Putini dëshiron luftë në Ballkan

Rusia po i shfrytëzon tensionet etnike derisa Serbia po e kërcënon me dhunë Kosovën dhe  secesionistët po e kërcënojnë me kolaps Bosnjën.

This image has an empty alt attribute; its file name is Ivana-Stradner_Mark-Montgomery.jpg

Nga Ivana Stradner dhe Mark Montgomery / The Wall Street Journal

 

Derisa të gjithë i kanë drejtuar sytë kah Ukraina, në Evropë po shpërthen një tjetër konflikt. Tri dekada pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë, përplasjet e fundit midis Serbisë dhe Kosovës kanë rindezur konfliktet e vazhdueshme etnike. Teksa Serbia nxit ngjarjet në terren, Moska po ia vë flakën.

Vladimir Putini ka qenë i sinqertë në dëshirën e tij për ta dobësuar Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe për ta rikthyer Rusinë në kufijtë e saj historikë. Por, me forcat ruse që po pësojnë humbje në Ukrainë, Moska mund të fitojë shumë duke nxitur problemet në ndonjë vend tjetër të kontinentit. Nj՞ krizë e qëlluart rajonale do t’ia krijonte Kremlinit mundësinë të ushttrojë ndikimin lokal përmes tregtisë së armëve dhe ndërmjetësimit, duke e larguar kështu vëmendjen nga Ukraina dhe duke i mundësuar Rusisë të ketë ndikim mbi udhëheqësit perëndimorë.

Ballkani Perëndimor është kandidat i përsosur. Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk janë anëtare të NATO-s. Ashtu sikurse Moska kërkon ta dominojë atë që ajo e quan “bota ruse”, Serbia ka kohë që bën thirrje për të bashkuar “botën serbe”. Në vitin 1998, ky koncept e nxiti Serbinë ta invadonte Kosovën – konflikt ky që përfundoi vetëm me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në mars 1999, për t’u dhënë fund shkeljeve të të drejtave të njeriut ndaj popullsisë etnike shqiptare nga Serbia.

Megjithëse mijëra ushtarë të NATO-s mbeten ende në Kosovë si paqeruajtës, tensionet atje mbeten të larta. Në vitin 2008, Kosova e shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në mënyrë të njëanshme dhe mori njohje nga shumë vende perëndimore, përfshirë SHBA-në, por Serbia nuk e njeh ende sovranitetin e saj. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po e forcon kontrollin e tij mbi pushtetin në vend dhe gjatë vitit të kaluar, me mbështetjen ruse, ushtroi presion ndaj Kosovës.

Në muajin maj Serbia i vendosi trupat e saj ushtarake në gjendje të gatishmërisë luftarake, pas përleshjes midis rebelëve etnikë serbë dhe paqeruajtësve ndërkombëtarë ku u plagosën 90 ushtarë të NATO-s. Ishte ky një veprim kremlinesk, që i përdor tensionet etnike si pretekst për lëvizje ushtarake. Në muajin shtator, z. Vuçiq e kopjoi një faqe tjetër të librit të Putinit. Tridhjetë serbë etnikë, të armatosur rëndë, për të cilët Kosova thotë se ishin të pajisur nga Serbia dhe të lidhur me z. Vuçiq, e sulmuan një patrullë të policisë në Kosovë duke i lënë katër të vdekur. Presidenti serb mohoi t’i ketë armatosur sulmuesit.

Serbia e përdori incidentin si pretekst për të grumbulluar armë të rënda dhe trupa në kufirin me Kosovën, në fund të muajit shtator. Shtëpia e Bardhë ishte “shumë e shqetësuar se Serbia mund të përgatitej për të nisur pushtimin ushtarak”, tha më vonë një zyrtar amerikan për revistën “Time”. Një konflikt i tillë mund të përhapet lehtësisht edhe në Maqedoninë e Veriut fqinje, e cila është anëtare e NATO-s. Shqetësimi lidhur me krizën e krijuar e shtyu Uashingtonin të lëshonte informata të  deklasifikuara të inteligjencës në lidhje me ngritjen e gatishmërisë ushtarake të Serbisë dhe me sulmin ndaj policisë së Kosovës.

Disa ditë më vonë, Serbia u tërhoq nga kufiri, por është e qartë se Beogradi dhe Moska po përgatisin një fushatë të dytë dhune dhe provokimi në vitin 2024. Rusia po kryen operacione të ndikimit me mesazhe pro luftës në Serbi dhe po dërgon armë. Edhe Kina po dërgon armë. Serbia është zotuar të rrisë shpenzimet ushtarake këtë vit dhe vazhdon të mbajë një qendër të ashtuquajtur humanitare, të drejtuar nga Rusia, afër bazës kryesore të NATO-s në Kosovë e për të cilën zyrtarët perëndimorë thonë se shërben si qendër ruse e spiunimit. Serbia dhe Rusia e mohojnë këtë. Serbët duket se janë të etur për një pretekst për të vepruar. Në muajin shkurt, Serbia tha se ndalimi i përdorimit të dinarit serb si valutë në Kosovë ka qëllim spastrimin etnik nga serbët.

Por, kjo nuk është e vetmja fuçi baruti në rajon. Bosnja e Hercegovina është gjithashtu në prag të kolapsit. Në fund të vitit të kaluar, udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik – një tjetër aleat i Rusisë – kërcënoi se rajoni i tij gjysmëautonom, Republika Srpska, do të shkëputet nga vendi. Në muajt e ardhshëm, kjo mund ta rindezë dhunën etnike që i vrau më shumë se 100 mijë njerëz gjatë Luftës në Bosnjë, më 1992-1995.

Në një raport të 5 shkurtit, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së tha se në vitin 2024 pret një rrezik të madh të shpërthimit të dhunës ndëretnike në Ballkanin Perëndimor. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi në fund të vitit të kaluar se Rusia ka plane për ta destabilizuar Ballkanin, shqetësim ky të cilit i bëri jehonë ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, në janar.

Fuqitë perëndimore duhet të parandalojnë paqëndrueshmërinë e mëtejshme në Ballkan. NATO-ja duhet të rifokusojë burimet ushtarake dhe diplomatike atje dhe të përforcojë angazhimet ushtarake në Kosovë. Një koalicion i anëtarëve të NATO-s të gatshëm tani duhet të angazhohet publikisht për të ofruar ndihmë ushtarake, nëse Serbia ose Rusia ndërmarrin hapa agresivë në Ballkan.

Ndërkaq, SHBA-ja duhet të vazhdojë të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve që e minojnë sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimi Evropian duhet t’i bashkohet. Gjithashtu, Uashingtoni dhe aleatët e tij duhet të vazhdojnë të përdorin inteligjencën e deklasifikuar për të mbështetur diplomacinë e tyre. Ndërsa NATO-ja duhet të angazhojë ekipe kundër luftës hibride, për të luftuar fushatat propagandistike ruse dhe serbe, si edhe për të forcuar sigurinë kibernetike.

Ndërsa NATO e feston 75-vjetorin e vet dhe z. Putin pëson më shumë humbje në Ukrainë, Moska po përpiqet të hapë një front të ri në Ballkan. Moska nuk ka nevojë ta dërgojë ushtrinë e vet në rajon. Rusisë i duhet vetëm të mbështetet te Serbia për të nxitur dhunën dhe destabilitetin, duke llogaritur se NATO-ja do të ngurrojë.

(r.m.)