përpjekje për të na shantazhuar”.

Në një fjalim të gjatë të mbushur me kritika ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, presidenti Putini i akuzoi ata se po përpiqeshin t’u diktonin kushtet e tyre vendeve të tjera në një lojë dominimi “të rrezikshme, të përgjakshme dhe të ndyrë”. Zoti Putin, i cili dërgoi trupat e tij në Ukrainë më 24 shkurt, e cilësoi mbështetjen perëndimore për Ukrainën si pjesë e përpjekjeve të gjera të Uashingtonit dhe aleatëve të tij për të imponuar vullnetin e tij mbi të tjerët përmes një rendi botëror të bazuar në rregulla. Ai argumentoi se bota ka arritur një pikë kthese, kur “Perëndimi nuk është më në gjendje t’i diktojë njerëzimit vullnetin e tij, por ende përpiqet ta bëjë atë, dhe shumica e vendeve nuk duan ta tolerojnë më”.

Udhëheqësi rus pohoi se politikat perëndimore do të nxisin më shumë kaos, duke shtuar se “ai që mbjell erën do të korrë vorbullën”.

Zoti Putin pohoi se “njerëzimi tani përballet me dy alternativa: të shkaktojë një mori problemesh që në mënyrë të pashmangshme do të dëmtojnë të gjithë ose të gjejë zgjidhje që mund të mos jenë ideale, por mund të funksionojnë dhe mund ta bëjnë botën më të qëndrueshme dhe më të sigurt”.

Pa ofruar prova, udhëheqësi rus përsëriti pretendimin e Moskës se Ukraina po planifikonte një sulm me bombë bërthamore, për të cilin do të përpiqej ta fajësonte Rusinë. Ukraina dhe aaleatët e saj perëndimorë e kanë hedhur poshtë me forcë pretendimin duke e quajtur atë një “gënjeshtër transparente”. Ukraina argumentoi se Rusia mund të jetë duke bërë pretendimin e pabazuar për ta shfrytëzuar si justifikim për një sulm të mundshëm bërthamor nga ana e saj.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin u tha gazetarëve të enjten se Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë parë asgjë që jepte sinjale se Putini ka vendosur të përdorë një bombë bërthamore.

Presidenti rus Putin tha se ai personalisht urdhëroi ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu të telefononte homologët e tij të huaj për t’u treguar atyre për komplotin e supozuar. Ai pohoi se Rusia i njeh objektet ukrainase që po punojnë në këtë projekt.

(Zëri i Amerikës)