Putini e akuzon Perëndimin se po synon shkatërrimin e Rusisë

Moskë, 21 shkurt 2023 – Presidenti rus Vladimir Putin u zotua të martën se do të vazhdojë luftën tanimë njëvjeçare të Rusisë në Ukrainë dhe akuzoi aleancën e NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për ndezjen e flakëve të konfliktit me besimin e gabuar se mund ta mposhtin Moskën në një përplasje globale.

I rrethuar nga flamuj rusë trengjyrësh, presidenti Putin u dha udhëheqësve politik dhe ushtarak të Rusisë se vendi i tij kishte bërë gjithçka që ishte e mundur për të shmangur luftën, por Ukraina e mbështetur nga perëndimi kishte planifikuar të sulmonte Krimenë, gadishullin e aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Perëndimi, tha presidenti Putin, e nxori xhindin nga shishja në një mori rajonesh në mbarë botën duke mbjellë kaos dhe luftë.

“Populli i Ukrainës është shndërruar në peng të regjimit të Kievit dhe sundimtarëve të tij perëndimorë, të cilët e kanë pushtuar këtë vend në kuptimin politik, ushtarak dhe ekonomik. Regjimi i sotëm ukrainas në thelb nuk u shërben interesave kombëtare, por atyre të vendeve të treta”, tha presidenti rus.

“Ata synojnë ta shndërrojnë konfliktin lokal në një përplasje globale. Ne e kuptojmë në këtë mënyrë dhe do të reagojmë në përputhje me rrethanat”, tha ai.

Mposhtja e Rusisë, është e pamundur, tha shefi 70-vjeçar i Kremlinit, duke nënvizuar se Rusia nuk do t’u dorëzohet kurrë përpjekjeve perëndimore për të përçarë shoqërinë e saj, duke shtuar se shumica e rusëve e mbështetën atë që ai vazhdon ta quaj “operacion i posaçëm ushtarak”.

Duartrokitjet e mbuluan pjesën e fjalimit në të cilin foli për aneksimin e katër territoreve ukrainase vitin e kaluar. Ai kërkoi nga të pranishmit, më mesin e të cilëve ligjvënës, ushtarë, shefa spiunazhi dhe shefa të kompanive shtetërore, të ngriheshin në këmbë për të kujtuar ata që kanë humbur jetën në luftë. Ai premtoi një fond të veçantë për familjet e të vrarëve.

Konflikti në Ukrainë është padyshim basti më i madh i një shefi të Kremlinit që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, të cilin udhëheqësit perëndimorë si presidenti amerikan Joe Biden thonë se ai duhet ta humbas.

Forcat ruse kanë pësuar tre përmbysje të mëdha në fushën e betejës që nga fillimi i luftës, por ende kontrollojnë rreth një të pestën e Ukrainës.

Dhjetëra mijëra veta janë vrarë në konflikt dhe presidenti Putin, 70 vjeç, tani thotë se Rusia është e përfshirë në një betejë ekzistenciale me “perëndimin arrogant”, i cili, thotë ai, dëshiron të copëtojë Rusinë dhe të vjedhë burimet e saj të mëdha natyrore.

Perëndimi dhe Ukraina e kundërshtojnë rrëfimin rus dhe thonë se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes nuk është justifikim për atë që ata e cilësojnë një rrëmbim territoresh e stilit perandorak, i dënuar të dështojë.

(Zëri i Amerikës)