Moskë / Kiev, 17 maj 2024 – Presidenti rus Vladimir Putin tha të premten se ofensiva e Moskës në rajonin e Kharkivit në Ukrainë synon të krijojë një zonë sigurie, por nuk ka plane për ta pushtuar qytetin tani.
Duke folur me gazetarët të premten, gjatë një vizite në Harbin të Kinës, zoti Putin tha se Moska nisi sulmet në rajonin e Kharkivit në përgjigje të bombardimeve ukrainase në rajonin rus të Belgorodit.
“Unë e kam thënë publikisht se nëse kjo vazhdon do të detyrohemi të krijojmë një zonë sigurie”, tha ai.
Presidenti Putin tha se trupat ruse po “përparonin çdo ditë sipas planit”
Ai shtoi se Rusia nuk ka plane për të marrë nën kontroll Kharkivin tani.
Ndërkohë, një sulm i madh ukrainas me dronë në Krime të premten herët shkaktoi ndërprerjen e energjisë elektrike në qytetin e Sevastopolit, dëmtoi avionë dhe magazinat e karburantit në një bazë ajrore dhe i vuri flakën një rafinerie në jug të vendit, thanë autoritetet ruse.
Sulmet me dronë janë një përpjekje e Kievit për t’iu kundërpërgjigjur ofensivës së Moskës në Ukrainën verilindore, që ka shtuar trysninë mbi forcat ukrainase me numër më të vogël dhe në pritje të dërgesave të vonuara me armë dhe municione të rëndësishme nga partnerët perëndimorë.
Një zyrtar i inteligjencës ukrainase konfirmoi se Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës dhe Inteligjenca Ushtarake kryen një operacion të përbashkët për të goditur objektet e infrastrukturës ushtarake të Rusisë në Novorossiysk dhe Sevastopolin e pushtuar. Zyrtari foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht.
Operacioni kishte për qëllim të godiste anijet e Flotës ruse të Detit të Zi dhe u krye me dronë të prodhuar në Ukrainë, tha zyrtari.
Të paktën tre avionë luftarakë u shkatërruan gjatë këtij sulmi, sipas imazheve satelitore të bazës ajrore të ofruara nga kompania “Maxar Technologies”.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se mbrojtja ajrore rrëzoi 51 dronë ukrainas mbi Krime, 44 të tjerë mbi rajonin e Krasnodarit dhe gjashtë mbi rajonin e Belgorodit. Ajo tha se avionët luftarakë rusë dhe anijet patrulluese shkatërruan gjithashtu gjashtë dronë në Detin e Zi.
Ndërkohë, trupat ukrainase po luftojnë për të frenuar përparimin e forcave ruse në rajonin verilindor të Kharkiv-it, ku Moska filloi një ofensivë në fund të javës së kaluar.
Qyteti i Vovchanskut, i cili ndodhet vetëm 5 kilometra nga kufiri rus, ka qenë një pikë e nxehtë në luftimet e ditëve të fundit. Autoritetet ukrainase kanë evakuuar rreth 8000 civilë nga qyteti. Taktika e zakonshme e ushtrisë ruse është të shndërrojë qytetet dhe fshatrat në gërmadha me sulme ajrore përpara dërgimit të forcave tokësore.
Duke filluar një ofensivë të re në veri të rajonit të Kharkivit më 10 maj, trupat ruse kanë “zgjeruar zonën e luftimeve aktive me pothuajse 70 kilometra”, në një përpjekje për të detyruar Ukrainën të shpërndajë forcat e saj në një zonë më të madhe dhe të përdorë trupat rezervë, tha shefi ushtarak i Ukrainës Oleksandr Syrskyi të premten.
Rusia gjithashtu ka testuar mbrojtjen ukrainase në pika të tjera përgjatë vijës së frontit afërsisht 1000 kilometra të gjatë në Ukrainën lindore. Qëllimi i këtyre operacioneve ruse është të detyrojë Ukraninën të shfrytëzojë burimet e saj të varfëruara në më shumë zona dhe të shfrytëzojë dobësitë e tyre.
(Zëri i Amerikës)